Në më pak se 24 orë, dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë janë plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore në Tiranë. Ngjarja e parë pati një të vdekur dhe një të plagosur, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë fshatit Marikaj, paraditen e djeshme. Një maune ka përplasur nga pas një automjet tip “Benz” dhe për pasojë mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit Fatos Hoxha, i cili humbi jetën pas mbërritjes në spital, ndërsa vijon të jetë në gjendje të rëndë pasagjeri që udhëtonte në veturë. Ndërkaq një tjetër aksident është regjistruar më herët në kilometrin e 12-të të autostradës Tiranë-Durrës, ku një automjet përplasi dy kalimtarë, duke i plagosur rëndë. Pas përplasjes, vetë drejtuesi i automjetit “Benz”, me targë DR7253C, i ka dërguar të plagosurit në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Por bilanci i aksidenteve rëndohet, pasi sipas policisë, 10-vjeçarja Gesilda Zaimi, e cila mbeti e plagosur mbrëmjen e së dielës, bashkë me të atin Spartak Zaimi, pas përplasjes nga një automjet “Benz”, me targa AA958CX. në Laprakë, ka humbur jetën, duke e çuar kështu bilancin në 2 të vdekur dhe 4 të plagosur. Policia arrestoi drejtuesin Erjon Hani, 23 vjeç, nga Tirana.
