Ti s’e përballon dot të vërtetën…

redaktor

“You can’t handle the truth”… i thotë gjenerali (interpretuar mjeshtërisht nga Jack Nicholson), avokatit (interpretuar nga Tom Cruise), në filmin e vitit 1992 “A few good men”. Kaq vite pas, tentova t’a përkthej dhe përshtas fjalinë “You can’t handle the truth” me realitetin që po mbretëron në të sotmen Kosovë. Dhe hasa në vështirësi, ashtu si vazhdimisht has në veshtirësi (me të tjerët) sa herë që e dëftoj të vërtetën dhe sa herë që s’kam guxim t’a dëftoj të vërtetën (me veten). Përkthimi dhe përshtatja më e mirë nga të tëra mënyrat (variantet), më tingëlloi: “Ti s’e përballon dot të vërtetën”. Pastaj, e ndjeva më të afërt dhe më me peshë: “Ti s’e mban dot të vërtetën”. Të dyja variantet i dedikohen vetes time. Sepse të them të vërtetën, unë as nuk e përballoj dhe as nuk e mbaj dot të vërtetën, sepse e vërteta vie me pasoja. E vërteta është e vetmja që s’ka pasoja anësore. Pasojat e të vërtetës janë të drejtpërdrejta.

Nuk e kisha besuar kurrë që shqiptari në shtetin e tij të pa-varur, për të cilin kishin punuar breza të tërë, do dënohej pamëshirshëm, shëmtueshëm (duke mos përjashtuar dhe tragjiken) po qe se do të paisej me guxim që të dëftonte të vërtetën.  Kisha besuar se koha e metaforave kishte vdekur me vdekjen e Yugoslavisë dhe se e vërteta do dëftohej lirshëm tutje, në sistemin e tanishëm që kushtetuta e quan demokraci (që s’ka asnjë ngjashmëri me kuptimin që përshkruan fjalori i gjuhës së sotme shqipe), e sidomos në shtetin që preokupim ka njohjen e tij tërësore, ekzistencën e tij. Besimin tim nuk e kisha ndërtuar se isha naiv, por e kisha ndërtuar nga rezultati që sillte demokracia. Edhe pse demokracia si sistem, nuk është i përsosuri sistem, bazohet në ca vlera universale, mes të cilave bën pjesë dhe thënia e të vërtetës.

Cila është e vërteta? Është e kundërta e asaj që themi. Ështe ajo që tërë e mbajmë brenda. Është ajo që askush s’ka guxim t’a dëftoj. Sidomos tani, në prag fushate-ash. Fushata politike ka një afat kohor ushtrimi, por fushata ndaj ndjekjes së autorëve të dëftimit të së vërtetës nuk pushon asnjëherë së ushtruari. Unë për veten time, s’kam guxim t’a them të vërtetën, sidomos pas eksperiencës sime të përjetuar që pas botimit të shkrimit: “Hashim Thaci: sutor ne ultra crepidam”. Menjëherë pas, kam qenë “I kërcënuar nën patronatin e kryeministrit”. Me një “Ke t’fala prej Hashës” përfundonin të tëra kërcënimet e paimagjinuara e me shumë fantazi dhune. Nga shumëllojshmëria dhe sasia e torturave me të cilat jam kërcënuar, mund të shkruheshin skenarë të tërë filmash horrori. Aty përfshiheshin edhe të tërë familjarët e mi…

Thënia e të vërtetës me ka bër një humbës të madh. Kënaqësitë që më dhuronin dëftimet e vërteta janë shumë, shumë, shumë më të vogla se pasojat që më kanë dhuruar (pas)thëniet e të vërtetës.  Gënjeshtarët  dhe lajkatarët janë përfituesit më të mëdhenj. Humbësit e përbotshëm janë dëftuesit e të vërtetës. E vërteta është gjëja me e hidhur në KS-në e sotme. Dhe është e dënueshme. Prandaj, e vërteta mbetet e pathënë. E vetmja mënyrë dëftimi (e rikthyer) është – metafora.

Kush janë ata që dënojnë dëftuesit e të vërtetës? Por kur nuk e ka guximin t’a thotë prokuroria, përse pyesim se pse ekziston EULEX-i në shtetin e pavarur të Kosovës.

***

Nga shkrimi edhe mund të arrish të dëftosh të vërtetën dhe të bësh detyrën qytetare, por ajo që arrinë me sukses, është krijimi i më shumë armiqve dhe konvertimi i ca miqve (të mbetur) në armiq. Dhe për epilog, i gjithë rezultati i arritur nga shkrimi është pozicionimi i autorit, që nga një mjedis i rehatshëm shndërrohet në një njeri të urryer, të izoluar, ndaj të cilit gjithmonë ekziston tendenca për hakmarrje.  Prandaj, në imagjinatën time, epilogut të variantit shqiptar të “A few good men” (Ca njerëz të mirë), do t’i shtoja një fjali përmbyllëse avokatit të prokurorisë, (Tom Cruise): I can’t handle the truth. Një aprovim. Të tërë do jetonin të lumtur më pastaj. Gjenerali do lirohej, avokati do merrte honorarin e majmë, prokurori do lirohej nga frika, gazetarët do raportonin, raportet do të transmetoheshin nga mediat…

…Përpos që të vërtetën nuk e duan protagonistët, nuk e duan as vet botuesit. Sepse edhe ata dënohen për të tilla vepra, për zbulim të së vërtetës. Dhe përballen me pasoja. Askush nuk është në gjendje t’a dëftoj të vërtetën tani më, madje as metafora. Mungesa e të vërtetës ka kohë që ka instaluar një sistem të ri: pandëshkueshmërinë. Dhe ndëshkueshmërinë e dëfuesve të së vërtetës. Nëse s’kemi guxim t’a themi të vërtetën, atehere pse rrojmë. Unë për veten time, s’e mbaj dot më të vërtetën. Pse rroj, nuk e di, t’ju them të vërtetën.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *