Tirana-Kukësi e kësaj fundjave nuk do të jetë thjesht një përballje e zakonshme kampionati, por një finale e drejtpërdrejtë për një vend në Europë sezonin e ardhshëm, që diktohet direkt nga klasifikimi i dy skuadrave. Bardheblutë në krizë rezultatesh prej javësh dhe pa tifozerinë e tyre në krah e luajnë në momentin më të papërshtatshëm këtë takim megjithatë të gjithë janë të ndërgjegjshëm se rruga e tyre për në Europë kalon nga kjo sfidë.
Në kryeqytet statistikat ndaj verilindorëve i favorizojnë, pasi kanë fituar 3 takimet e fundit, një prej të cilëve këtë sezon më 1 nëntor, ndërsa dhe në fazën e dytë ekipi i Dajës, triumfoi 1-0 në transfertë në “Zeqir Ymeri”.
Kukësi që para pak javësh rrëshqiti poshtë në renditje, vjen pas 3 fitoreve radhazi dhe me një +4 epërsi ndaj Tiranës. Jo vetëm forma, por dhe morali është më i mirë te të besuarit e Duros, që e dinë mirë se në rast të një fitoreje në “Selman Stërmasi” do të hiqnin qafe një rival të drejtpërdrejtë. Megjithatë shpeshherë përvoja ka treguar se forma e dobët, në rastin e klubeve të mëdha mund të jetë një shtysë më shumë për kthesën dhe Tirana këtë e di mirë, vetëm se këtë herë për të rifituar pikët, por dhe tifozerinë, bardheblutë kanë nevojë për një ndeshje karakteri, shumë të ndryshme nga ato që kemi parë nga ky ekip në javët e fundit.
