Tirana e Ilir Dajës e nis me fitore pjesën e dytë të sezonit, por suksesi 1-3 në Pukë me Tërbunin nuk mund të jetë njësi matëse për forcën e bardhebluve në dy fazat e mbetura të kampionatit, pasi kundërshtari ishte i një niveli të dobët për të qenë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
Sulmuesi brazilian Hugo Almeida dhuroi një paraqitje larg pritshmërive që kanë për këtë sulmues në kampin bardheblu, ku pikë referimi në repartin e avancuar mbetet Elis Bakaj.
Sfida e “Ismail Xhemalit” nisi me dominimin e kryeqytetasve, që rastin e parë të pastër e krijuan në minutën e 6-të me Hugo Almeidën, që nuk mundi të finalizonte pasimin e saktë të Muzakës.
Gjithsesi katër minuta më pas u shfaq me instinktin e golit Elis Bakaj, që këtë radhë i parapriu ndërhyrjes së mbrojtësve vendas, për të shndërruar në golin një top të mbetur në zonë pas ngulmimit të Muzakës.
Diferencat në fushë ishin të dukshme, aq sa pukjanët u mbyllën në gjysmëfushën e tyre për të shmangur goleadën. Problemet më të mëdha për formacionin e Vladimir Gjonit vinin nga krahu e majtë i mbrojtjes, ku Muzaka i mbështetur nga Smajli e kishte të lehtë për të depërtuar deri në thellësi.
Në minutën e 24-t Tirana humbi një mundësi të artë për t’i çuar shifrat në 2-0, pasi finalizimi i Bakajt, u devijua nga Kuka. Në minutat e mbetura të pjesës së parë, përtej dominimit të bardhebluve nuk pati ndryshim tjetër rezultati.
Në fillim të pjesës së parë Tërbuni dha sinjalin e parë në portën e Bakajt, por gjuajtja e Karapicit ishte e thjeshtë për t’u kontrolluar nga portieri bardheblu. Muzaka në të 51-ën vuri sërish provë Kukën. Në minutën e 59 një gabim në rreshtim i Tiranës i jep mundësinë Erald Markut të realizojë golin e barazimit, që e nxehu edhe më shumë sfidën.
Kundërpërgjigjja e Tiranës erdhi në të 75’ me Gjergji Muzakën, që pas një kombinimi perfekt me Malajn mposhti Kukën me një diagonale të saktë. Goli i nokautit u shënua nga Gentian Muça në të 82-ën, pas tentativave të Slajmit dhe Karan që u ndalën nga Kuka dhe traversa. Bardheblutë kështu përsërisin suksesin e fazës së parë, ku s♪7rish u kthyen me fitore nga transferta e Pukës.
