Titulli, Ançeloti mban gjallë shpresat

anazapta

Karlo Ançeloti nuk e ka ngritur ende flamurin e bardhë në luftën për titull në Spanjë, por megjithatë e konsideron si një mision thuajse të pamundur. Real Madrid mban vendin e tretë në renditje, me pesë pikë më pak se Barcelona dhe Atletiko, që kryesojnë të dyja kampionatin me pikë të barabarta. Në një kampionat si ai spanjoll, ku ligjin kryesisht e kanë bërë dy gjigantët, Real e Barça, duket e vështirë që skuadrat e tjera t’u marrin mjaftueshëm pikë dy të parave që të përfitojë skuadra e Ançelotit. “Barcelona dhe Atletiko kanë bërë një punë shumë të mirë deri tani. Me pesë pikë më shumë se ne, është e qartë se janë këto të dyja skuadrat favorite në kampionat, por unë jam optimist për pjesën e dytë të sezonit. Pesë pikë nuk janë vërtet pak dhe në këto momente tabela e klasifikimit flet qartë”, pranon trajneri. Madrilenët e mbyllën vitin me fitoren 3-2 në Valencia dhe italiani është i kënaqur me faktin që skuadra e tij vazhdon të jetë në luftë në tre fronte, edhe pse për titullin kampion është mjaft e vështirë. Ndërkohë, janari po afron dhe zërat e merkatos flasin përherë e më tepër për largimin e Di Marias. Argjentinasi dëshiron të luajë gjithmonë dhe Ançeloti thotë se ia kupton dëshirën: “Di Maria e meriton të luajë për këtë skuadër. Edhe të tjerët e meritojnë, por unë nuk mund t’i mbaj të kënaqur të gjithë lojtarët që kam në dispozicion. Kur Di Maria është i përqendruar, luan shumë mirë. Problemi i konkurrencës është normal në një ekip të madh dhe të gjithë lojtarët ia kanë dalë mbanë deri tani”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *