Tirana fiton ndeshjen e tretë ndaj Studentit dhe merr kryesimin 2-1 në finalet e volejbollit të meshkujve. Në “Asllan Rusi”, djemtë e trajnerit Arben Sako e dominuan në çdo kuptim Studentin duke fituar 3-1 me sete, me Tiranën që tashmë e sheh veten vetëm 1 sukses larg fitimit të titullit kampion. Bardheblutë ishin më mirë se skuadra e Ylli Tomorrit në të gjitha aspektet dhe falë Klodian Ferhatit që zhvilloi një ndeshje fantastike ja dolën ta fitonin takimin e tretë final.
Sfida nisi e baraspeshuar, madje 12 pikët e para të takimit u ndanë në mënyrë të barabartë nga 6 për secilën skuadër. Loja vazhdoi në ekuilibër dhe barazimi i radhës u shënua në shifrat 10-10. Gjithsesi që nga ky moment nisi edhe kthesa e madhe e Studentit që arriti të shkëputej duke fituar setin e parë me rezultatin 25-21.
Edhe seti i dytë nisi më mirë për djemtë e Ylli Tomorrit. Studenti arriti të kryesonte deri në 10-8, por reagimi i Tiranës nuk mungoi dhe skuadra e Arben Sakos përmbysi gjithçka duke i çuar shifrat në 15-12 në favor të saj. Diçka e tillë e detyroi trajnerit e Studentit Ylli Tomorri të merrte pushim për t’u dhënë një tjetër shtysë djemve të tij, por asgjë nuk ndryshoi, madje Tirana e zgjeroi edhe më shumë avantazhin. Falë formës së shkëlqyer të Ferhatit bardheblutë e fituan setin 25-21 duke barazuar rezultatin në 1-1.
Që nga ky moment sfida e “Asllan Rusit” nuk pati më histori pasi Tirana ishte një shkallë më lart se kundërshtari. Skuadra e Arben Sakos nuk derdhi shumë djersë në setin e tretë të cilin e fitoi 25-14. Seti final dhe ai që vulosi fatin e këtij takimi ishte disi më i luftuar por kur tabela elektronike shënonte shifrat 16-16 Tirana diti të bënte diferencën duke u shkëputur për ta fituar setin me rezultatin 25-19. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Tiranën që e afron së tepërmi me titullin kampion, tashmë bardheblutë do të kenë mundësi të fitojnë takimin e 4-t final përpara publikut të tyre në “Fahrije Hoti”, duke u kurorëzuar kampion të Shqipërisë në volejboll për meshkuj.
