Unë dhe Abdyl Këllezi nga muaji Nëntor i vitit 1970, shkuam në qytetin “Stalin” dhe organizuam një mbledhje në zyrën e drejtorit të ndërmarrjes së çpim-kërkimit në qytetin “Stalin”. Në këtë mbledhje thirrëm rreth 15-20 vetë, kryespecialistë e drejtues të çpim-kërkimit. Në këtë mbledhje edhe njerëzit e tjerë përkrahën mendimin tim e të Adbyl Këllezit për krijimin e kësaj Drejtorie të Përgjithshme
Pyetje: Këto mendime të tuat dhe të personave që përmende, si ia ke bërë të njohura ti i pandehur Partisë dhe Qeverisë për zgjidhjen e këtij problem?
Përgjigje: Unë në atë kohë, këto mendime të miat dhe të personave që përmenda, nuk ia kam raportuar Partisë dhe Qeverisë, sepse mendoja që nuk do të m’i aprovonin, pasi në sektorin e naftës nuk kishte as dy vjet që ishin bërë ndryshime në organizimin e saj, prandaj mendova që të kalonte edhe njëfarë kohe.
Mesa më kujtohet, aty nga muaji Mars i vitit 1970, është bërë mbledhja e Qeverisë në qytetin “Stalin”, ku shqyrtoi problemet e sektorit të kërkimeve e të çpimeve në naftë. Kjo ka ndodhur mbas avarisë së madhe në pusin “Divjakë 34”. Në këtë mbledhje të Qeverisë u kritikua rëndë sektori i çpim-kërkimeve të naftës, unë dhe drejtori përkatës në Ministri, pasi u konstatuan mjaft çrregullime dhe të meta në këtë sektor.
Pas kësaj mbledhje të Qeverisë, unë mbaj mend se kam bërë disa biseda me Abdyl Këllezin, Piro Gushon, Lipe Nashin, Piro Bozon, Beqir Alinë dhe Zenel Hamitin. Nga bisedat e bëra më kujtohen këto gjëra: Me Abdyl Këllezin në një rast, duhet të ketë qenë në ato ditë që vazhdonte mbledhja e Qeverisë, unë i kam thënë Abdylit se kjo mënyrë e organizimit të industrisë së naftës nuk ishte e përshtatshme dhe Ministria nuk ishte në gjendje të përballonte nevojat e këtyre sektorëve. Abdyli më tha se ndoshta më mirë ishte të përqëndroheshin gjithë këta sektorë në një vend të vetëm. Unë i thashë që kisha mendimin se më mirë ka qenë organizimi kur ishte kombinati i naftës. Abdyli më tha se edhe kjo punë duhej parë. Më gjatë bisedën nuk e vazhduam, por ama unë nga kjo e pashë që edhe Abdyli në njëfarë mase ishte dakord me mua. Më vonë, më kujtohet mirë që duhet të ketë qenë muaji Tetor-Nëntor i vitit 1970, unë kam bërë një bisedë tjetër me Abdyl Këllezin. Ka qenë koha pasi Abdyli është kthyer nga Republika Popullore e Kinës dhe në një rast ai ka ardhur në zyrën time ku kemi qenë vetëm të dy. Abdyli më ka prurë një material që mesa më kujtohet, bënte fjalë për zhvillimin e mëtejshëm të inisiativave krijuese dhe të linjave të reja në sektorët e industrisë, sidomos për rritjen e aftësive nominale të TEC-eve. Abdyli më tha se ky material ishte punuar nga një grup pune sipas eksperiencës që kishin marrë gjatë vizitave në Republikën Popullore të Kinës. Mbaj mend se unë e kam pyetur Abdylin se si do ia bënim për industrinë e naftës sepse nuk po e zgjidhnim. I thashë Abdylit se unë përsëri kisha mendimin që naftën ta përqëndronim në një vend, të krijonim një Drejtori të Përgjithshme të naftës dhe të mos kishim më drejtori në Ministri, po atë ta nxirrnim jashtë Ministrisë dhe vetë kjo drejtori të bënte drejtimin dhe bashkërendimin e të gjitha veprimeve për sektorët që kishte nafta. Abdyli më tha se edhe ai kishte të njëjtin mendim. “Nuk është i nevojshëm”, tha ai, ky centralizim i deritanishëm nga Ministria për naftën, punët e Ministrisë le t’i kryejë ajo drejtori e përgjithshme që do krijojmë, se kështu Ministria do të lehtësohet dhe punët në naftë do të shkojnë më mirë.” Unë i thashë Abdylit që këto mendimet tona, përpara se t’ja paraqisnim Qeverisë, të shkonim në qytetin “Stalin” dhe t’i bisedonim me kuadrot e atjeshme të naftës, se mesa dija unë, edhe ata kishin të njëjtat mendime, bile, Piro Bozua më kishte dërguar një relacion për këtë punë dhe Lipe Nashi më kishte thënë disa herë që duhej krijuar një Drejtori e Përgjithshme. Abdyli ra dakord me këtë mendim që i thashë unë.
Kështu më kujtohet që unë dhe Abdyl Këllezi nga muaji Nëntor i vitit 1970, shkuam në qytetin “Stalin” dhe organizuam një mbledhje në zyrën e drejtorit të ndërmarrjes së çpim-kërkimit në qytetin “Stalin”. Në këtë mbledhje thirrëm rreth 15-20 vetë, kryespecialistë e drejtues të çpim-kërkimit. Në këtë mbledhje edhe njerëzit e tjerë përkrahën mendimin tim e të Adbyl Këllezit për krijimin e kësaj Drejtorie të Përgjithshme.
Pasi u kthyem nga qyteti “Stalin”, në një rast në Kryeministri, unë i raportova për këtë çështje zv.Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Xhafer Spahiut. Ai më vuri detyrë që për këtë çështje duhet të merret mendimi i punëtorëve, prandaj të shkoja në Fier dhe të diskutoja këtë problem me punëtorët.
Në ato ditë, unë shkova në Fier dhe u takova me Piro Gushon që ishte Sekretar i Partisë së rrethit. Atij i thashë që kisha marrë detyrë për ta diskutuar çështjen e krijimit të Drejtorisë së Naftës me punëtorët. Piro Gushua më tha se çfarë mendimi do të na jepnin punëtorët për këtë çështje, të thërrisnim disa specialistë e drejtues në zyrën e tij, se ata mund të na jepnin ndonjë mendim. Unë isha dakord me këtë mendim të Piro Gushos sepse kisha mendimin që nuk ishin në gjendje punëtorët të jepnin mendime për këtë çështje organizative të naftës, këtë gjë mund ta bënin specialistët. Të nesërmen në zyrën e Piro Gushos, mblodhëm rreth 25 specialistë e drejtues të sektorëve të naftës në rrethin e Fierit. Këtu, unë i pari shtrova mendimin për krijimin e kësaj drejtorie. Pas meje u ngritën e folën Piro Gushua, Lipe Nashi e Beqir Alia, të cilët përkrahën propozimin tim dhe të gjithë të tjerët qenë dakord. Edhe kjo mbledhje pati një karakter pothuajse formal sepse më kujtohet që jo vetëm që zgjati pak, por këtu dhanë mendime vetëm disa specialistë, mendime këto që për një pjesë njerëzish unë i dija që më parë.
Nga fundi i vitit 1970 i paraqitëm Qeverisë, unë dhe Abdyl Këllezi, nëpërmjet Komisionit të Planit, propozimin përkatës për krijimin e kësaj drejtorie dhe në informacionin sqarues të dy mashtronim, gënjenim, pasi e trajtonim çështjen sikur për këtë kishim marrë mendimin e bazës e të punëtorëve, gjë që në fakt e shpjegova që nuk ishte e vërtetë.
Në Qeveri këtë çështje e mbrojtëm veçanërisht unë e Abdyl Këllezi dhe në fillim të vitit 1971, u krijua kjo Drejtori e Përgjithshme për naftën.
Siç përmenda më lart në këtë proces, para se të krijohej kjo drejtori, unë kam biseduar edhe me Lipe Nashin. Kështu më kujtohet një rast që duhet të ketë qenë pas mbledhjes që bëmë në Fier për këtë çështje me Piro Gushon, mua më ka ardhur në zyrën time Lipe Nashi, ku me njëri-tjetrin diskutuam për krijimin e kësaj drejtorie. Lipe Nashi në këtë bisedë më tha që tani duhej propozuar lart, Qeverisë, jo vetëm krijimi i kësaj drejtorie, por edhe që kësaj drejtorie t’i jepeshin të gjitha kompetencat dhe drejtori i saj të ishte në rang Zv. Ministri. Unë i thashë Lipes që edhe unë këto mendime kisha, bile edhe Abdyl Këllezi kishte të njëjtin mendim.
Në atë kohë për këtë çështje kam biseduar edhe me Zenel Hamitin. Ai nuk ishte i mendimit që të krijohej kjo drejtori dhe që t’i jepeshin gjithë ato kompetenca sepse thoshte që ishte shumë e gjerë dhe dilte krejt autonome.
Mbas aprovimit për krijimin e kësaj drejtorie, duhet të ketë qenë fundi i muajit Dhjetor të vitit 1970, unë kam shkuar në Fier dhe jam takuar me Piro Gushon. Aty bashkërisht biseduam se kë duhej të vinim drejtor të kësaj drejtorie. Unë i thashë Piros që të vinim Lipe Nashin dhe ai ishte dakord me këtë mendim timin. Pas kësaj unë u thashë edhe zv.Ministrave që kisha, të cilët ishin dakord me këtë mendimin tim e të Piros dhe pastaj bëmë propozimin përkatës.
Kur u aprovua krijimi i kësaj drejtorie dhe u vendos që të bëhej Lipe Nashi drejtor i saj, mbaj mend që ai më ka ardhur disa herë në zyrën time dhe në bisedat e përbashkëta që bënim, vendosëm që drejtoria të merrte të gjithë kompetencat për problemet e naftës dhe Ministria pothuajse nuk kishte asnjë drejtim e kontroll mbi të. Bile unë i thashë Lipes që të përpilonte edhe rregulloren përkatëse për këtë drejtori e cila doli mbas disa muajsh dhe në të kishte çështje që flisnin qartë për decentralizimin dhe që binin në kundërshtim me parimin e drejtimit të centralizuar të ekonomisë socialiste dhe në disa vendime e norma të Partisë e të Qeverisë, kjo rregullore është e aprovuar nga unë.
Të gjitha këto veprime e biseda që shpjegova, janë rezultat i realizimit të pikëpamjeve anti-parti që unë, Abdyl Këllezi, Piro Gushua e Lipe Nashi kemi patur bashkërisht për çështjen e naftës që ajo të drejtohej e decentralizuar, pasi, sipas nesh, parimi i drejtimit të centralizuar edhe i këtij sektori pengonte zhvillimin e prodhimit dhe ndrydhte inisiativat krijuese.
Pyetje: Si konkretisht, ti i pandehur ke biseduar me Abdyl Këllezin e Piro Gushon kundër parimit e drejtimit të centralizuar të ekonomisë socialiste?
Përgjigje: Me Abdyl Këllezin kam biseduar disa herë për këtë çështje dhe të dy kishim të njëjtat pikëpamje se drejtimi i centralizuar i ekonomisë pengon prodhimin dhe ndrydh inisiativën e njerëzve të prodhimit. Këto biseda me Abdylin nuk i kam bërë vetëm për çështjen e naftës e që shpjegova më lart, por dhe në rastet kur nga Ministria e Industrisë kemi shkëputur sektorë të tjerë e kemi krijuar drejtorira të përgjithshme. Ndërsa me Piro Gushon, në rastin që shpjegova më lart, që mund të ketë qenë nga fundi i muajit Nëntor apo fillimi i muajit Dhjetor i vitit 1970, unë me Piron bisedova vetëm për naftën. Në këtë bisedë unë i thashë atij në fillim që krijimi i kësaj drejtorie do të rriste prodhimin e do i koordinonim mirë punët. Pirua më tha që rrugë tjetër për naftën nuk kishte. Unë i thashë që Ministria nuk i zgjidhte dot këto probleme të naftës që andej. Pirua më tha se çfarë do të bënte Ministria. Unë i thashë që duke qenë e centralizuar në Ministri drejtimi i naftës, pengohet prodhimi dhe ndrydhen inisiativat e njerëzve. Pirua më tha që ai ishte dakord me mua, të krijohej kjo Drejtori e Përgjithshme për naftën dhe nuk kishte pse drejtimi i naftës të ishte i centralizuar në Ministri. Kështu më kujtohet që bisedova me Piro Gushon dhe të nesërmen bëmë mbledhjen që shpjegova më lart.
Këto gjëra di unë për veprimet tona lidhur me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të naftës.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
* * *
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 19 Mars 1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të shpjegoni pikëpamjet anti-parti për sektorin e naftës dhe sabotimet që keni kryer në këtë sektor të ekonomisë popullore.
Përgjigje: Unë, në disa drejtime kam qenë kundër vijës së Partisë për kërkim-çpimet dhe shfrytëzimin e naftës. Konkretisht, që në vitin 1967 që doli vendimi i Byrosë Politike për këtë problem, unë atë e kam konsideruar të padrejtë për një seri çështjesh. Kështu në atë vendim, me sa më kujtohet, thuhet se përpara se të bëhet një çpim për kërkimet, duhet të jenë bërë studimet e plota gjeologo-gjeofizike. Për këtë unë kisha pikëpamjen e kundërt se çpimet për kërkimet bëhen jo me të gjithë këtë kompleks studimesh, por duke patur vetëm rilevimet gjeologjike ose studimet gjeofizike dhe nuk ishte e nevojshme të përfundonte i gjithë ky kompleks studimesh e pastaj të fillohej çpimi për kërkim.
Në vendimin e Byrosë Politike të vitit 1967, vihet detyrë që të kalohet nga e njohura në të panjohurën për kërkimet në naftë dhe të mos braktiseshin strukturat ranore. Që në ato kohë e vazhdimisht edhe këto direktiva të Partisë nuk i kam konsideruar të drejta e për rrjedhim nuk kam qenë dakord me to. Kam patur pikëpamjen se ranoret ishin struktura me debite të varfëra dhe që kërkonin çpime shumë më të thella se strukturat gëlqerore. Pra, investime më të mëdha se gëlqeroret. Duke patur këtë pikëpamje, në raste të ndryshme, unë kam biseduar me Abdyl Këllezin, Lipe Nashin e Beqir Alinë dhe që të gjithë kemi qenë të mendimit që të mos bënim kërkime në strukturta ranore pasi i konsideronim ato të paleverdisshme. Siç thashë, unë kam qenë kundër direktivave të Partisë që për kërkim-çpimet të kalonin nga e nohura tek e panjohura. Kisha pikëpamjen se çpim-kërkimet duheshin bërë edhe larg strukturave të njohura kryesisht gëlqerore. Mbi bazën e këtyre pikëpamjeve, unë kam aprovuar edhe propozimet e Lipe Nashit e Beqir Alisë për çpim-kërkimet e shumta që u bënë në sektorin e nënShkodrës, në Prishtë të Skraparit, Sarandës e vende të tjera.
Unë kurdoherë kam patur pikëpamjen se në fushën e kërkimeve, sa më shumë m/l çpim të realizohej, aq më shumë do të shtohej probabiliteti i zbulimit të strukturave naft-gaz mbajtëse. I nisur nga kjo pikëpamje, unë nuk isha dakord me masën e investimeve që i akordonte Qeveria sektorit të kërkimeve. Kjo pikëpamje e imja ishte për metromanin e sepse unë rezultatin e mbështesja kryesisht se sa m/l ishin çpuar. Këtë pikëpamje përveç meje e kanë patur edhe Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati që punonin në Institutin e kërkimeve.
Krahas kësaj që thashë më lart, unë dhe personat që përmenda, kemi patur edhe pikëpamje që në kuadrin e studimeve komplekse të kërkim-çpimeve, duheshin futur edhe puset strukturale të çpimeve të thella, mbi 2000 m/l të cilët zinin një vend të rëndësishëm në sasinë e përgjithshme të m/l të çpim-kërkimeve që na planifikonte shteti për këto çpim-kërkime dhe jo për puset e thella strukturale që në fakt ne kemi bërë në kundërshtim me këto direktiva të Partisë. Partia në direktivat e saj gjithmonë vinte detyrën që çdo kërkim-çpim të binte në strukturë. Ndërsa të gjithë ne që thashë më lart kishim pikëpamjen e kundërt, sipas së cilës një pjesë e çpimeve që bëheshin në kuadrin e puseve strukturale mund të mos binte në strukturë dhe këto çpime të shërbenin si pjesë përbërëse të studimeve komplekse gjeologo-gjeofizike. Këto pikëpamje të kundërta me vijën e Partisë, ne të gjithë, bashkërisht e kemi realizuar në praktikë dhe është fakt që një pjesë e mirë e këtyre çpimeve të thella ose edhe jo të thella nuk ka rënë në strukturë.
Kjo pikëpamje mesa më kujtohet më ka lindur aty nga viti 1970, mbas disa bisedave që kam bërë me Beqir Alinë dhe Ramiz Xhabinë, nga të cilat konkretisht më kujtohen këto:
Aty nga muajt Maj-Qershor të vitit 1970, në një rast, së bashku me Ramiz Xhabinë, kam shkuar në Institutin e kërkimeve të naftës në qytetin “Stalin” për të diskutuar për planin e ardhshëm 5 vjeçar të çpim-kërkimeve. Këtu, ndërmjet të tjerave, mbaj mend që ishte Beqir Alia, Koço Plaku, Pretoko Murati dhe Piro Bozua që ishte drejtor i çpim-kërkimeve. Kur erdhi puna që të diskutonim çështjen e volumit si 5 vjeçar të çpim-kërkimeve dhe që secili çpim duhej të binte në strukturë sipas vendimit të Byrosë Politike të vitit 1967, me sa më kujtohet, Beqir Alia i pari tha se kjo kërkesë e vendimit të Byrosë Politike, në kushtet e vendit tonë ishte e parealizueshme sepse strukturat e vendit tonë, në krahasim me strukturat e shteteve të tjera të mëdha që kanë naftë, janë më të vogla e për rrjedhim nuk është e mundur që në çdo rast çpimi të bjerë në strukturë. “Për ta evidentuar deri në njëfarë mase këtë gjë, – tha Beqiri, duhet që neve të na njihet nga Qeveria e drejta për të kryer çpime të thella strukturale dhe këto çpime të llogariten në kuadrin e plotësimit të studimeve komplekse gjeologjike-gjeofizike.
Mbas Beqir Alisë, më kujtohet që ka diskutuar Koço Plaku, i cili ndërmjet të tjerave, tha se ato që ngriti Beqir Alia, ishin plotësisht të dreja dhe ishte e domosdoshme që neve të na njihej e drejta për të realizuar puset e thella strukturale sepse jemi vend i vogël, kemi pak struktura, ndërsa Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Lindjes së Mesme jo vetëm që kanë shumë struktura, por ato kanë edhe struktura në platformë. Për këto vende të mëdha ishte e drejtë kërkesa, të cilën edhe e kishin, që çdo çpim të binte në strukturë, ndërsa për vendin tonë një gjë e tillë ishte e pamundur të realizohej. Koçua tha se në këto kushte ne duhej të çponim puset e thella strukturale për të parë nëse kishte ose jo strukturë dhe këto çpime të përfshiheshin në kuadrin e studimeve.

Te gjithe te mbiquajturit “armiq te Partise e te popullit” ishin thjesht armiq te diktatorit te vetedeklaruar Enver Hoxha. Po pse more Koco haje buke ne nje tryeze me Enver Hoxhen dhe pastaj nuk i pelqeje idete e tij, te dukej vetja me i zgjuar dhe e e tradhtoje? Enveri e thoshte hapur: Mos me tradhtoni se ju dekoroj me nje plumb ballit. Dhe ashtu ua beri te gjithe armiqve te tij qe i betoheshin per besnikeri. Po pse budallenj ishim ne te tjeret qe nuk i afroheshim Enverit per grada e poste ministrore, por shikonim punen tone?.
Marin koperativisti ,demet me te medha ne cdo lloj shoqerie dhe sistemi i bejne indiferentet si ty .Ata qe ‘shohin punen e tyre ” ,qe duartrokasin punen e enferrit
Ata te vdekurit qe kane frike se vdesin .
Kur ti hante kelyshet e vet ,te jesh i sigurt qe do te vinte radha dhe ty ..u vjen te gjitheve .
Lexo dhe meso ndonje gje ,kokepalar koperativist ,leri komentet ..”shiko punen tende” .