Tiranë, atentat me tritol të dënuarit për vrasje

redaktor

Tronditet kryeqyteti. Një automjet ka shpërthyer në ecje e sipër ndërsa në të gjendeshin katër persona, mes tyre edhe një fëmijë. Akti i rëndë ndodh në mes të ditës dhe në mes të Tiranës, ndërsa ekspertëve të policisë nuk iu është dashur shumë punë të konkludojnë se kanë të bëjnë me një shpërthim të telekomanduar. I plagosur rëndë nga shpërthimi ka mbetur drejtuesi i mjetit, i cili më pas u identifikua si Petrit Marku, me origjinë nga Mirdita dhe banues prej vitesh në Tiranë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për ngjarjen ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe personat që gjendeshin në automjet. Referuar të dhënave të para bëhet me dije se i dëmtuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se e ka të pamundur të dëshmojë në lidhje me itinerarin që ka kryer ditën e djeshme për të mësuar se në çfarë vendi mund të jetë vendosur lënda plasëse. Policia pasi ka mësuar emrin e shënjestrës së atentatit, ka kërkuar ndihmën e prokurorisë për të mësuar hollësi mbi të shkuarën e tij, për pasojë është mësuar së Petrit Marku rezultonte i dënuar me 25 vite burg për një vrasje të 14 viteve më parë. Hetimet janë përqendruar pikërisht në pistën e hakmarrjes.

Atentati 

Ka qenë ora rreth 18.30 minuta kur një Benz, sapo ka kaluar rreth rrotullimin e Doganës, në afërsi të Laprakës është hedhur në erë. Mjeti ka lëvizur disa metra në flakë ndërsa kanë mundur të dalin që të katër personat nga mjeti. Drejtuesi është nxjerrë nga kalimtarët e rastit, ndërsa ka marrë plagë të rënda dhe serioze në të dy këmbët. Për fat tre personat e tjerë që janë gjendur në makinë kanë pësuar plagë, por sipas të dhënave të para të policisë, të cilat i referohen konsultës mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën. Përveç Markut në mjet mësohet se gjendeshin edhe motra e tij, nipi, vetëm 9 vjeç dhe një mikja e Petrit Markut, me shtetësi holandeze. Pasi është bërë e mundur dërgimi i të plagosurve në spital dhe ekspertët kanë nisur punën për verifikimin e lëndës në vendin e ngjarjes, krerë të Krimeve të Rënda, të policisë së Tiranës kanë rihapur dosjen e të dëmtuarit i cili rezulton të jetë edhe personi që është tentuar të eliminohet. Fillimisht grupi i hetimit ka intensifikuar punë për të mësuar se ku ka lëvizur mjeti përgjatë ditës së djeshme. Të dhënat para tregojnë se familja ka qenë duke u kthyer nga Durrësi. Kështu hetimet janë përqendruar pikërisht në këtë qytet, ndërsa policia bën të ditur se nuk mund të japë detaje në lidhje me vendndodhjen dhe vendqëndrimin e mjetit në Durrës, pasi është një ndër pikat kyçe ku do të përqendrohet hetimi.

Dyshimi; atentat për hakmarrje

Grupi i posaçëm hetimor është kthyer në vitin 1999, pikërisht në kohën kur shënjestra e atentatit të djeshëm ka kryer një vrasje. Viktimë e atij akti mësohet se ka qenë Manil Lika, me origjinë po nga Mirdita, ndërsa nga të dhënat e pakta që vijnë nga ajo kohë bëhet me dije se shkak i asaj ngjarjeje të rëndë, në të vërtet ka qenë një grindje krejtësisht banale. Vrasja ka ndodhur në rrugën “Mine Peza”, në një prej bareve më në zë të asaj kohe, ndërsa Petrit Marku pasi është përplasur me fjalë me viktimën e tij, ka qëlluar mbi të duke i marrë edhe jetën. Prej asaj kohe Marku ka lëvizur jashtë vendi dhe me vendim të Gjykatës së Tiranës ai shpallet në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë dënohet me 25 vite burg. Arrestohet në Gent të Belgjikës, vend në të cilin ishte i fshehur me identitet kosovar, ekstradohet dhe më pas vuan dënimin në burgun e Shën Kollit. Sipas të dhënave të policisë, Marku ka përfunduar dënimin dhe sapo është liruar nga burgu, rreth dy vite më parë është larguar jashtë vendi. Policia saktëson se ai është kthyer në Shqipëri para disa ditësh, ndërsa ende nuk bëhet me dije se në çfarë vendi ka qëndruar së fundmi mirditori. 44 vjeçari është baba i tre fëmijëve dhe sipas të dhënave ai nuk rezulton i përfshirë në asnjë lloj problemi tjetër përveç ngjarjes së ndodhur në vitin 1999. Policia saktëson se po hetohet edhe në pista të tjera, por kryesorja lidhet pikërisht me dyshimet për një hakmarrje të mundshme, për vrasjen e Likës.  

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *