Një nga njësitë ku Partia Demokratike është “shkatërruar” keq në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit është njësia 4 në kryeqytet, e cila përmbledh zonën e Bregun e Lumit, Kinostudion, Alliasin, dhe zonën pranë shkollës Bajram Curri. Në këtë Njësi demokratët kanë shënuar një rekordet negative në këto zgjedhje, duke humbur afro 8 për qind të votave krahasuar me zgjedhjet e shkuara dhe duke e çuar diferencën me socialistët në 24 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e së dielës së shkuar PS ka arritur të marrë 52 për qind të votave ndërkohë që PD vetëm 28 për qind. Ndërkohë që katër vite më parë PS arriti të marrë vetëm 46 për qind të votave dhe PD 36 për qind. Pra siç shihet në vetëm 4 vite diferenca mes PS dhe PD është rritur nga 10 për qind në 2013 në 24 për qind në 2017.
Gjatë fushatës elektorale kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje disa herë PD-së që të mos ofendonte banorët e Njësisë Administrative Nr.4 në Tiranë duke i sjellë si kandidat për deputetë “terminatorin” që me kobure në brez kërkoi të prishë lodrat e fëmijëve. Madje ai deklaroi se Strazimirin do ta refuzonin edhe vet prindërit demokrat. Dhe rezultati i zgjedhjeve duket se i ka dhënë të drejtë.




