Të mbërritur nga Kosova, familja Gjikolli është vetëm një nga të shumtat e ditës së pavarësisë. Ashtu si edhe shumë familje të tjera nga diaspora, ata zgjodhën Tiranën të festojnë.
Pranvera Kola
Ndonëse festa kish nisur prej orësh edhe në Prishtinë, mëngjesi i 28 nëntorit e ka gjetur familjen Gjikolli në rrugëtimin e madh të përjetimit të emocioneve të forta të 100-vjetorit të pavarësisë. Duke shijuar atmosferën e hareshme, lëvizjet pa fund të qytetarëve që kishin zbarkuar në qendrën e Tiranës, si dhe duke vështruar përzemërsisht flamurin gjigant që shtrihej në fasadën e Hotel Tiranës, njëra prej pjesëtareve të kësaj familjeje, Anduenam rikthen në kujtesë fjalët e heroit Isa Boletini për respektin e përkuljen që duhet të gëzojë flamuri shqiptar.
“Jo vetëm të Shqipërisë, more bir, por flamurin e të gjithë shqiptarëve kudo e nën këdo që të ndodhen. Ai është flamuri i të gjithë atyre që flasin shqip e kanë në dej gjak shqiptari… Dhe këtë do ta ruajnë e do ta mbajnë gjithmonë kudo që të ndodhen…. “.
E ndërsa kjo familje vijon rrugëtimin pak të vështirë e të mundimshëm në shesh, njerëzit derdheshin lum.
“Jam Gent Gjikolli e vij nga Prishtina. Studioj marrëdhënie ndërkombëtare në ciklin e studimeve master. Me identitet jam shqiptar, kombësia shqiptare, e kam ardhur që 28 nëntorin, festën gjithëshqiptare ta festoj këtu në Tiranë. Jemi nisur herët për të mbërritur në orët e para të mëngjesit, pasi kemi dashur të rrëmbejmë çdo emocion të këtij 100-vjeçari që na mbush me gëzim”. Ky është prezantimi që Genti na bën duke vijuar njëkohësisht edhe lëvizjen nëpër shesh.
Keni bërë rrugë të gjatë për të qenë në momentet më të rëndësishme të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Pse zgjodhët Tiranën për të festuar?
Parashikimi ynë ishte që çdo gjë do ishte e bukur. Gjithashtu edhe në Prishtinë atmosfera ishte e mirë dhe e gëzueshme. Por, duke e llogaritur Shqipërinë si më festive, preferuam të vijmë këtu dhe të përjetojmë nga afër harenë e 28 Nëntorit së bashku me familjen, përjetime të cilat deri tani na kanë shpalosur një Tiranë vërtet të bukur. E gjitha është e bukur. Ka shumë njerëz gjithkund nga kanë mundur të vijnë. Është vërtet bukur të shohësh kaq shumë shqiptarë së bashku..
Ka kaluar mesdita tashmë e festimet kanë kohë që kanë nisur, a i përmbushën pritshmëritë tuaja ?
Sa për pritshmëritë, nuk di ç’të them. Personalisht nuk kisha pritshmëri shumë të madhe, por çdo gjë deri më tani duket në rregull. Kishte mujt me qenë edhe pak më mirë, ndonëse deri më tani gjithçka po shkon mirë. E them pak më mirë në sensin e organizimit. Megjithatë, e dimë që është e vështirë të menaxhosh një fluks kaq të madh vizitorësh që kanë prekur Tiranën në këtë ditë historike, çka e vështirëson paksa menaxhimin e tyre. Por pavarësisht kësaj, në përgjithësi çdo gjë po shkon mirë.
Emocionalisht si ndihesh, çfarë po sjell në përjetimin tënd shpirtëror kjo ditë dhe organizimet që po zhvillohen?
Jam vërtet shumë i emocionuar, sepse është një përjetim i rrallë, aq më tepër nëse bëhet fjalë për 100-vjetor që përkon në një ditë historike e me rëndësi të madhe për të gjithë ne. Ne mund të jemi kosovarë, por identiteti jonë nuk mund të anashkalohet, jemi të gjithë shqiptarë (edhe pse mund të kemi festat tona zyrtare). Ky 28 nëntor mbart vlera të mëdha e kjo nuk është një përjetim vetëm i ynë si popull kosovar, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës.
Detaji që ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë ditë festive, si dhe mesazhi që doni të përcillni për të gjithë bashkëkombësit?
Është vërtete diçka nostalgjike, se ne shqiptarët e Kosovës përgjatë regjimit socialist dhe përgjatë represionit serb nuk ishim të lirë, nuk kishim liri të përdornim flamurin tonë, simbolet tona kombëtare. Ndaj gjëja që më pëlqeu më së shumti është se ngado hidhja shikimin ishin ngjyra kuq e zi, dhe shqiponja që flasin për një identitet të lashtë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Detaj ky që besoj se u ka bërë të gjithëve përshtypje, pasi në të vërtetë Tirana duket shumë e bukur nën petkun e ngjyrave kuq e zi. Mesazhi im është ta duam njëri-tjetrin më shumë se sa e kemi dash gjatë këtij 100-vjeçari, duke i mëshuar më shumë veprave se sa fjalëve.
Shqiptarët, lumë në Tiranë
Kryeqyteti i shqiptarëve, Tirana kuq e zi, është përfshirë që në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një marshim masiv të mijëra qytetarëve të cilët kishin zbarkuar nga të gjitha anët për të prekur nga afër atmosferën festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Mijëra qytetarë nga mbarë trojet etnike shqiptare, diaspora, kanë vërshuar në Tiranës për të festuar ditën e madhe. Të mbledhur rreth sheshit “Skënderbeu” kanë gëzuar dhe kënduar deri në orët e vona të natës. Shqiptarëve të Kosovës i janë bashkuar edhe bashkëkombësit nga Maqedonia, Presheva, Bujanovci, Medvegja, por edhe nga Mali i Zi, të cilët kanë zgjedhur Tiranën për të festuar. Kulmi i festimeve ka shpërthyer me prerjen e tortës rreth mesditës, e cila është shoqëruar edhe me hedhjen e parashutistëve me flamurin kombëtar.
Rozalinda, foshnja e parë e 100-vjetorit të pavarësisë
Rozalinda është fëmija i parë në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Fëmija i parë erdhi në jetë në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldina” në Tiranë, rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm. Vajza është gëzimi i parë i një familjeje nga Gjirokastra dhe ka lindur me peshë 2.4 kg.
“Shumë e lumtur ndihem, dhe këtë ditë do ta kujtoj gjithmonë, sepse është festa e gjithë shqiptarëve , dhe vajzës sime që erdhi në jetë. Vajza quhet Rozalinda, donte që të lindte në ditën e festës së Shqipërisë”, thotë Mbarime Ymeri, nëna e fëmijës.
Rozalinda dhe nëna e saj janë vizituar në këtë ditë të veçantë nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Halim Kosova. Ata garantuan se shëndeti i kësaj nënë dhe i shumë të tjerave që kanë sjellë në jetë foshnjat e tyre deri në mesditën e 28 nëntorit është gëzojnë shëndet të plotë.
Po kështu dhe 11 foshnjat e tyre gëzojnë shëndet të plotë teksa vijojnë të qëndrojnë nën kujdesin e stafeve mjekësore. Një prej nënave është përballur me një emocion të fortë pasi në këtë datë të rëndësishme ka sjellë në jetë edhe trinjakët e saj që i përkasin gjinisë mashkullore. “Ky fëmijë është shpresa e ditëve që do të vijnë dhe arsyeja e të gjithë ne për të ndërtuar një vend sa më të denjë për fëmijët tani. Qoftë kjo jetë e re e një simbol i një fillimi të ri dhe më të ndritur për të gjithë shqiptarët”, deklaroi ministri Tavo, teksa vizitonte nënën e foshnjës së parë të lindur në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ndërsa drejtori i maternitetit, Halim Kosova, siguroi se foshnjat dhe nënat gëzojnë shëndet të plot, dhe mbahen nën kujdes të specializuar mjekësor.
Ndahen pa zhurmë deshtë për familjet e varfra
Ndonëse pa zë dhe ceremoni të dukshme, Bashkia e Tiranës pohon zyrtarisht se deshtë u janë ndarë familjeve në nevojë të kryeqytetit sipas një regjistri të veçantë. “Therja e deshve është bërë nën mbikëqyrjen e ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë pranë thertoreve të licencuara në kushtet e duhura të higjienës. Ata më pas janë paketuar dhe të shoqëruar me garniturën përkatëse janë ndarë nga Dhoma e Tregtisë tek të gjitha familjet e varfra të kryeqytetit. Këto të fundit janë evidentuar nëpërmjet një listë të veçantë, teksa u përkasin shtresave që trajtohen me ndihmë sociale nga shteti”, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht se lajmi për 1000 deshtë u trumbetua gjatë, jehona e bërë edhe në mediat ndërkombëtare për një veprim të tillë, ka ndikuar në mënyrën e veprimit të bashkisë.
Shqyhet torta e pavarësisë.
E konceptuar si një ndër simbolet e veçanta që kulmon festimet e 100-vjetorit, torta e pavarësisë menjëherë pas prerjes nga kryebashkiaku Lulëzim Basha dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, është marrë me dhunë nga festuesit. Punonjësit e rreshtuar pranë saj nuk kanë mundur të çojnë deri në fund misionin e caktuar, pasi vizitorët kanë vërshuar duke e shqyer tortën me duar. Madje, kishte dhe nga ata të përgatiturit, të cilët kishin ardhur të organizuar me qese e mjete të tjera shtëpiake për të marrë pjesë të caktuara të tortës së pavarësisë. Në pamundësi për të çarë turmën, shumë prej vizitorëve që kanë qenë në radhë të parë, kanë ndihmuar edhe në ndarjen e tortës, dhe futjen e saj nëpër qese. Ndërsa, fëmijët e vegjël me pjatat me tortë, dhe copat e shkëputura nëpër duar kanë filluar të luajnë duke gjuajtur njëri-tjetrit me copa torte, disa prej tyre madje mbi tortë.
Sheshi nën pushtetin e mbeturinave
Duke mos dashur të hedhim poshtë gëzimin dhe harenë që mijëra të ardhur në shesh i sollën Tiranës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe anën tjetër të medaljes që nuk është fort e gëzueshme. Letra, shishet dhe pjatat plastike të hedhura në çdo cep të sheshit kuturu, prezantojnë një tjetër pamje, e cila e zbeh disi bukurinë e kësaj feste. Ndonëse, të gjithë mburremi se jemi të kujdesshëm dhe që e duam shumë ambientin, pamja që rrugët hyrëse në shesh dhe vetë sheshi “Skënderbe” të ofronte një orë pasi torta ishte prerë, ishte vërtet e pakëndshme. Ndërsa në orët e mbrëmjes, kur njerëzit filluan të shpërndaheshin në kënde të tjera të Tiranës, sheshi të ofronte një pamje të zymtë të pushtuar nga plehrat dhe veçanërisht nga torta e simbolit të pavarësisë, e cila ishte derdhur në të gjithë sheshin duke kutërbuar aromë të keqe.
Madje ka dhe nga ata njerëz që teksa largohen prej sheshit, lëshojnë në tokë letrat që kanë nëpër duar, duke thënë ndër dhëmbë se ka kush t’i pastrojë, teksa ata duhet t’i gëzohen vetëm festës pasi për këtë kanë ardhur dhe kanë qëndruar për orë të tëra në zemër të Tiranës. Do të duhet vërtet një armatë e madhe punonjësish që të vërshojnë lumë në këto rrugë përgjatë gjithë natës për të larguar mbeturinat të cilat kanë pushtuar sheshin, e që për shumë orë janë bërë pjesë e festimeve së bashku me të ardhurit nga të gjitha rrethet dhe trojet shqiptare.
Ata që do ia ndiejnë më pak gëzimin këtij 100-vjetori janë punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve të cilët do të duhet të kalojnë orë të tëra pas mesnate për të larguar mbeturinat që kanë mbushur sheshin. Kjo në mënyrë që mëngjesi i ditës së sotme ta gjejë Tiranën pak më të pastër. Megjithatë, një gjë është e sigurtë, mëngjesi i sotëm do ta gjejë kryeqytetin më me pak lule dekorative në anë të rrugëve, pasi mijëra këmbë kanë kaluar dje mbi to.
Fëmijët e rrugës
Ardhja masive e vizitorëve për të festuar Pavarësinë në sheshin kryesor të Tiranës, ka rikthyer në vëmendje fëmijët e rrugës, të cilët duke të tërhequr nga mënga kërkojnë të falësh lekë. Kanë qenë të shumtë fëmijët e rrugës të shpërndarë nëpër shesh që kanë vijuar të ushtrojnë atë që e cilësojnë si punë “lypjen”. Pak kohë më parë institucionet deklaruan se kishin ndërmarrë një fushatë për largimin e tyre nga rruga, fushatë e cila gjatë ditës së djeshme tregoi një tjetër pamje. Kjo pasi rrugët e Tiranës ishin të pushtuar edhe nga fëmijët e rrugës të cilët tërhiqnin mëngën e kujtdo që u afrohej.