Tirona “mbytet” edhe në Korçë, humbet 1-0

redaktor

Tironës nuk i mjaftoi dëshira dhe grinta për të marrë qoftë një pikë në transfertë me Skënderbeun. Edhe pse dhanë gjithçka në fushën e blertë, 24 herë kampionët e Shqipërisë vuajnë shumë në cilësi, sidomos në fazën sulmuese. Kryeqytetasit u ndëshkuan nga një-ish futbollist i tyre, Sabien Liljan, në momentin më të mirë të formacionit të G.Maganit.

Sfida e Korcës nis me ritëm të lartë, falë edhe ngulimit të Tironës për të marrë rezultat pozitiv për shkak të situatës së vështirë në tabelën e renditjes. Pak minuta pas startit rreziku i parë vjen në portën e Cakës, por goditja e lirë e ekzekutuar nga Radas përfundon jashtë. Kundërpërgjigjet Karabeci në minutën e 12 po me goditje standarde, por Orges Shehi nuk surprizohet. Futbollistët bardheblu kundërsulmojnë rrezikshëm në minutën e 18, por finalizimi i Limanit nga distanca lë për të dëshiruar. Në fund të pjesën e parë Skënderbeu është më i qartë në lojën e tij, por tentativat e Pejic, Lilajt dhe Shkëmbit nuk gjejnë kuadratin.

Vetëm disa sekonda pas fillimit të pjesës së dytë Pero Pejic humbet një rast të pastër përballë Cakës, devijimi i kroatit përfundon në fundore. Rastin më të pastër Tirona e humbet në minutën e 58 me Mirel Cotën vetëm pak metra larg portës, pasi goditja e sulmuesit përfundon mbi tra. Në seksionin e radhës, Skënderbeu shënon nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë me Sabien me Lilajn, i cili nuk e ka aspak të vështirë të devijojë topin në portë pranë vijës fatale.

Në të 62 Skënderbeu rrezikon sërish portën e Cakës me Pero Pejic, goditja e të cilit fluturimthi përplaset në trupin e një mbrojtësi.
Në të 71 një aksion model i Tironës nuk finalizohet me gol nga Kërciku, ndërsa 10 minuta nga përfundimi i sfidës, sulmuesi kroat sfumon një tjetër rast të volitshëm pas asistit të Morinës. Dy tentativat nga distanca të Karabecit, ishin të pamjaftueshme për të ndryshuar fatin e këtij takimi, që u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës së Mirel Josës. Fatkeqësisht kjo sfidë nuk u mbyll në mënyrën e duhur në shkallët e Tribunës, teksa u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të neutralizuar veprimet aspak të pranueshme të tifozëve kryeqytetas, që shkulën madje edhe ndenjëset në impiantin e Korcës. Më këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 30 pikëve ndërsa Tirona mbyll tabelën me vetëm 11 pikë.

Ndërkohë sfida e Ballshit mes Bylisit dhe Lacit u mbyll 1-0 në favortë vendasve falë golit të Izucukut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *