Mbrojtja i dha fitoren Tiranës në sfidën direkte me Kukësin e normalisht dhe parakalimin ndaj verilindorëve në renditje me bardheblutë që fituan 1-0 në “Zeqir Ymeri”. Një gol i Gentian Muçës me bashkëpunimin e Karanit, por dhe një mbrojtje solide, i lejoi Dajës të mbyllte vitin me fitore pikërisht ndaj të njëjtit rival që kishte marrë dhe fitoren e parë në kampionat.
Si një sfidë shumë e ekuilibruar mes dy rivalëve për një objektiv, Europën, ndeshja u luajt shumë e kujdesshme në fillimin e saj, me Tiranën që kishte një dominim të lehtë në startin e saj. Gjithsesi loja e mbyllur vazhdoi në 30 minutat e para, me të vetmin rast që e regjistroi Bakaj në të 16-tën, i cili nga një pozicion i mirë nuk gjeti dot kuadratin nga goditja e dënimit. Në të 30-tën megjithatë Bakaj në vend të goditjes zgjodhi një harkim të zonë, të cilin Karan e ktheu për te kolegu i repartit të tij Gent Muça, që kaloi përpara Tiranën ashtu si në fazën e parë.
Muça nuk festoi për respekt të aventurës europiane me kuksianët. 5 minuta më pas Tirana humbi shërbimet e Bulkut, që ende jo mirë fizikisht u zëvendësua nga Lika. Dizavantazhi zgjoi Kukësin që në të 36-tën provoi të rrezikonte me një goditje me kokë të Xhefersonit, të cilin portieri Bakaj e largoi. Dy minuta më pas, Kukësi pretendoi për 11-metërsh por pamjet treguan se vendimi Pashajit ishte i drejtë.
Pjesa e parë u mbyll me dy goditje të Floresit, një në të 40-tën që shkoi jashtë dhe një në të 45-tën që u prit nga Bakaj. Dhe në pjesën e dytë Kukësi e nisi sërish fort, me Nikën që vuri në vështirësi Edvan Bakajn në të 56-tën. Kukësi vazhdoi të ishte dominues në kontrollin e topit, por pa rrezikuar seriozisht portën e bardhebluve, që treguan se në sulm mund të kenë probleme, por në mbrojtje janë të pakalueshëm.
Në minutën e 80-të Kukësi nuk mundi të përfitojë as dhe nga një rrëmujë në zonë për të ndryshuar shifrat, pasi Tirana spastroi zonën. Në të 86-tën, u desh një tjetër dalje e Bakajt për të larguar tensionin nga zona. Minutat e mbetura kishin sërish shumë volum nga ana e verilindorëve, por që nuk sollën gjithsesi golin e barazimit, me Kukësin që zbriti poshtë Tiranës në renditje.
