Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme parkingun e një pallati 10-katësh në zonën e ‘Don Boskos’. Dyshohet se nga zjarri i rënë në parkingun e kompleksit ‘Vizion Plus’ janë djegur disa makina.
Roja i parkingut ka deklaruar fillimisht të ketë parë të paktën dy makina që digjeshin. Sipas policisë makinat e djegura janë një Ford me targë AA 081 CJ dhe një makinë tjetër tip Mitsubishi.
Po sipas burimeve të policisë dyshohet se shkak për zjarrin mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike në parkingun e nëndheshëm.
Rënia e zjarrit ka shkaktuar panik edhe tek banorët e kompleksit, pasi me të rënë zjarri në të gjithë zonën përreth është ndërprerë energjia elektrike për arsye sigurie.
Në vendngjarje mësohet se kanë shkuar forca zjarrfikësish për të shuar flakët por edhe forca të policisë. Burime të policisë deklarojnë se për arsye sigurie janë evakuuar banorët e 5 pallateve të kompleksit.
Mësohet se zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë e shuajnë flakët./bw