Nuk ka diskutim që kryendeshja e javës është ajo midis Skënderbeut dhe Kukësit, por përpara se të dyja skuadrat të zbresin në fushën e lojës për duelin direkt, një ditë më parë do të ulen përpara televizorit për të ndjekur sfidën Laçi-Tirana. Një 90-minutësh i rëndësishëm jo vetëm për këto dy ekipe në arritjen e objektivave por edhe për një pjesë të mirë të kampionatit. Kurbinasit pas kualifikimit në 4 më të mirat e Kupës së Shqipërisë tashmë kanë ambicie edhe në kampionat, duke parë që diferenca me vendin e 4-t që mbahet nga Partizani është 6 pikë. Nga një sezon i hedhur tutje, bardhezinjtë shohin dritë në tunel, pasi fundi i fazës së 3 i rezervon një kalendar të lehtë. Dhe sfida ndaj Tiranës është si një finale e vogël për ta, pasi kërkojnë t’i marrin Partizanit vendin e 4-t që me shumë mundësi në fund të sezonit mund të vlejë për një vend në Europë, duke parë se në gjysmëfinalen e Kupës janë tre skuadrat e kreut.
Në krahun tjetër bardheblutë e Tiranës po kalojnë një moment të mirë dhe sfida me Laçin do të ngrejë siparin e dueleve direkte në këtë fazë të tretë. Pikërisht për të përgatitur më së miri këtë periudhë, 24 herë kampionët nuk dëshirojnë hapa fals, edhe pse barazimi në Laç mund të jetë një rezultat pozitiv. Pikërisht për Tiranën janë të interesuar edhe dyshja Skënderbeu-Kukësi, pasi përveçse një ndeshje direkte midis tyre shpresojnë tek një ndalesë e skuadrës që udhëheq kampionatin, në mënyrë që në ndeshjen e së hënës midis tyre me një gur të vrasin dy zogj. Edhe një herë sytë rikthehen nga fusha e Laçit aty ku në sezonet e fundit është vendosur titulli kampion, por kurbinasit përveç se të vendosin kampionin kanë një objektiv për të arritur, pasi përpara kanë një kalendar më të lehtë sesa Partizani që është rivali i tyre në kampionat.
