Skuadra e Tiranës ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Pas eliminimit në turin e parë të Ligës së Europës nga izraelitët e Makabit të Tel-Avivit, tani vëmendja do të jetë e gjitha te kampionati i Kategorisë së Parë ku bardheblutë e Ze Marias do të militojnë në këtë sezon.
Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm 22 futbollistë ku spikasin emrat e Karabecit, Dokës, Hoxhallarit, Dajës dhe Ilion Likës, ndërsa u vu re mungesa e Merveil dhe Akua.
Në një prononcim për mediat, trajneri brazilian tregon se Tirana ka arritur akordin me 2 mesfushorë dhe një sulmues. Ze Maria gjithashtu është shprehur i kënaqur me punën e bërë nga drejtuesit në lidhje me merkaton.
Rrugëtimi dhe objektivat
“Sot fillojmë një rrugëtim të gjatë për të arritur objektivin tonë, që siç e diskutuam edhe me presidentin dhe futbollistët brenda dhomave të zhveshjes është më se i qartë dhe djemtë e dinë këtë, të fitojmë grupin B të Kategorisë së Parë për ta rikthyer Tiranën aty ku i takon. Do të ketë disa fytyra të reja pasi brenda kësaj jave do t’i bashkohen skuadrës 3-4 futbollistë të tjerë që do të kompletojnë grupin.”
E ardhmja e Merveil dhe Akua
“Është e vërtetë në stërvitje mungojnë Merveil dhe Akua, pasi ata po vendosin së bashku me klubin të ardhmen e tyre, por mungojnë edhe disa lojtarë të tjerë që janë blerë nga Tirana dhe ata janë 2 mesfushorë dhe një sulmues.”
Ndërtimi i skuadrës
“Deri tani jam i kënaqur me punën që kanë bërë drejtuesit e klubit, më kanë vënë në dispozicion futbollistët që u kam kërkuar, lojtarë të zotë. Ne duhet të mendojmë si për këtë sezon ashtu edhe për sezonin pasardhës që të ndërtojmë një skuadër të fortë për të përballuar me sukses edhe Kategorinë Superiore vitin tjetër.”
Rinovimet dhe e ardhmja e Dokës
“Po Karabeci ka rinovuar, Lika gjithashtu. Janë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, për këtë skuadër pasi eksperienca e tyre mund të risë lojtarët më të ri në moshë. Doka është një futbollist i yni dua ta mbaj në skuadër sepse një lojtar me cilësi të mëdha dhe me një të ardhme të madhe përpara. Siç e dini Doka është një futbollist që luan në të njëjtin rol ku kam luajtur unë dhe mendoj se mund ta ndihmoj shumë të rritet dhe klubi e di këtë”./panoramasport/
