Mbyllet nesër aplikimi për praktikat 3-mujore të punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike të vendit. Autoritetet e dikasterit të Arsimit u kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme nga të rinjtë dhe studentët që kanë në zotërim të paktën një diplomë të nivelit “Bachelor” të aplikojnë sipas profileve të përcaktuara. “Afati për aplikim përfundon në datën 28 shkurt.
Aplikimi është i hapur për të rinjtë profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët zotërojnë minimalisht një diplomë studimesh të nivelit të parë. Zhvillimi i praktikës së punës është pa pagesë dhe qëllimi mbetet përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të Arsimit.
Sipas tyre, kohëzgjatja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës do të jetë tre muaj dhe përfshirja në të është pa pagesë. Secili kandidat mund të njihet për profilet e kërkuara, numrin e pranimeve, si dhe detaje të tjera të nevojshme për aplikim në linkun e posaçëm: http://praktika.arsimi.gov.al/. Pasi të informoheni gjerësisht rreth programit dhe pas konsultimit të profileve të kërkuara, mund të vijoni me plotësimin e formës së aplikimit online.
Ndërkohë që gjatë plotësimit të tij duhet të dorëzoni edhe këto dokumente: CV e aplikantit, diplomën e përfundimit të studimeve të shkollës së lartë, listën e notave, si dhe një letër motivimi. Periudha e praktikës së zhvilluar do të njihet si përvojë pune gjatë procedurave të rekrutimit në institucionet e administratës publike.
Ndërsa për 200 kandidatët të cilët do të dëshmojnë arritje të larta gjatë ndjekjes së praktikës do të bëhet e mundur edhe punësimi I tyre me një kontratë 1-vjeçare punësimi.
Gjatë ndjekjes së kësaj praktike, pjesëmarrësit do të përfshihen në një eksperiencë pune të integruar dhe në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore apo dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre në praktikë. Në përfundim të saj, kandidatët me rezultatet më të larta do të lidhin edhe kontratën një vjeçare të punësimit në profilin përkatës.
Mund të aplikojnë:
Në këtë program mund të aplikojnë të rinj profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve ‘Bachelor’. Kështu, të gjithë studentët që janë duke ndjekur , apo kanë përfunduar një program të ciklit të dytë, në një nga profilet studimore të kërkuara mund të vijojnë procedurat e aplikimit online. Kandidatët duhet të tregojnë interes në punën e sektorit të përzgjedhur dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike e komunikimi. Për të aplikuar duhet të keni përfunduar minimalisht studimet e ciklit të parë ‘Bachelor’!
Dy fazat e praktikës
Faza e parë e këtij programi, që përkon me periudhën e praktikës, do të zgjasë tre muaj dhe është pa pagesë.
Faza e dytë ju ofron mundësinë për të fituar kontratën 1-vjeçare të punës, bazuar në performancën individuale dhe kërkesat e vetë institucioneve të administratës qendrore publike. Fituesit do të lajmërohen nëpërmjet adresës elektronike nga institucionet përkatëse.
Çfarë duhet të dini për hepatitin viral!
Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë, i njohur si verdhëza, i shkaktuar nga viruse të ndryshme. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se a disa lloje hepatitesh virale A, B, C, D dhe E, në varësi të llojit të virusit që i shkakton. Sipas tyre, hepatiti viral është një problem i shëndetit publik mbarëbotëror, për shkak të barrës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që ai shkakton. Hepatiti viral prek qindra miliona njerëz në mbarë botën duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, si dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global. Parashikimet janë që hepatiti viral të renditet ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim. Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra miliona njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje. Virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së
bashku shkaktojnë rreth 80 për qind të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë.
Ndër më të shpeshtit është edhe hepatiti B. Ky lloj hepatiti është një infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor dhe lloji më i rëndë i hepatitit viral. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuaj gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona që janë në moshën më produktive dhe që kanë përgjegjësi familjare. Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja,kapja apo shtrëngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.
p.k/dita
