Tirana e mbytur në farmaci, rrethet pa shërbim

anazapta

Ndryshimet ligjore të bëra gjatë viteve të fundit në shërbimin farmaceutik kanë sjellë jo vetëm në një superprodhim të diplomuarve në këtë specialitet, por edhe një hapje pa kriter të farmacive rreth strukturave spitalore, duke lënë pa shërbim zonat periferike. Heqja e kriterit të distancës prej 150 metrash (ndryshim i bërë në ligjin e 5 viteve më parë), ka bërë që numri i farmacive që gjenden afër njëra-tjetrës të shtohet pambarimisht.

Vëzhgimet tregojnë që vetëm pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, apo spitalit Ushtarak gjenden mbi 30 farmaci. Ndërkohë që në zonat rreth qendrës së kryeqytetit nuk janë të pakta rastet kur në një hapësirë prej 200 apo 300 metrash mund të gjesh mbi 4 farmaci. Përjashtim në këtë rast bëjnë vetëm zonat periferike të cilat edhe pse mund të kenë një numër të madh banorësh, kanë mungesa të theksuara sa i takon këtij shërbimi.

Më shqetësuese situata bëhet në rastet e farmacive që qëndrojnë të hapura përgjatë 24 orëve, të cilat janë të kufizuara në kryeqytet, ndërsa në shumë rrethe pothuajse nuk ekzistojnë fare. Rreth kësaj problematike, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë në kuadër edhe të diskutimeve që po zhvillohen mbi projektligjin e ri të barnave, ka kërkuar që të rishikohet dhe të bëhen përcaktime të qarta sa i takon shpërndarjes së farmacive në varësi të numrit të banorëve.

Kjo në mënyrë që të mbulohen me këtë shërbim të domosdoshëm edhe zonat më të largëta. Vendosja e kritereve të qarta në këtë drejtim do ta nxirrte shërbimin farmaceutik nga ngërçi i trajtimit thjeshtë si biznes fitimprurës.

“ Farmacitë nuk duhet të grupohen vetëm rreth qendrave spitalore, por edhe ai banori që jeton në ekstremin më të largët në Shqipëri e meriton të ketë afër shërbimin e kualifikuar nga mjeku farmacist”, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma. Më tej autoritetet shëndetësore konfirmojnë se vendi ynë llogaritet të jetë i dyti në Evropë sa i takon numrit të lartë të farmacive që janë licencuar për të ofruar këtë shërbim në pak vite.

Zyrtarisht numërohen mbi 1500 farmaci të licencuara në të gjithë vendin, ku 700 prej tyre gjenden vetëm në Tiranë, dhe kryesisht të përqendruara rreth spitaleve e poliklinikave. Një tjetër rishikim që duhet të sanksionohet në ligj sipas këtij urdhri është edhe detyrimi i vendosjes së njerëzve të kualifikuar në drejtimin e farmacisteve. Toma shton se farmacia duhet të drejtohet nga një person i diplomuar në këtë specialitet, në mënyrë që ky shërbim të mos shihet më vetëm si biznes i ngritur për qëllime përfitimi.

Sipas saj nuk janë të pakta rastet në të cilat nga kontrollet e ushtruara në farmaci është konstatuar shitja e barnave nga persona që nuk i përkasin kësaj fushe. Në këtë rast licenca tregtare mund të jetë e vlefshme, por pacienti nuk mund të jetë i sigurte për barnat e blera nga një person që nuk ka njohuritë e duhura rreth kësaj fushe. Sa i takon ndryshimeve që duhet të pësojë ligji janë bërë një sërë propozimesh të reja nga grupet e interesit të cilat i janë dërguar edhe Ministrisë së Shëndetësisë për t’i përfshirë në përmbajtje të draftit të ri ligjor.

 

 

Farmacisti duhet të ruajë recetën nga 2 deri në 5 vjet

Një ndër risitë e përcaktuara në draftin e ri ligjor është edhe detyrimi që do të kenë farmacitë për të ruajtur recetat që do të paraqesin pacientët gjatë blerjes së barnave. Ky detyrim ngarkon farmacistin që të ruajë nga 2 deri në 5 vjet çdo recetë që do të marrin nga pacientët. Kohëzgjatja  e më e madhe e ruajtjes së recetave do të shkojë për ato barnave që kanë veprime të forta, si dhe për ato që cilësohen si narkotike. Projektligji gjithashtu parashikon vendosjen e orareve të ofrimit të shërbimeve nga farmacia, si dhe detyrimin e rotacionit për të ofruar shërbimin roje të natës.

 

Detyrimet e vendosura për ruajtjen e recetave nga farmacisti

  • Ndalohet shitja në farmaci ose agjenci farmaceutike e barnave pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, sipas një liste të miratuar nga Ministri i Shëndetësisë.
  • Me udhëzim të Ministrit të Shëndetësisë përcaktohen personat me kualifikim mjekësor, të cilëve u lejohet të përshkruajnë barna dhe të leshojne recetë, si dhe rregullat e përshkrimit të barnave.
  • Recetat e ekzekutuara ruhen në farmaci si më poshtë:

2 vjet recetat e zakonshme;

3 vjet recetat për barna narkotike e psikotrope;

5 vjet recetat për barna helme me veprim të fortë.

  • Në farmaci shiten edhe pajisje mjekësore sipas përcaktimeve të bëra në ligj dhe artikuj higjieno¬kozmetikë e dietetikë.

 

Orari

Orari i farmacisë dhe i shërbimit farmaceutik gjatë ditëve të pushimit dhe të festave do të caktohet nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Farmaci “Roje nate”

Shërbimi farmaceutik “Roje nate” do të jetë i detyruar. Rregullat dhe rotacioni i tij do të përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë në njësitë e qeverisjes vendore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *