Tito e Stalini, Moskë 1946: Të sqarojmë përplasjen e Enver Hoxhës me Koçi Xoxen

anazapta

 Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(1) – Arkivat sekrete ruse

 

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Çfarë u diskutua dhe u vendos në takimin e Titos me Stalinin në Moskë në 27 maj të vitit 1946 për mosmarrëveshjet e Enver Hoxhës me Koçi Xoxen. Pse e bllokoi Tito vizitën e Enverit në Bashkimin Sovjetik. Arkivat ruse për rrezikun e bandave të armatosura në Shqipëri dhe biseda e Xoxes me ambasadorin rus Çuvahin

Stalini: Situata e brendshme politike në Shqipëri nuk është e qartë. Ka të dhëna që flasin, se atje po ndodh diçka midis Byrosë Politike të Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës. Ka ardhur njoftimi, se Koçi Xoxe dëshiron të vijë në Moskë, për të shqyrtuar disa çështje. Situata në Shqipëri është problematike nga veprimtaria e bandave në veri të vendit.

 

Dokumentet ‘Tepër sekret’ të arkivave ruse, hedhin dritë mbi shumë të panjohura të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kosovës në vitet 1946-1961, si dhe përkujdesjen e Stalinit dhe Titos për politikën shqiptare dhe Shqipërinë. Këto dokumente, përfshirë në një studim të Prof. Dr. Hamit Kaba e Prof. Asoc. Ethem Çeku, sjellin gjithashtu dhe situatën e rëndë gjatë kësaj periudhe në vendin tonë, pamundësinë e lidhjeve Shqipëri-Kosovë përballë diktatit Moskë-Beograd, etj…

 

*    *   *

(Regjistrimet sovjetike dhe jugosllave të bisedës së delegacionit sovjetik dhe jugosllav, të drejtuar përkatësisht nga Stalini dhe Tito, në Moskë, më 27 maj 1946)

Regjistrimi sovjetik

27 maj 1946, ora 23oo

Sekret

Morën pjesë:

Nga ana e BRSS: J.V.Stalin, V. M. Molotov, A. I. Lavrentjev – ambasador i BRSS në Jugosllavi

Nga ana e Jugosllavisë: A. Rankoviç – ministër i Punëve të Brendshme, Gjeneral – leitnant K. Popoviç – shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Neshkoviç – kryetar i Këshillit të Ministrave të Serbisë, Kidriç – kryetar i Këshillit të Ministrave të Sllovenisë, V.Popoviç – ambasador i Jugosllavisë në BRSS.

Lidhur me Shqipërinë, shoku Stalin theksoi, se situata e brendshme politike në Shqipëri nuk është e qartë. Ka të dhëna që flasin, se atje po ndodh diçka midis Byrosë Politike të Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës. Ka ardhur njoftimi, se Koçi Xoxe dëshiron të vijë në Moskë, për të shqyrtuar disa çështje përpara Kongresit të Partisë. Edhe Enver Hoxha ka shprehur dëshirën për të ardhur në Moskë së bashku me Xoxen.

Shoku Stalin e pyeti Titon nëse dinte diçka ai mbi gjendjen në Partinë Komuniste në Shqipëri.

Titua, duke qenë i painformuar në këto çështje u përgjigj, se në kohën më të afërt parashikohet ardhja e Hoxhës në Beograd.

Ai, mendon se iu duhet përgjigjur shqiptarëve, se çështja e vajtjes së Xoxes dhe Hoxhës në Moskë, të shikohet pas ardhjes së tij në Beograd.

Shoku Molotov vuri në dukje se ne kemi frenuar synimin e shqiptarëve për të ardhur në Moskë, por shqiptarët ngulin këmbë për këtë.

Shoku Stalin theksoi, se ardhja e shqiptarëve në Moskë, mund të shkaktojë reagim të pakëndshëm nga ana e anglezëve dhe amerikanëve, dhe kjo do të ndërlikonte më shumë gjendjen e politikës së jashtme të Shqipërisë. Pastaj shoku Stalin e pyeti Titon, nëse Enver Hoxha ishte dakord që Shqipëria të përfshihet në përbërjen e Jugosllavisë Federative.

Titua u përgjigj pohues.

Shoku Stalin tha, se tani do të jetë e vështirë për Jugosllavinë të zgjidhë dy çështje të tilla, siç është çështja për përfshirjen e Shqipërisë dhe çështja mbi Triesten. Tito me këtë vërejtje ra dakord. Prandaj, vuri në dukje më tej shoku Stalin, në fillim duhet diskutuar çështja mbi miqësinë dhe ndihmën reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Titua tha se kryesisht ky traktat duhet të parashikojë mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe pavarësisë së Shqipërisë.

Shoku Stalin tha se duhet gjetur formulimi i këtij traktati dhe të çohet Shqipëria më afër me Jugosllavinë.

Shoku Stalin preku çështjen mbi përfshirjen e Bullgarisë në Federatë.

Titua tha se nuk del gjë me Federatën.

Shoku Stalin lëshoi replikën “kjo duhet bërë”.

Titua deklaroi se nuk del gjë me Federatën, sepse në të vërtetë ekzistojnë dy regjime të ndryshme. Përveç kësaj, në Bullgari ishte i fuqishëm ndikimi i partive të tjera, në një kohë që në Jugosllavi i gjithë pushteti, me gjithë praninë e partive të tjera, praktikisht ndodhet në duart e Partisë Komuniste.

Shoku Stalin theksoi se nga kjo nuk duhet frikësuar. Në fillim mund të kufizohet me paktin e miqësisë dhe ndihmës reciproke, por në esencë duhet bërë më shumë. Bullgaria shikohet si shteti i mëparshëm armik. Shoku Stalin theksoi se kjo nuk duhet të ketë rëndësi esenciale. Dihet se Bashkimi Sovjetik lidhi traktatin e miqësisë me Poloninë në një kohë kur Polonia nuk ishte njohur nga shtetet e tjera.

Më pas shoku Stalin bëri rezymenë e bisedës duke thënë se, çka kërkon qeveria jugosllave për çështjet ekonomike mund të plotësohet. Tani duheshin krijuar komisionet për të shqyrtuar këto çështje dhe problemet e pasluftës.

Ap rf, f. 45, Op. 1, D. 397, L. 107-110. Kopje e vërtetuar.

 

*       *     *

 

Regjistrimi jugosllav

27-28 maj 1946

27 maj 1946, ora 23oo

Në Kremlin

Janë të pranishëm: Tito, Stalini, Molotovi, Lavrentjevi, Marko, Koça, Vlada, Kidriç, Neshkoviç.

Shqipëria

Tito (lidhur me flotën): “Ne duhet të dimë, nëse kufiri ynë do të jetë para Shqipërisë apo në bregdet”.

Stalini: “Çfarë propozoni konkretisht?”

Tito: “Të lidhim një marrëveshje të mirë, për t’i ndihmuar shqiptarët për mbrojtjen e pavarësisë, gjë që në situatën konkrete do të ndihmojë lidhur me kërcënimin nga ana e flotës”.

Stalini: “Kjo ishte një zgjidhje e re, por duhet menduar edhe të përpunohet ajo. Me Çekinë kemi përpunuar një marrëveshje të mirë dhe kemi gjetur një zgjidhje të re: jo vetëm kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj të kohës së luftës, por edhe aleatëve të ardhshëm të saj. Por, duhet menduar ende dhe të gjendet zgjidhja përkatëse. Për federatën tani nuk është koha (as me Bullgarinë). Kryesore tani është çështja e Triestes, dhe kjo duhet zgjidhur e para. Por në qoftë se ju doni një marrëveshje, tani mundet edhe njëra edhe tjetra (Trieste dhe Shqipëria ) njëkohësisht” (dhe vuri buzën në gaz).(?)

Tito: “Ne e kemi shtyrë tri herë ardhjen e Enver Hoxhës në Beograd, ngaqë kishim parashikuar këtë takim me ju. Duke folur në përgjithësi, ne jemi gati të lidhim marrëveshjen me Shqipërinë për sigurimin e ‘sovranitetit’”.

Stalini: “A e njihni Enverin? Çfarë njeriu është ai? A është komunist? A ekzistojnë atje probleme të brendshme të tyret, cilat janë të dhënat tuaja”?

Tito: “Unë nuk e kam parë Enver Hoxhën, është një i ri që në kohën e luftës u bë i njohur… Ne po e përpunojmë marrëveshjen dhe po krijojmë kushtet për një afrim më të plotë”.

Stalini ra dakord.

Tito: “…dhe në përgjithësi në udhëheqje ka njerëz të rinj. Nga sa dimë ne, nuk ka ndonjë problem të veçantë”.

Stalini: “Ata u përpoqën të vinin këtu, por ne nuk duam ta lëmë Enver Hoxhën vetëm, me të do të vijë dhe Koçi Xoxe – si njëfarë kontrolli. Çfarë dini për këtë?”

Tito: “Ne nuk jemi të informuar (as për këtë), as për faktin nëse ka divergjenca”.

Stalini: “Ne vazhdimisht e shtyjmë ardhjen e tyre. Si mendoni ju, a duhet t’i pranojmë? Neve na duket se nuk ka nevojë”.

Tito: “Po, ne mund të realizojmë gjithçka me ata”.

Stalini: “Tani nuk është e përshtatshme as për ata, as për ne. Më mirë ne i ndihmojmë ata nëpërmjet jush”.

Stalini: “Pas kësaj shprehu dyshimin se diçka nuk është në rregull në Byronë Politike Shqiptare.”

Marko: “Shokët e Byrosë Politike nuk e konsiderojnë Enver Hoxhën njeri me partishmëri fort të mjaftueshme dhe prandaj gjithnjë ngulin këmbë, që me të, të vijë Koçi Xoxe, si anëtari më i vjetër i partisë në Byronë Politike. Në Plenumin e Prillit ata diskutuan problemin e vijës, veçanërisht ndaj Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe konstatuan gabime të njohura, dhe si mbartës të këtyre gabimeve, përjashtuam nga Byroja Politike Sejfulla Malëshovën. Qysh atëherë udhëheqja është më kompakte”.

Tito: “Ne këtë problem mund ta zgjidhim me ta”.

Stalini: “Mirë”.

(Burimi: Arhiv Josipa Broza Tita. Fond Kabinet Marsala Jugoslavije. I-1/7. L. 6-11; Dorëshkrim).

 

SITUATA NË SHQIPËRI

(Bisedë e regjistruar e të dërguarit të BRSS në Shqipëri, D.S. Çuvahin me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Koçi Xoxe, mbi likuidimin e bandave të armatosura në vend dhe mbi specialistët sovjetikë)

Tiranë, më 12 qershor 1946

Sekret    

Sot në orën 12 të ditës u takova në shtëpinë e tij me Koçi Xoxen, për t’i transmetuar përgjigjen e Moskës lidhur me vajtjen në BRSS.

1. Në përputhje me udhëzimet e dhëna, e njoftova Koçi Xoxen se vajtjen e tij në BRSS, në Moskë, e konsiderojnë aktualisht të papërshtatshme dhe se vajtja e çdo udhëheqësi shqiptar në kushtet e sotme, sipas mendimit të Moskës, nuk do të ishte në dobi as të interesave të Republikës Popullore të Shqipërisë e as të BRSS.

Në të njëjtën kohë, i vura në dukje, se Moska si më parë do t’i japë çdo lloj ndihme Shqipërisë, si një republikë mike, por nuk do ta publikojë këtë ndihmë me qëllim që, të mos krijohen pretekste për kritika ndaj Shqipërisë, nga ana e aleatëve perëndimorë dhe të mos krijohen kështu vështirësi suplementare për Shqipërinë.

Pasi më dëgjoi, Koçi Xoxe, tha se është plotësisht dakord me mendimin e Moskës, për problemin e vajtjes në Bashkimin Sovjetik dhe se e kupton arsyen se përse Moska i përmbahet një gjykimi të tillë. Ai mbeti veçanërisht i prekur nga njoftimi që Moska e konsideron Shqipërinë si një republikë mike. “Për ne dhe për punën tonë”, tha Koçi Xoxe, “këto fjalë janë inkurajim i madh. Ato, krahas kësaj na angazhojnë të punojmë më shumë e më mirë. Ne e falënderojmë thellësisht qeverinë sovjetike për ndihmën që na ka dhënë”.

2. E pyeta ministrin, se si shkon lufta për likuidimin e mbeturinave të bandave të armatosura në pjesën veriore të vendit. Sipas pohimeve të Koçi Xoxes, në qershor, veprimtaria e bandave të veçanta është intensifikuar dhe se në një fshat të rajonit të Peshkopisë, është bërë edhe një sulm i armatosur i tyre, gjatë të cilit si rezultat u vranë edhe dy persona, përfshi edhe kryetarin e këshillit të fshatit Shumbat. Në rajonin e Skutarit , vazhdoi më tej Koçi Xoxe, u gjendën madje edhe trakte, të hedhura nga njëri prej banditëve me të njohur shqiptar, Mark Gjon Marku, qendër e aktivitetit të të cilit ka qenë dhe mbetet prefektura e Mirditës. Në këto trakte, ai i bën thirrje popullit që të bashkohet me të, të luftojë aktivisht kundër regjimit të tanishëm, duke deklaruar se “së shpejti në Shqipëri do të hyjnë trupat angleze, amerikane dhe greke për të çliruar vendin nga diktatura komuniste”.

Të gjitha këto thirrje të Mark Gjon Markut, siç deklaron Koçi Xoxe, nuk patën ndonjë sukses të ndjeshëm, dhe banda e tij nuk u shtua, por çdo dite po pakësohet në numër. Tani ajo numëron rreth 200 vetë, që merren me banditizëm, kryesisht, në rajonet e Shkodrës dhe të Mirditës. Këto thirrje nuk patën sukses edhe midis pjesës katolike të popullsisë së Veriut të Shqipërisë. Për këtë, dëshmon edhe një fakt i thjeshtë, se jo shumë kohë më parë (në fillim të qershorit) në varrimin e ish kreut të përkohshëm të kishës katolike në Shqipëri, Peshkopit Taçi (Thaçi) u mbodhën gjithsej vetëm rreth 1500 persona. Nënkuptohet, vazhdon Koçi Xoxe, katolikët nuk erdhën në varrimin e shefit të tyre jo sepse ata ushqejnë ndjenja të mira lidhur me qeverinë tonë, por sepse janë trembur e kanë frikë, “se mos ndodh gjë”.

E pyeta Koçi Xoxen për numrin e bandave të armatosura në të gjithë Shqipërinë. Sipas fjalëve të tij, shifra e përgjithshme e banditëve në të gjithë vendin shkon nga 615 deri në 620 veta. Sipas rajoneve të veçanta, këto banda kanë këtë shtrirje gjeografike: rajoni i Shkodrës – deri në 200 vetë, rajoni i Mirditës – deri në 173 vetë, rajoni i Kukësit – deri në 150 vetë, rajoni i Peshkopisë – deri në 60 vetë (këtu vepron bajraktari i arratisur në male para pak kohësh, Cen Elezi dhe ish-oficeri i ushtrisë zogiste, i arratisur në male në të njëjtën kohë me Cen Elezin, koloneli – dezertor i ushtrisë kombëtare të Shqipërisë, Dan Kaloshi), në rajonin e Tiranës – një grup i vogël që numëron deri në 20 vetë, në rajonin e Elbasanit – deri 15 vetë dhe në rajonin e Vlorës – 2-3 vetë. Koçi Xoxe theksoi, se në rajonet e Korçës dhe Argjirokastrës nuk ka asnjë bandit të armatosur.

Ministri shtoi, se asnjë prej këtyre bandave nuk përbën ndonjë kërcënim serioz për regjimin ekzistues, ndërkaq ato terrorizojnë popullatën dhe pengojnë zbatimin e masave nga ana e pushtetit vendor. Më e rrezikshme nga këto banda, sipas fjalëve të Koçi Xoxes, është banda e Mark Gjon Markut. (Në natën e 13 qershorit duke u gdhirë 14 qershor 1946), Mark Gjon Marku u ndoq nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ai mbeti i vrarë. Në këtë mënyrë, u vra banditi më i rrezikshëm i popullit shqiptar, i cili shpresat e tij i lidhte me ndërhyrjen në Shqipëri të trupave të huaja). Pastaj bandat e Muharrem Bajraktarit, i cili vepron në rajonin e Kukësit; pas tij vijnë Cen Elezi dhe Dan Kaloshi, “veprimtaria” e të cilëve kufizohet në prefekturën e Peshkopisë, ku tani zhvillohen operacionet e reparteve të Sigurimit të Shtetit, të cilët këto ditë mundën të rrethojnë një grup banditësh prej 15 vetë dhe t’i asgjësojnë ata.

Duke folur për njëfarë aktivizimi të bandave të armatosura në rajonet veriore të vendit kohët e fundit dhe lidhjeve të tyre me elementë reaksionarë, Koçi Xoxe vuri në dukje, se ai dyshon në lidhjet e këtyre bandave edhe me agjenturën angleze në Shqipëri. “Jo shumë kohë më parë patëm edhe një dëshmi për këtë”, vazhdoi Koçi Xoxe. Ai njoftoi, se përpara disa ditësh në qytetin Durraco u arrestuan dy agjentë anglezë, të cilët dolën bjellogardistë rusë dhe që punonin nën drejtimin e dy nëpunësve anglezë të misionit të UNRRA-s në Shqipëri, Paunda e Pendrit (ky i fundit është përfaqësues i misionit UNRRA në Sarandë). Sipas fjalëve të Koçi Xoxes, deri në ditën e sotme organet e Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë kanë mundur të zbulojnë deri në 30 persona, të cilët ishin të lidhur me agjenturën angleze.

3. Koçi Xoxe më njoftoi se qeveria ka ngarkuar ministrin e Financave, Ramadan Çitaku, të merret me përgatitjen e marrëveshjes mbi kushtet e punës të përfaqësuesve sovjetikë në Shqipëri (bëhet fjalë për mësuesit sovjetikë të gjuhës ruse dhe të shkollës tekniko-profesionale të Tiranës).

E falënderova ministrin për këtë njoftim dhe e vura në dijeni se ky problem duhet zgjidhur sa më parë.

4. Ministri më pyeti se mos kam për t’i njoftuar diçka për punën e këshilltarëve tanë në ministritë e qeverisë shqiptare. Unë i deklarova se mbi punën e këshilltarëve tanë, pak kohë më parë kisha folur me Nako Spirun, në ministrinë e të cilit punon një pjesë e madhe e tyre, dhe se tani nuk kam asgjë që mund të paraqiste interes për Koçi Xoxen. Ministri vuri në dukje se është i njohur me përmbajtjen e bisedës sime me Nako Spirun dhe i përmendi këshilltarët, vetëm për të tërhequr vëmendjen time për punën e pakënaqshme, të këshilltarit për problemet e financave, shokut Gruzdev.

Në përgjigje të kërkesës time, për të më vënë në dijeni se ku qëndrojnë konkretisht të metat e punës së këshilltarit të financave Gruzdev, Koçi Xoxe deklaroi se Gruzdev, është shumë i ngadaltë në punë; se për zgjidhjen e problemeve serioze financiare ai nuk ka qenë në gjendje të jepte një këshillë të shpejtë; se disa propozime të tij, nuk janë krejtësisht të qarta dhe se kohët e fundit ai (Gruzdev-i) nganjëherë nuk vjen në punë, dhe kur vjen, qëndron jo më shumë se 2-3 orë.

Ministrit iu përgjigja se për herë të parë po dëgjoj një kritikë të tillë, në drejtim të Gruzdevit dhe se gjatë takimeve të mia me ministrin e Financave, Ramadan Çitaku, ky i fundit, asnjëherë nuk ka shprehur pakënaqësi lidhur me punën e Gruzdev-it. I premtova ministrit se do të informoja për kritikën ndaj Gruzdev-it, përfaqësuesin tonë tregtar shokun Bobkov, në varësi të të cilit janë specialistët.

Me kaq biseda jonë përfundoi.

I dërguari i BRSS në RP të Shqipërisë, D. Çuvahin

(Burimi: Sf ve, t. I, AVP RF, F. 06, Op. 8, P. 22, D. 319. L. 16-20, Nr. 101)

 

(Vijon Nesër)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Bisedë e regjistruar e D. S. Çuvahin me të dërguarin e Jugosllavisë në Shqipëri, Josip Gjergje mbi çështjen e Kosovës dhe të Metohisë e mbi Konferencën e Partisë Komuniste të Shqipërisë në Berat.

-Bisedë e D. S. Çuvahin me Koçi Xoxen, mbi përshtypjet e Enver Hoxhës nga pjesëmarrja në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit dhe mbi pasojat e kryengritjes në qytetin e Shkodrës.

-Letrën “Tepër sekret” të 1 marsit 1947 lidhur me pakënaqësitë e Stalinit për Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *