Tirana mbetet ende në kërkim të një trajneri. Disfata e sikletshme me Kukësin dhe largimi i Maganit kanë trazuar akoma më tepër ambientin bardheblu që po përjeton një fund të hidhur të sezonit. Tirana nuk është më zonjë e fatit të saj dhe për të arritur Europën i duhet të kryqëzojë gishtat që Kukësi të fitojë trofeun e parë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Drejtuesit e skuadrës ndërkohë duhet të gjejnë zgjidhje për një teknik të përkohshëm, i cili do të drejtojë skuadrën në javën e fundit të kampionatit.
Bilancet do të bëhen në fund të sezonit. Është ky mesazhi i presidentit Refik Halili që preferoi të mos komentojë në këto momente situatën e vështirë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të bëjë edhe analizën e sezonit bardheblu. Përsa i përket emrit të trajnerit për sezonin e ardhshëm drejtuesit e klubit nuk duan të nxitohen pasi në takimin e fundit me Teutën që e ka siguruar mbijetesën koha tashmë nuk shtrëngon duke i dhënë 24 herë kampionëve mundësinë për një zgjedhje të mirëmenduar, madje presidenti Refik Halili bëri të ditur se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë Emanuel Egbo tekniku i përkohshëm që do të drejtojë skuadrën deri në fund të kampionatit. Me skuadrën pushim për ditën e hënë, në kampin bardheblu për të gjithë drejtues e lojtarë është një moment reflektimi.
