Brenda javës punimet do të shtrihen edhe në 4 çerdhe të tjera
Deri në mbyllje të javës pesë prej çerdheve në kryeqytet do t’i nënshtrohen rikonstruksionit. Në prag të nisjes së dimrit, Bashkia e Tiranës nis punimet për përmirësimin e kushteve në disa nga çerdhet e Tiranës. Punimet e para kanë nisur gjatë ditës së djeshme për përmirësimin e ambienteve të çerdhes numër 35 që shtrihet në njësinë bashkiake numër 7.
Me një fond prej 11.1 milionë lekësh, punimet e nisura do të sigurojnë ambiente më të mira, në të cilat do të mësojnë 100 fëmijë të moshave parashkollore. Projekti i rikonstruksionit të kësaj çerdheje parashikon përmirësimin e planimetrisë ekzistuese në riorganizimimin e ambienteve të brendshme të çerdhes, duke mundësuar krijimin e ambienteve të argëtimit, të fjetjes, kuzhinës, lavanderisë, dhomën e mjekut, të psikologut etj.
Ambientet e ndenjes dhe të fjetjes do të shtrohen me parket, do të vendosen dyer e dritare të reja, do të realizohet veshje e mureve të jashtme me kapotë, në mënyrë që çerdhja të jetë e ngrohtë gjatë dimrit dhe e freskët gjatë verës, do të kryhet rikonstruksioni i çatisë, etj. Punimet sipas kryebashkiaku Lulëzim Basha do të përfundojnë brenda një periudhe 6 mujore. Basha theksoi se po investohet në të gjithë sistemin e ngrohjes së kopshteve dhe çerdheve, por këto probleme sipas tij do të marrin fund gjatë vitit të ardhshëm.
“I gjithë sistemi i kopshteve dhe çerdheve po investohet për të pasur ngrohjen e nevojshme gjatë periudhës së dimrit. Ky është një zë i veçantë në Bashkinë e Tiranës, është një projekt të cilin unë e ndjek me prioritet të madh dhe është një çështje e cila nuk do të ngrihet më vitin e ardhshëm, pasi ky projekt do të pajisë të gjithë çerdhet dhe kopshtet me sistem ngrohje dhe fëmijët do të vijnë në ambiente të ngrohura gjatë dimrit”, vuri në dukje Basha. Sipas tij në njëjtën kohë po planifikohet edhe ndërtimi i çerdheve të reja, pasi nevojat sot janë dy herë më të mëdha se kapacitetet ekzistuese.