Në mes të zhurmës, rrëmujës, ngjyrave dhe gjallërisë së Tiranës gjenden të “fshehura” dhe të ruajtura me fanatizëm gjurmë nga historia. Një përplasje mes të vjetrës dhe të resë. Një mozaik që i mundëson të huajve dhe vendasve të vizitojnë e mësojnë më tepër nga periudha e regjimit komunist. Kur flasim për periudhën historike të viteve 1944-1990 çdo shqiptar e di se përse bëhet fjalë.
Për të gjithë e apasionuarit e historisë dhe kuriozët fanatikë lidhur me çfarë nga mbetur nga ajo periudhë, po listojmë pikat e ndryshme brenda Tiranës ku regjimi komunist mbetet kryefjalë edhe sot.
Blloku
Sot Blloku është pika më e zhurmshme dhe më e gjallë në Tiranë. Dikur një zonë e ndaluar për njerëz të caktuar dhe e lejuar vetëm për elitën komuniste që të hynte. Vendi më i vizituar nga periudha komuniste brenda zonës së Bllokut është shtëpia e Enver Hoxhës. Vila është e mbyllur për publikun por mëse e dukshme nga kalimtarët që kalojnë pranë saj.
Shtëpia e gjetheve
Shtëpia e Gjetheve është muzeu më i ri i hapur në Shqipëri, dhe ndoshta me intriguesi. Konsiderohet njësoj si selia e STASIT në Gjermaninë Lindore. Gjethet kanë kuptimin e gjërave të fshehura që publiku nuk i dinte në atë regjim. Gjithë kuriozët që duan të dinë se çfarë fshihet në qendrën famëkeqe të sigurimit të shtetit, e njohur ndryshe si Shtepia e Spiuneve, do të largohen pa fjalë. Shtëpia e gjetheve u ndërtua në 1931 dhe fillimisht funksiononte si klinikë. Gjatë luftës së dytë botërore ajo u përdor nga Sigurimi i Shtetit për hetime.
Memoriali “PostBllok”
Ky memorial përkujton viktimat e regjimit komunist në Shqipëri. Memoriali përmban një pjesë të murit të Berlinit, një bunker në formë kërpudhe dhe disa shtylla nga kampi famëkeq i Spaçit. Pjesa e murit prej 2.6 ton e mbuluar me grafite është dhuratë nga qyteti i Berlinit. Ndërsa bunkeri ka qenë aty për të ruajtur hyrjen kryesore të bllokut rezidencial të ndarë nga pjesa tjetër e qytetit, ku në vitet 1945-1991 jetuan Enver Hoxha dhe zyrtarët e tjerë më të lartë komunistë.
Muzeu Historik Kombëtar
Brenda Muzeut më të madh në Shqipëri, gjendet një pavijon kushtuar regjimit komunist dhe krimeve të kryera gjatë këtij regjimi. Pavijoni i Terrorit Komunist gjendet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Në pavijon paraqiten dokumente, fotografi dhe objekte historike të vendosura në linjën tematiko-kronologjike për periudhën 1944-1990. Në vitrinën e parë vizitorët njihen me dokumente origjinale si, vendime ekzekutimesh, lista të të dënuarve me vdekje, të burgosur politikë, komunikata të Gjykatës së Lartë Ushtarake e të tjera.
Muzeumet Bunk’Art
Projekti “BUNK’ART” ka filluar në nëntor të vitit 2014, me hapjen për publikun të BUNK’ART 1, disa hapa larg sheshit Skënderbej është ekspozita video muzeale e ngritur brenda bunkerit të Enver Hoxhës dhe BUNK’ART 2. Ndërkohë që BUNK’ART 1 i dedikohet historisë së ushtrisë shqiptare komuniste dhe jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të regjimit, BUNK’ART 2 rindërton historinë e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri nga viti 1912 në vitin 1991 dhe zbulon sekretet e Sigurimit, policia politike që ishte armë e ashpër persekutimi e përdorur nga regjimi i Enver Hoxhës.
Piramida
Ky destinacion u projektua nga një grup arkitektësh më në zë të kohës për të qënë mauzoleumi i Enver Hoxhës. E gjithë struktura u ngrit brenda tre vitesh pavarësisht volumit të madh të punimeve. Deri në vitin 1991 shërbeu si muze i trashëgimisë së Hoxhës, ndërsa pas vitit 1991 u kthye në qendër kulturore. Ajo nuk ka formën e një piramide të mirëfilltë dhe nëse e sheh nga lart ka formën e shqiponjës dykrenare. Vitet e fundit godina pret rikonstruksionimin e saj, i cili do të gjallojë funksionet e saj arkitektonike në shërbim publik.
Pallatet Parafabrikate
Ajo çfarë ndesh rëndom ndërsa përshkon rrugët e kryeqytetit janë Pallatet Parafabrikate, simbole të një arkitekture që reflekton qartësisht tiparet e periudhës komuniste. Pallate të tilla të ndërtuara si kopje të njëra-tjetrës janë kopja e ndërtimeve të ngjashme të Evropës Lindore. Në hapësirën e sotme urbane Pallatet Parafabrikate,të shpërndara kryesisht jashtë unazës së vogël të qytetit, mbeten ansamble domethënese e ndikimit komunist mbi arkitekturë.
j.l./ dita