Erik Thohir pret fitore të Interit në derbin kundër Milanit. Presidenti ndodhet në Itali dhe do ta shohë ndeshjen në stadium, duke u përpjekur ta motivojë sa më tepër skuadrën e tij. “I takova futbollistët dhe trajnerin përpara ndeshjes me Napolin dhe u kërkova të përqendrohen sa më shumë në ndeshjet e fundit. Dëshiroj të fitoj derbin, sepse kjo sfidë është jashtëzakonisht e rëndësishme për objektivat e Interit”, tha indoneziani. Në lidhje me merkaton e ardhshme, Thohir vazhdon të këmbëngulë me besimin te të rinjtë. “Dy siguri për skuadrën e sezonit të ardhshëm janë Ikardi e Kovaçiç, sepse unë gjithmonë besoj te të rinjtë. Ata janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm dhe ne duam të rritemi si ekip bashkë me ta. Do të ndërtojmë një skuadër të bazuar te të rinjtë premtues dhe te lojtarët me eksperiencë”.
