Tirana reagon si skuadër e madhe pas humbjes në derbi me Partizanit. Bardheblutë fituan më lehtësi ndaj Skënderbeut në “Qemal Stafa”, ku pavarësisht mungesës së tifozëve u zhvillua një sfidë e nxehtë, ku spikati Selemani Ndikumana. Sulmuesi nga Burundi përveçse shënoi dy gola në portën e kampionëve në fuqi, nervozoi edhe kroatin Radas, i cili u largua me karton të kuq që në pjesën e parë.
Magani kishte lënë në stol kroatin Bushiç, duke aktivizuar Ndikumanën si pykë, lëvizje kjo që rezultoi e goditur. Shkëndijën e parë në këtë sfidë e dha Dorian Kërçiku në minutën e 5 me një goditje standarde por topi vetëm se përshëndeti traversën. Gjithsesi, 3 minuta më pas Ndikumana përfiton nga pasiguria e korçarëve në mesfushë dhe pasi avancon me forcë përballë Shehit prirët me portën e dërgon topin në rrjetë. Skënderbeu kundërpërgjigjet me Olaynkan, pak çaste me vonë, por goditje e tij përfundoi mbi tra.
Me kalimin e minutave kampionët në fuqi e rritin ndjeshëm presionin, por janë të pafat në minutën e 37, teksa goditja e Lilajt pas asistit të Olainkas, devijohet më vështirësi nga Frashëri. Pjesa e parë mbyllet më një episod të pakëndshëm, që e detyron gjyqtarin Jorgji të nxjerrë kartonin e kuq për Marko Radas, të cilin nuk e mbajtën nervat ndaj Ndikumanës.
Sfida merr rrjedhë të pakthyeshme në minutën e 50, me protagonist autorin e zhbllokimit të rezultatit, Selemani Ndikumana, i cili edhe pse rrëzohet në zonë gjen forca për t’i ngritur duke e mposhtur për herë të dytë Shehin. Sulmuesi nga Burundi detyrohet të dalë i dëmtuar nga fusha 10 minuta pas shënimit të golit të dytë, i zëvendësuar nga Kagare. Skënderbeu rrezikon me Berishën në të 60, ndërsa 4 minuta më pas Kagere pasi bën gjithçka mirë nga e djathta pason për Bakajn, devijimi i të cilit kthehet nga shtylla. Në vijim të aksionin tenton edhe Hyshmeri, por topi devijohet nga një mbrojtës thuajse në vijën fatale. Në minutat e mbetura Tirana merr kontrollin e lojës, duke e mbajtur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij, për të marrë një sukses të merituar që e ngjiti në të njëjtën kuotë pikë me Kukësin, ndërsa formacioni i Mirel Josës rrëshqet në vendin e katërt.
