Titulli, Galiani “minimizon” Napolin

redaktor

Milan dhe Napoli ishin dy skuadrat e lumtura të mesjavës evropiane, pasi fituan ndeshje shumë të rëndësishme në Champions League. Kuqezinjtë fituan me Sëlltikun, në një ndeshje të vështirë për shkak të mungesave të shumta, ndërsa Napoli fitoi me Borusia Dortmund. Të dyja do të ndeshen për kampionatin nesër në “San Siro” dhe administratori Adriano Galiani e sheh takimin si një test të rëndësishëm për Milanin. Pas tri fitoreve të para në kampionat dhe fitores me gjermanët, në Itali flitet se Napoli është rivali kryesor i Juventusit, gjë që për Galianin është e parakohshme. “Nuk di të them se cila është skuadra anti-Juventus. Napoli po bën më të mirën por është e vështirë të gjykosh në mesin e muajit shtator dhe për më tepër që janë luajtur vetëm tri javë. Kampionati përfundon në mes të majit”, thotë Galiani. Barazimi ndaj Torinos, por edhe fitorja në minutat e fundit ndaj Sëlltikut, kanë ndihmuar në rritjen e moralit te kuqezinjtë. “Fitorja me Sëlltikun është shumë e rëndësishme, pasi morëm tri pikë dhe na nxjerr në krye të grupit, kështu që është një nisje e mirë. Në krahun tjetër, Milani ka luajtur 19 sezone në Champions dhe e gjitha kjo vlen, pasi Champions League është në ADN-në tonë”. Edhe pse luhet në Milano, Napoli shihet si favorit, por Galiani mendon ndryshe: “Nuk e di se sa vlen në futboll fakti i të qenurit favorit. Gjithmonë thuhet që derbin e fiton skuadra e cila gjendet më keq në klasifikim. Të shohim se çdo të ndodhë të dielën. Edhe vitin e kaluar të gjithë na çuan në Serinë B, por në fund arritëm të jemi në Champions”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *