“Gjithë këto shpresa e pyetje janë drejtuar te Qeveria e Vlorës, andaj duhet të dëftenjë me prova e të siguronje gjithë kombin që program i saj është vërtet kombëtar, duke dëshëruar të punojë me gjithë fuqinë për qytetërimin e lulëzimin të Shqipërisë”. Kështu shkruante në një editorial të gazetës proqeveritare “Përlindja e Shqipërisë”(shih: “Pritmja e Shqipërisë”, Viti I, Nr. 9, 28.10.1913, fq. 1), në vitin 1913, patrioti i madh Mihal Grameno, i cili pjesën e parë të shkrimit ia kushton detyrave që duhej të përmbushte dhe pritshmërive që kishte investuar kombi shqiptar përballë qeverisë së Vlorës, në një kohë që Shqipëria tashmë ishte bërë objekt i vendimeve të fuqive të mëdha pas Konferencës së Londrës. Ishte pikërisht ai kabinet i kryesuar nga I. Qemali, që tashmë pas një viti, po gjendej në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, ndërkohë që pas shpalljes së pavarësisë, në rrethana mjaft të vështira politiko-ekonomike, përpos kritikave të djeshme e të sotme, kishte kryer me përgjegjësi detyrat më të rëndësishme historike, duke siguruar së pari ekzistencën e Shqipërisë së pavarur; ngritjen e bërthamës së shtetit të ri shqiptar; ishte përcaktuar qysh në lindje të saj për një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në rajon; kishte hedhur themelet e arsimit shqiptar; ishte bërë zëdhënëse e aspiratave të thella të popullit tonë për perspektivë europiano-perëndimore. Në këtë sfond politik, nisur nga qëllime të larta patriotike, duket qartë zelli i Gramenos për të përkrahur edhe më tej pa rezerva e me besim të plotë, qeverinë shqiptare. Por në shumë aspekte të ngjan se ato çka Grameno ka shkruar pikërisht 100 vjet më parë, (në vjeshtën e parë të 1913), mbivendosen në mënyrë paradoksale, paralel me detyrat dhe pritshmëritë e qeverisë së sotme, por edhe ato të klasës politike aktuale, pavarësisht se prioritetet sigurisht se mund të jenë të ndryshme.
Së bashku drejt Europës
Ai u bën thirrje të gjithë shqiptarëve ta mbështesin qeverinë kombëtare të Vlorës, të mos “ëndërrojnë” më kot fatin e tyre nën Turqi apo Greqi e të shohin përpara drejt Evropës, të bashkuar. Ky është një objektiv tjetër, i cili edhe sot pas 100 vjetësh, për shqiptarët duket se ka mbetur shumë aktual.
Barbarizmat e fqinjëve
Duke i hedhur një sy numrit në fjalë të gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, hasim edhe një nga shkrimet e famshme, të cilit në mënyrë emblematike mund t’i jenë referuar edhe historianë e studiues të ndryshëm, me titull: “Barbarizmat serbe, greke, malazeze”! (shih po aty: fq. 2) me pseudonimin J. Shkruari, i cili me indinjatë denonconte krimet e tri fqinjëve dhe vinte në dukje kontributet shqiptare në mundësinë që u kishin dhënë atyre për të mundur e luftuar Turqinë, ndërsa shkruante se: Mishrat n’a dridhen nga lajmet e keqe që mësojmë për vojtjet e vëllezërve t’anë të cilët fat’ i zi i dënojti që të mbeten robër nënë barbarët Serbë, Grekë dhe Malazez! Kombe të cilët kurrë nuku muutnë të qytetërohen, pa fjalë që përveç barbarizmës, nuku dinë tjatër mënyrë për përdorur. Egërsirat të Afrikës janë lule përpara këtyrevet barbarë, që rrojnë në mest të Evropës, se si njerës do të mendonin e kujtonin të paktën trimërinë të Shqiptarëvet edhe gjakun që kanë derdhur kundra Turqisë, duke hapur rugën armiqëvet t’anë që të guxojnë të lëftojnë me Turqinë!
Suedia refuzon të vijë në Shqipëri
Po kështu, në po atë numër merret vesh (shih po aty: Lajme të jashtme, fq. 4) edhe refuzimi që Suedia i kishte bërë propozimit të fuqive të mëdha për të kontribuar me një mision profesional xhandarmarie për shtetin më të ri të Evropës – pasi nuk posedonte kapacitet e nevojshme???!! – dhe pranimin e kësaj detyre, të vështirë, siç thuhej në gazetë, e siç do ta tregonte pastaj realisht edhe vetë koha, nga ana e shtetit holandez. Në krye të herës, në gazetë (shih po aty, Lajmim, fq. 1) bëhej edhe një njoftim mbi rekrutimin sipas kritereve të sakta e të drejta të punonjësve të administratës shtetërore, (proces të cilit i kushton vëmendje edhe M. Grameno në editorialin e vet) ku si kusht kryesor vihej njohja e mirë e gjuhës shqipe për të gjithë aplikantët, “me shkrim e këndim”, çka të ngjan sot gjithashtu tejet aktual, kur nëpërmend iniciativat e reja të kabinetit “Rama”, mbi ngritjen e nivelit gjuhësor në komunikimet zyrtare të shtetit shqiptar, duke angazhuar për këtë korrektorë e redaktorë gjuhësorë, në të gjitha institucionet e shtetit dhe kërkuar njëkohësisht rritje të nivelit gjuhësor të punonjësve të administratës, pas shthurjes që është vënë re me të drejtë në këtë drejtim në të gjitha administratat e shkuara, pas ardhjes së demokracisë.
A do na çojë atje ku duam Princi nga Evropa?
Në pjesën e dytë të shkrimit, patrioti i madh korçar, flet edhe për shpresat dhe perspektivën që shpresohej se do t’i hapeshin vendit me zgjedhjen e Princit (apo monarkut) të ri të Shqipërisë, caktuar nga fuqitë e mëdha, me pëlqimin, por edhe nën kushtet e vendosura nga qeveria shqiptare qysh në gurët e themelit të saj. Duhet pasur parasysh se çështja e princit që do të merrte fronin e Shqipërisë në atë kohë, ishte një temë shumë e rrahur e bisedave mes shqiptarëve e jo vetëm, dhe pritshmëritë, kurioziteti e diskutimet ishin tejet të mëdha, pavarësisht asaj çka fati do të rezervonte një vit më pas me dështimin e plotë të misionit të Princ Vidit dhe fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Komisioni i Kontrollit dhe vlerat shqiptare
Grameno bën thirrje për të treguar vlerat më të mira të popullit shqiptar, duke kërkuar t’i tregojë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që pritej të vinte së shpejti në vend, se shqiptarët ishin pra të zotë të qeverisnin vetë, përkundër paragjykimeve negative e vështirësive që mund të ngrinin krye. Edhe ky detaj lehtësisht të sjell ndërmend përpjekjet e klasës aktuale politike, por kurrsesi kompleksin e inferioritetit që haset shpesh ndër ta, në përballje me diplomatët apo përfaqësuesit e huaj.
Princi shqiptar, jo oriental
Ai dëshiron t’u verë kapak edhe hamendësimeve e kundërshtive mbi origjinën e monarkut të pritshëm, që duhej të ishte “evropian” dhe jo “orientall”, siç e cilëson Mihal Grameno, duke u shfaqur e rreshtuar i sigurtë, qartazi e me optimizëm drejt një të ardhmeje europiane të vendit, çka për kohën nuk është se gjente automatikisht përkrahje të plotë, duke pasur parasysh sidomos zhvillimet e mëpasme në vend, ku puna dhe veprimtaria e KNK, performanca e vetë Princit dhe administratës që ai ndërtoi (në këtë aspekt, sidomos ia vlen të përmendet gabimi me pasoja të rënda, që lidhet me nënshkrimin e të ashtuquajturit, “Protokolli i Korfuzit”, por edhe çështja Grebeneja, që u bë shkak për dorëheqjen e I. Qemalit), përplasjet e rivalitetet mes liderëve shqiptarë, por pikësëpari zhvillimet e intrigat ndërkombëtare dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, bënë që zhgënjimi të mos vononte të vinte. Artikulli i Gramenos reflekton optimizmin e shumicës së popullit dhe elitës së sapoformuar politike shqiptare (e cilëson Princin si një realitet të përjetshëm, fatlum e sovran) mbi një moment shumë të shkurtër, por tepër të vrullshëm në zhvillime të historisë sonë kombëtare. Ai, pavarësisht pritshmërive pozitive, ngre natyrisht edhe dyshimet e tij mbi suksesin e këtyre misioneve, duke shtuar me ndërgjegje se: “sa na dhembet nevet Atdheu, kurrë nuku munt t’i dhembet një të huaji”.
Kontributet publicistike të Gramenos
Dihet se Mihal Grameno renditet ndër autorët më aktivë në publicistikën e kohës, fushë ku ai në fakt shkëlqeu më shumë, përtej faktit se u mor edhe me prozë e dramaturgji, për të cilat shpesh kritikohet nga studiuesit se ka mungesë veprimi e një gjuhe jo fort të pasur. Ai pati mundësinë të shkruante qysh herët në platforma të njohura të shqiptarëve në megrim (Rumani e Bullgari), e më pas në gazetat shqiptare brenda vendit, disa prej të cilave i drejtoi edhe vetë. Një ndër to është edhe “Përlindja e Shqipërisë” që botohej në Vlorë, por edhe “Koha” në SHBA (1911-1926, me disa ndërprerje), ku emri i tij hasej shpesh në editoriale, analiza e prognoza politike. Një kontribut ka Grameno edhe në ruajtjen dhe lëvrimin e një shqipeje të pastër e larg ndikimeve të huaja, e që tingëllon në fakt shumë e afërt me normat e sotme të shqipes, çka e dëshmon edhe editoriali me titull: “Pritmja e Shqipërisë”, i sjellë për lexuesin në variantin origjinal, ku ai pavarësisht se shkruan – siç merret me mend – në dialektin toskë, nuk bie prè e dialektalizmave të theksuara:
** **
Vështrimi gjithë i kombit shqipëtar është hedhur tek ky qytet i vogël, po historik, që quhet Vlorë, duke pritur me padurim të shohë nisjen e pritmjes së të ngratës Shqipëri, e cila ka qenë dënuar të vuajë të këqijat e dheut! Nisja, thonë, është themeli i një pune të mirë ose të ligë andaj edhe kombi shqiptar prêt gjithë fatbardhësinë dhe ditë gazmore nga Vlora, meqenë se këtu ndodhet Qeveria e përtanishme e cila mban në dorë frenë të fatit së Shqipërisë. Shqiptarët e mërgimit, të cilët gjithë jetën e tyre janë përpjekur për zgjim të kombit, presën me padurim lajme gazmore për atdhenë që të vinë dhe ata të shijojnë pemën e mundimit, duke parë Shqipërinë të lirë e të qytetëruarë. Vëllezërit e tjerë, të cilët fat’ i zi i dënojti që të mbeten në robëri e në zgjedhjë, kanë varur shpresën te Shqipëria e lirë, që me ndihmën e saj të mundin të mprojnë kombësinë e një ditë të mundin të bashkohen nënë flamur të shenjtë të mëmës Shqipëri! Shqipëtarët të brëndëshmë, të cilët dhelpëritë dhe tirania turke i ka përçarë si të huaj, akoma s’janë ngrohur që të gjithë e të gëzohen me gjithë zemër, për lirimin e Shqipërisë, duke pritur të shohën që vërtet u liruan nga robëria apo jo?
Gjithë këto shpresa e pyetje janë drejtuar te Qeveria e Vlorës, andaj duhet të dëftenjë me prova e të siguronje gjithë kombin që program i saj është vërtet kombëtar, duke dëshëruar të punojë me gjithë fuqinë për qytetërimin e lulëzimin të Shqipërisë. Qeveria ka detyrë të përpiqet për të mbushur mëndjen atyrevet që dëshëronin zgjedhjen e Turqisë, që sot janë të lumtur se janë të lirë e zotërinj në shtëpit e tyre. Gjith ashtu edhe atyreve që dëshëronin Greqinë ose tjatër mbretëri t’u rëfenjë që ishin të gabuar, duke kërkuar tjatër zgjedhje, me qenë që paskëtaj do të gëzojnë njëjësinë, lirinë dhe drejtësinë si bijt’ e Atdheut që janë. Për Shqipërinë nuku ka ndryshim fea, nomi është nom edhe drejtësia është për të gjithë një lloji, andaj edhe nënpunësitë duhet të epen me drejtësi, se kësisoj do ngrohen që të gjithë. Qeveria duhet që tani të rëfenjë vepra të dobishme siç është nevoj’ e madhe për të ndrequr rugët, të çelurit të shkollavet kombëtare, të organizuarit të Policiës e të Xhandarmarisë, të administratavet sundimtare e financiare e gjithë ç’përket në nevojat e sotme me sistem evropian e me drejtësij. Nevojat janë shumë e të panumëruara edhe as që mundim t’i kërkojmë Qeverisë t’imbushë të gjitha, po kërkojmë që nisja të jetë me rënjë e me sistem evropian se qysh të shtrosh ashtu do mbulohesh!
Për së shpejti, do të vinjë në Shqipëri Komisioni nërkombëtar, i cili do të kontrollonjë qeverinë t’ënë, andaj duhet të n’a gjejnë të bashkuar e të lidhur, të n’a vështrojnë në nisje të qytetërimit e të përparimit, të na gjejnë në dëshirë për punë edhe që vërtet meritojmë lirinë e që mund të qeverisemi vehtë me sistem evropian. Qeveria t’onë po përpiqet me gjithë fuqinë të provonjë me vepra të mira e të apë të kuptojnë miqtë t’anë, që n’a mprojtnë, si edhe gjithë Evropa që kombi shqipëtar ka etje për qytetërim edhe për së shpejti do të lulëzohet Shqipëria si gjithë kombet e qytetëruarë. Komisioni ndërkombëtar duhet të mbetet i habitur përpara dëshirës së kombit t’ënë që me të vërtet duam të punojmë e të fatbardhësojmë të shtrenjtën t’onë Shqipëri, se sa na dhembet nevet Atdheu kurrë nuku munt t’i dhembet një të huaji, edhe që nuku jemi egërsirat e Afrikës po Evropianë.
Pas gjashtë muaj të kontrollit do të zgjidhet princi ose mbreti i Shqipërisë, i cili do të marrë në dorë frenë të kombit t’ënë. Këtu pra është çështja mê me rëndësi. Princi nuku do të jetë si çdo njeri që po të mos e pëlqesh munt t’a përzesh. Princi ose mbreti t’onë do të jetë i përjetshmë dhe fati i Shqipërisë do të lidhet me atë, andaj lint pyetja që çfarë fat do të ketë e dashura t’onë Shqipëri? A do të kemi edhe neve fatin të Rumanisë, të Bullgarisë ose të Greqisë që patnë të atillë mbretër që i qytetëruan, lulëzuan edhe madhuan mbretërit e tyre? A do të kemi fatin të kemi një Princ dorë hekuri e të na nxjerë në liman?
Fatin t’onë akoma nuk e dimë po vetëm një gjë n’a gëzon e n’a ep shpresë që vullnet e dëshirë të një kombi Perëndia e mbush! Edhe ky vullnet e dëshirë të kombit Shqipëtar ka qenë, është dhe do të jetë gjithënjë që Princi të jetë Evropian. Kombi gjithë – mos përmendim 4-5 shpirt të humbur që duan princ Fuatin – e ka kupëtuar fort bukur që vetëm nënë një princ evropian do të qytetërohet e fatbardhësohet e shtrenjta t’onë Shqipëri, e do t’i sigurohet jeta në Evropë, andaj pa dyshim që dhe gjithë Evropa do të mbushnjë dëshirën e kombit e ka për me zgjedhur të pritmin Princ nga gjiri i Evropës. Qeveria Shqipëtare me të formuarit të saj vendosi e nënshkrojti një protokoll ku vetëm një Princ nga Oboret të nderçmë të Evropës do të pranojë e kurrë Orientall. Edhe pati shumë arësye me qenë që po të dëshëronim Princ orientall shumë lehtë munt të xgjithnim nga oborri Osmanlli e jo Princ Fuatin, i cili nuku ka as nonjë kalite, se po të ishin të mirë nuku arrinte Misiri në gradën e sotme! Në është që 4-5 të humbur e mëndje-ndryshkur dëshërojnë Fuatin nuku kanë përveç të venë në shkretëtirë të Saharës e t’ia prokllamojnë se Shqipëria gjithë nuku do tjatër përveç një Princ evropian që të fatbardhësonjë dhe madhonjë Shqipërinë, e jo të humbasë siç humbi Misiri dhe Turqia!
Vlonë, Mihal Grameno

Mihal Grameno si shum Kacake qe kundershtonin me te madhe udheheqsit orientale,te cilet gjithnje kan pasur veshtrimet tek e kaluara Osmane ne ndikimin ideologjik te tyre,e jo Europen ate qe u mungonte Nacionalizmit Shqiptar te krishtere!
Pra edhe pse ne fe Ortodokse,Mihal Grameno pranonte nje princ te nje feje tjeter,qofte edhe asaj protestante,qofte edhe i huaj,por asnjehere nje princ Oriental,qofte edhe Shqiptar???!!
Mbas 100 vjetesh kjo histori perseritet,ku shumica kerkojn Europen si kulture te tyren ne Shqiperi,dhe jo Udheheqes Orientale?
Megjithate Orienti ngelet si nje kulture e ardhur ne Shqiperi,por qe i ka shkaktuar dhimbje e tragjedi nje populli,qe per hir te vertetes e ka len ne fund te vendeve te perparuara e te civilizuara!
Shqiptaret duhet ti ruhen vertet orientit ortodoks sllav.Turqia prej dekadash ka luajtur rolin e diges frenuese te kesaj kulture ne Europe,e ngjashme me rolin e luajtur dikur nga prijsat shqiptar sipas udhezimeve te Gjergjin,per te mbrojtur Europen,e cila ne ate kohe nuk ishte bere akoma kurve,sic do te thoshte Homeri i shqiptarve,te cilit politikanet katoviciane kane frike ti permendin emrin pasi do ti prisnin oreksin ortodoksve sllavo-greke.