Prishja e një fejese mes çiftit të të rinjve, është kthyer në “mollë sherri” për dy familje në kryeqytet. Konfliktet e vazhdueshme mes familjeve Serjani dhe Dapi, ka bërë që Anxhelo Dapi të rrëmbejë thikën dhe të plagosë vëllanë e ish-të fejuarës së tij, Klodian Serjani. Menjëherë forcat e Komisariatit nr. 4 në kryeqytet kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë arrestuar në flagrancë autorin e ngjarjes, Anxhelo Dapi. Ndërkohë i plagosuri ndodhet në spital, ku po merr edhe ndihmën mjekësore ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në pyetje janë marrë pjesëtarë të të dy familjeve në konflikt, që dhanë shpjegimet e tyre për ngjarjen dhe konfliktet e kohëve të fundit. Prokuroria po ndjek hetimet e mëtejshme, ndërsa Dapi akuzohet për “plagosje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.