Demir Korita
90 vjet më parë, më 18 janar të vitit 1926, lindi në një familje me emër në qytetin e Fierit, Timo Lulja, interpretues dhe studiues i këngës qytetare fierake. Nën shembullin e prindërve të vetë, të dalluar për patriotizëm, dashuri për njerëzit, por edhe për këngën qytetare fierake, djaloshi Timo bëri gjithçka për të ruajtur dhe çuar më tej emrin e familjes. Dhe rruga e vetme që ai zgjodhi për emancipimin kulturor e shoqëror të bashkëqytetarëve të vetë, ishte pasioni dhe këmbëngulja e tij krijuese në interpretimin dhe këngës qytetare të qytetit të Fierit.
Rrënjë të forta
I ati i tij, Vangjeli ishte një qytetar i sërës së parë, i njohur në qytetin e Fierit për veprimtarinë e tij patriotike. Në moshën 18-vjeçare emigron në Amerikë, ku atje u angazhua në Shoqatën Vatra të udhëhequr nga Fan Noli. Për zërin e tij kumbues Fan Noli e zgjodhi midis të rinjve si psalls të kishës. Me iniciativën e Shoqërisë Vatra kthehet vullnetar në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës të qershor – shtatorit 1920. Më 3 shtator 1920, pas fitores mbi fashistët italianë, Vangjeli mori pjesë si delegat i Fierit në ceremoninë e fitores në Vlorë. Si bashkëpunëtor i Fan Nolit, Vangjeli, është pjesëtar aktiv në organizatën Bashkimi, degë e cila u krijua më 10 qershor 1924 në Fier ku u zgjodh sekretar. Me rikthimin në pushtet të Zogut më 25 dhjetor të vitit 1925, xhandarmëria zogiste e kërkoi për ta arrestuar. Për më se dy vjet kërkim, Vangjeli u strehua tek të afërm e miq në Fier e Vlorë dhe pas amnistisë ai kthehet në Fier. Ndërkohë aty nga viti 1932 ndërton furrën e parë të pjekjes ku dhe bënë përplasjen me bejlerët Vrionas. Ndërkohë punon si psalls në kishën e Shën Vllasit…Mbas disa vitesh hap dyqanin e minifurrës në lagjen “Liri” i cili me një shpirt të madh ndaj klientëve, arriti që vetë populli i qytetit të Fierit por edhe i fshatrave dyqanin e Vangjelit ta pagëzonin si një vend peligrinizmi i të gjitha shtresave…ku ishte i vetëm njeri që nga banorët e trevës të “shenjtërohej” atëherë e deri më sot si “Dyqanin e Vangjel Lules”. Një traditë e lartë patriotike e trashëgimi që iu la brezave pasardhës. Sot sheshi mban emrin “Vangjel Lule”.
“Ma kishe shtëpinë mu në mes të Fierit”!…
Qysh i ri Timua, merrte pjesë, dëgjonte e këndonte në mejhanet e qytetit ku këndonin i ati, Vangjeli, gjyshi Bushi Bogo dhe këngëtar të tjerë si Turi e Sil Papuçiu, Jani Paloli, Llambi Paro, Ilia Bele, Thimi Xhokaxhiu etj. Midis tyre shquhej Kiu Poro, i cili u bë një emër i dëgjuar në publik që mblidhte shumë njerëz në publik i cili u bë këngëtari më i shquar i gjysmës së shekullit të parë të shekullit të 20-të në qytetin e Fierit dhe në krahinën e Myzeqesë e më gjerë. “Është e pamundur kujton Timua, të dëgjoje këngën e tij e të mos mbetej në mëndje. Ishte muza dhe shpirti i zjarrit i tij, pasioni dhe dëshira e ndezur, pas së bukurës, pas vajzave që magjepste këngëtarin…i cili, iu thuri vargje të cilat i përjetësoi në këngë, që janë aktuale e shumë të dashura edhe për sot. Këngë të tilla ishin: “Goca e berberit”, “Oh, moj thëllëzë e bukur”, “Një veri i hollë”.
Mes virtuozëve të mëdhenj
Virtuoziteti, tonacioni, vokali e frymëzuan shumë djaloshin e ri Timo Lulen i cili iu përkushtua të vazhdonte, rrugën e këngës qytetare fierake në vitet e më pasmë. Një event i rëndësishëm për Timon ishte edhe ardhja në Fier, në shtator të vitit 1935, katër studentëve Tefta Tashko, Kristaq Antonin, Maria Kraja, Lola Gjoka, Jorgjia Truja, të cilët kishin mbaruar konservatorët në Paris, Graz Austri, Bukuresht e Athinë, të cilët dhanë për herë të parë në historinë e artit muzikor një koncert madhështor. Në këtë koncert mori pjesë edhe Timua, i cili u impresionua me nivelin dhe interpretimin të këngës lirike shqiptare nga këta artist të rinj… Në mbrëmje këta artistë bujtën në shtëpinë e Vangjel Lules ku përveç pritjes madhështore familjarët organizuan një koncert tjetër ku u kënduan edhe këngë qytetare fierake… Jehona qe mjaft e madhe në qytet…
Interpretimi i këngës lirike prej artistëve të ardhur nga shkollat perëndimore, e magjepsën djaloshin e ri duke u bërë shkolla e parë e kantos për të duke i dhënë shtysë, dhe falë talentit vazhdoi rrugën e bukur të këngës lirike qytetare.
Në vitet 1947-1950 Timua kryen shërbimin pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore Shqiptare i cili u përzgjodh nga Udhëheqësi artistik Gaqo Avrazi. Ishte ndër zërat më të veçantë te tenorit i cili dallohej për vokalin dhe interpretimin me nivel të lartë. Me ansamblin ka dhënë koncerte në ish-vendet e Demokracisë Popullore si në ish Bashkimin sovjetik Teatri Balshoi, në Bullgari, Rumani, Moldavi e Jugosllavi i cili me vokalin e tij prej tenori tërhoqi vëmendjen e artistëve dhe publikut të huaj. Më pas propozohet si këngëtar pranë ansamblit te ushtirse se bashku me Mentor Xhemalin Ibrahim Tukiçin, Xhon Athanas, Maliq Herrit etj., por për arsye familjare (djalë i vetëm) kthehet përfundimisht në Fier.
Kultura masive, kulturë për të gjithë
Në vitet 1950-160 punon pranë shtëpisë së kulturës, si drejtues artistik i saj, mësues dhe inspektor i kulturës në seksionin e arsimit dhe të kulturës të rrethit. Gjatë kësaj periudhe pushteti i kohës e angazhon Timon për ngritjen e grupeve artistike në Cakran, Gorishovë, Hekal dhe Seman, grupe këto që ngriheshin përherë të parë në ambiente fshati tepër konservator e të prapambetur. Por aftësia, predikimet dhe komunikimet e Timos me banorët bëri që pjesëmarrja në këto grupe artistike të rritej, jo vetëm djemtë, por edhe vajzat. Një ambient emancipues të shoqërisë Timua e gjeti në ish-kooperativën e Semanit. Prej viteve 1960-deri në vitin 1982 punon pa ndërprerje si mësues muzike në shkollat e qytetit si dhe këngëtar pranë estradës profesionale të Fierit. Në këtë periudhë Timua me një përvojë të madhe në fushën e muzikës dhe interpretimit, ishte ndër novatorët, krijuesit e përpunimit të këngës popullore qytetare fierake duke qëndruar përherë besnik i folklorit e traditës. Këngë të interpretuar prej Timos gjenden në repertorin e Arkivit të RTSH.
Jo vetëm interpretues klasi, por edhe studiues klasi
Timua jo vetëm krijues e interpretues i këngës, por edhe mjaftë i ndjeshëm e i kujdesshëm në studimin, dhe mbledhjen e gjitha krijimeve e teksteve të këngëve qytetare fierake i cili me një vullnet e përkushtim deri në vitin 1980 regjistroi rreth 240 këngë të cilat ia dërgoi Institutit të Folklorit në Tiranë. Pas një pune të gjatë studimore e shkencore, në korrik të vitit 2009 botoi librin “Fieri dhe Kënga”. Një libër me mjaftë vlera për historinë e këngës, për studiuesit, mësuesit e muzikës, kompozitorët dhe interpretuesit. Që nga viti 1998 Timua shkon pranë të birit Tomi,t me banim në qytetin verior të Komos të Italisë, por me zemër e shpirt jeton këtu, në qytetin e Fierit. Si personalitet i këngës fierake, Timua është ftuar në emisione televizive të qytetit dhe Radio Fierit. Meraku më i madh i Timos ka qenë dhe është se interpretues të ndryshëm (dasmaxhinjë) kanë deformuar tekstet dhe melodinë e këngës fierake.
Vitet ikin, kohët ndryshojnë, por vepra dhe fama e Timos si interpretues brilant i këngës qytetare fierake do të mbetet përjetësisht.

E pershendes artikullshkruesin, pasi me realizem dhe thjeshtesi ka nxjerr ne pah kontributin shum domethenes te Timo Lules, si kengetar por edhe hulumtues e studjues i kenges qytetare Fierake dhe ate popullore te treves se myzeqese. Ky korife i kenges se bashku me bilbilat e kenges qytetare Fierake si Kiu Poro me origjine Armene-vllahe etj e ngriten ne nivele bashkekohore kengen qytetare Fierake, e cila eshte e njohur dhe prezente jo vetem ne Fier por ne mbar trevat shqiptare. Kete tradite te kenges e ruan dhe e transmeton sot grupi i Kenges Qytetate Fierake. Respekt dhe perulje per keta korifej qe na kane lene kete trashegimi e vecanerisht per 90 vjecarin djaloshar, qytetarin dhe njeriun model Timo Lule.