Luftëtarë të huaj në Siri aspirojnë të drejtohen në Evropë, kryesisht në Belgjikë për kryerjen e sulmeve terroriste, pohoi sot kreu i organit përgjegjës për vlerësimin e kërcënimit terrorist në Belgjikë, katër javë pas sulmeve xhihadiste, ku u regjistruan 32 të vdekur dhe 340 të plagosur në Bruksel.
“Ka shumë informacione, sinjalizime nga FTT-ja (Foreign terrorist fighters), që luftëtarë në Siri kërkojnë të rikthehen jo vetëm drejt Belgjikës por edhe në Evropë për kryerjen e sulmeve terroriste”, deklaroi Paul Van Tigchelt, drejtor i Ocam (Organ i koordinimit për analizimin e kërcënimit terrorist), në një konferencë shtypi.
“Hetimi po zhvillohet në mënyrë intensive duke shënuar progrese serioze”, vlerësoi Van.
“Por rreziku nuk përjashtohet”, shtoi ai, pa dhënë më tepër detaje.
”Ocam ka vendosur të mbajë nivelin 3 (nga shkalla maksimale 4) të kërcënimit terrorist në gjithë territorin e Belgjikës, ç’ka vë në dukje se kërcënimi është ende i pranishëm”, sqaroi institucioni publik që mbledh informacione të mundshme dhe këshillon autoritetet.
Ocam është nën varësinë e Ministrisë së Brendshme belge.
