Çmimi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit (TIFF 2015) shkoi për filmin nga Kosova “Babai”, një film thellësisht human, i cili rrëfen marrëdhënien midis një djali dhe babait të tij.
Bëhet fjalë për Kosovën e viteve ’90, por realiteti është i tillë edhe sot.
Filmi trajton ikjen e shqiptarëve drejt Gjermanisë dhe përpjekjes për të gjetur qoftë edhe strehë atje. Filmi ka një gjuhë të thjeshtë, ndërsa dialogjet janë interesante, por nuk mungon as gjuha vulgare, me anë të të cilës me sa duket regjisori ka dashur të transmetojë gjuhën e përditshme të njerëzve.
Filmi u përzgjodh midis 5 mijë filmave në fazën fillestare. “Babai” u shfaq mbrëmjen e shkuar në kinema “Millenium” në Tiranë, ku fill pas tij u dhanë edhe çmimet.
Filmi prej mbi 100 minuta, ka për personazh kryesor 10 vjeçarin Val Maloku nga Kosova, një nxënës që duket se do të bëhet një aktor i shkëlqyer.
Personazhi shpreh aq shumë emocion edhe në momentin kur nuk flet. Për ta gjetur, regjisori e ka përzgjedhur mes 3 mijë fëmijëve. Maloku luan rolin e Norit në film, rol të cilin e luan me ftohtësi dhe korrektësi, nëse do të themi kështu. Babai është Gëzimi, një shitës cigaresh në Kosovën e viteve ’90, kur regjimi serb ishte ende i pranishëm dhe “ora policore” është domethënia e frikës.
Babai dëshiron të emigrojë dhe në rastin e parë, fëmija i vihet pas çka babai nuk e lejoi. Fëmija i doli përpara autobusit duke u plagosur. Më vonë, babai i Norit ikën në Gjermani fshehtas! Ikja ishte gjithashtu pjesë e planeve të fëmijës, i cili fillimisht vodhi armën e bacës Adem (rol i luajtur nga aktori Enver Petrovci), e më vonë vjedh edhe paratë e dasmës.
Pas shumë peripecive, fëmija mbërrin në Gjermani. Bash në momentin kur të gjithë presin përqafimin me babain që e ritakon, Nori e godet atë, në shenje hakmarrje për braktisjen. Filmi është një dramë njerëzore që vijon më pas me kalvarin nëpër azile.
Filmi “Babai” i regjisorit nga Kosova Visar Morina ka fituar më herët 6 çmime në festivale të ndryshme.
Festivali i Filmit nisi më 28 tetor, ku janë shfaqur 120 filma. Festivali u hap me filmin “Burrneshat”, ndërsa u mbyll me filmin që rrëmbeu edhe çmimin e parë.
Gjithsej u dhanë 23 çmime. /Dita/
