Ishte minuta e 24-t e ndeshjes, Tërbuni-Tirana, kur Enco Malindi shënoi golin e parë në Superiore të Tërbunit në historinë e tij, i cili megjithatë nuk i shërbeu pukjanëve për të marrë një pikë në ndeshjen e tyre të parë, pasi bardheblutë përmbysën rezultatin duke fituar 2-1.
Japonezi Masato Fukui ishte heroi i Tiranës, me një asist dhe një gol duke bërë një debutim ëndrrash në Superiore, si për të konfirmuar se zgjedhja e tij ishte ajo e duhura nga drejtuesit e klubit. Një trepikësh në transfertë me shumë peshë për bardheblutë, që konfirmon që në javën e parë ambicien e tyre për t’u rikthyer kampion.
Në qytetin verior kishte festë për debutimin në kategorinë e më të mirëve, me impiantin “Ismail Xhemali” që kishte përfunduar në kohë rekord për të pritur sfidën e parë të sezonit. Topin e parë nga qendra e luajti një prej emrave të njohur të këtij klubi, Osman Meçi, që arriti të realizojë ëndrrën e tij për të shkelmuar një top në Superiore për skuadrën e zemrës.
Nën një atmosferë mjaft të ngrohtë, vendasit u përpoqën menjëherë të ndiznin sfidën me një roveshatë të Malindit, por që përfundoi jashtë portës. Tirana u përgjigj dy minuta më pas me Fukui, që ishte më i miri në fushë për të tijtë, por japonezi u zu në pozicion jashtë loje.
Momenti që tifozët pukjanë kishin pritur erdhi në minutën e 24-t, kur pas një harkimi nga këndi, Malindi goditi me kokë duke dërguar topin në shtyllën e parë, me Karabecin që nuk arriti të largojë. Për Tërbunin një gol historik i pari në Superiore.
Tirana mori kontrollin e lojës, por megjithatë goditja e parë drejt portës erdhi vetëm në të 33-n me Gilman Likën, që e dërgoi topin mbi kuadrat. Lika nuk gaboi më në të 40-n, kur Fukui këmbënguli deri në fund në krah duke pasur në qendër për shkodranin që barazoi për bardheblutë.
Pjesa e parë u mbyll 1-1 ndërsa në fillimin e së dytës, Tirana rriti presionin. Fukui ishte sërish qendra e çdo aksioni të bardhebluve dhe në minutën e 60-të, provoi të godiste me kokë por përpjekja e tij ishte shumë qendrorë. Në të 71-ën, Gilberto hyri mirë nga e djathta dhe goditi menjëherë. Portieri grushton, por Masato Fukui nga dy hapa shtyu topin në rrjetë me gjoks.
Tërbuni pavarësisht se kishte përballë 24 herë kampionët e Shqipërisë nuk u dorëzua dhe u përpoq të arrinte te barazimi, por përvoja e bardhebluve bëri të sajën, me ekipin e Muçës që mori 3 pikët që në javën. Vlerësim maksimal dhe për Tërbunin, që nuk u dorëzua për asnjë moment duke treguar jo vetëm fair-play, por dhe dashuri për futbollin, ashtu si tifozët e saj, që kishin mbushur dhe zonën përreth stadiumit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.
