Tirana, më shumë “krye” sesa “qytet”

anazapta

Shumë zhvillime të sotme në Shqipëri varen nga fërkimet ekzistenciale midis fshatit dhe qytetit. Megjithatë, nuk mund të shpërfillet ndikimi i kulturës së sotme qytetare në Shqipëri nga fakti që Tirana u caktua kryeqytet i vendit, si të thuash, me dekret; jo sepse e meritonte ndonjëfarësoj. Në thelb, zgjedhja e Tiranës kryeqytet do mbajtur për akt artificial, të frymëzuar kryesisht nga preokupime gjeopolitike.

Ndryshe nga Shkodra, Durrësi, Korça, Berati, Elbasani, Vlora e madje edhe Gjirokastra, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë mezi mund të quhej qytet, kur ia dhanë votat në Kongresin e Lushnjes. Banorët e Tiranës së atëhershme nuk e përballonin dot barrën dhe nderin e të qenit kryeqytetas; dhe qyteti vetë nuk kishte asnjë institucion kulturor për të qenë.

Mundet që ky anonimitet, ose varfëri e atributeve të mjaftueshme për t’u quajtur kryeqytetas, të jenë trashëguar e vazhduar disi në kulturën qytetare shqiptare të mëvonshme. A nuk ka gjetur vallë shprehje kjo kontradiktë më pas, në tensionin midis Tiranës qytet dhe Tiranës kryeqytet? Sa janë ndier tamam kryeqytetas banorët “autoktonë” të Tiranës?

Është e vërtetë se 80-90 vjet nuk janë pak për të shkrirë traditën qytetëse me traditën kryeqytetëse; por është njëlloj e vërtetë se institucionet shtetërore e kulturore në Tiranë nuk janë lidhur dot asnjëherë organikisht me Tiranën qytet, si entitet i shtrirë në histori dhe kulturë. Me fjalë të tjera, si kryeqytet Tirana ndoshta ka mbetur e padrejtpeshuar, më shumë “krye” sesa “qytet”.

 

Email nga adresa: [email protected]

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *