Tifozët bardheblu nisin protestat kundër Bashës

redaktor

Tifozët e Tiranës kanë vendosur të protestojnë para Bashkisë së kryeqytetit, të cilën e bëjnë përgjegjëse për zvarritjen e zgjidhjes së ngërçit institucional, që po mban peng projektin për ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin e ardhshëm.

Me slloganin “Larg politikës, afër Tironës”, mbështetësit bardheblu do të mblidhen këtë të martë në orën 18:00 para bashkisë për një demonstrim qytetar, që ka për qëllim sensibilizimin e insititucionit vendor, për organizimin modern të klubit më të titulluar në Shqipëri, raporton Sport News. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, tifo-grupi “Fanatiks” u kërkon të gjithë tifozëve të Tiranës, veteranë dhe të rinj, figurave që kanë kontribuar për këtë skuadër, që të bashkohen të gjithë për një qëllim të vetëm, shmangien e situatës së paprecedent që ky klub përjetoi gjatë sezonit që lamë pas.

Në thirrjen publike të tifozëve ndër të tjera shkruhet se:

Ndërsa vjet besuam më shumë se ç’duhej dhe pritëm pak si tepër, këtë vit nuk do t’i lemë gjërat të majisen deri në atë pikë. Koha për të vepruar është tani! Të gjithë në këmbë për të mos lejuar indiferencën dhe papërgjegjshmërinë ndaj historisë, dinjitetit, të tashmes dhe të ardhmes bardheblu! Dëshirojmë pranë nesh, në këtë lëvizje që ka për qëllim VETËM mbrojtjen e TIRONËS, të gjithë tifozët, të rinj dhe veteranë, të gjithë ikonat bardheblu, të gjithë sportdashësit dhe dashamirët, të gjithe ata për të cilët për të cilët këto ngjyra janë të shenjta. Ky do jetë vetëm fillimi. Dhe kujdes, askush mos mundohet të instrumentalizojë politikisht këtë lëvizje, në njërin apo tjetrin krah: LARG POLITIKES – AFËR TIRONËS, SOT E PËRGJITHMONË!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *