Dy rezultate minimale në favor të skuadrave vendase në Korçë e Tiranë i kanë dhënë praktikisht fund garës për titull, në favor të Skënderbeut. Skuadra kampione ka mundur 1-0 Besën, me golin e shënuar nga Pero Pejiç, ndërsa Partizani ka fituar me të njëjtin rezultat me Kukësin, falë golit të Migen Memellit. Pas këtyre ndeshjeve, diferenca midis vendit të parë e të dytë ka shkuar në tetë pikë, kur kanë mbetur edhe katër javë për t’u luajtur. Teorikisht, Kukësi ende ka shanse, pasi kryesuesit do të luajnë jashtë kundër Teutës e Partizanit, ndërsa midis tyre do të jetë ndeshja direkt, në Korçë, por vështirë se skuadra më e mirë e vendit të zhytet përsëri në krizë si kjo që kaloi dhe të humbë aq shumë terren. Takimi i djeshëm, edhe pse i lehtë në letër, ishte një thikë me dy presa përballë Besës që lufton për mbijetesë, aq më tepër që skuadra e Josës vinte nga tri humbje radhazi, të cilat kishin rënduar situatën psikologjike. Besa u përpoq ta shfrytëzonte, por gjithçka u prish pas vetëm gjysmë ore lojë, kur Fejzullahu doli me karton të kuq dhe i la kavajasit me dhjetë lojtarë. Në inferioritet numerik skuadra e Artan Mergjyshit nuk ishte në gjendje të bënte shumë, edhe pse rezistoi deri në minutën e 54-të, kur Pejiç shënoi golin e avantazhit. Ishte i vetmi i takimit dhe Besa nuk ishte në gjendje të rrezikonte fitoren e Skënderbeut, që tani merr frymë lirisht dhe feston Pashkët duke zgjatur duart tek titulli i katërt radhazi dhe i pesti gjithsej në historinë e tij.
Ndërkaq, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, Memelli shënon një supergol që zgjon Kukësin nga ëndrra, por edhe mban gjallë ëndrrën evropiane të Partizanit. Edhe pse secilës prej skuadrave i duhej fitorja ato e nisën qetë takimin, duke mos dashur të pësonin ndonjë gol që do të komprometonte gjithçka. Në minutën e njëzetë ishte Nexhipi që rrezikoi i pari, duke gjuajtur mbi tra, ndërsa përgjigjja e Kukësit erdhi me Cikalleshin. Dhjetë minuta më pas, Nexhipi fiton një goditje dënimi, të cilën e ekzekuton Memelli dhe shënon për Partizanin. Përsëri Cikalleshi rrezikon për Kukësin, të cilit i mohon golin portieri Alban Hoxha. Kukësi u shfaq zhgënjyes pas pushimit, kur ishte i pafuqishëm për të ekuilibruar rezultatin. Lojë e ngadaltë dhe e lexueshme, çka bënte që mbrojtja e Partizanit të mos lejonte rreziqe. Në dhjetë minutat e fundit Partizanit luajti me dhjetë lojtarë, por përsëri Kukësi nuk ishte në gjendje të imponohej, madje të kuqtë patën më tepër iniciativë, duke parë nga porta kundërshtare. As pesë minutat shtesë nuk patën vlerë për miqtë, të cilët humbën betejën kryesore dhe ndoshta edhe luftën e titullit, ndonëse do të ishte e gabuar sikur të quhej një dështim. Nga ana tjetër, Partizani ka konsoliduar pozitat në zonën evropiane dhe kjo është pa dyshim një arritje për skuadrën e sapokthyer nga Kategoria e Parë.
Kategoria Superiore
Java e 29-të
Të shtunën
Tirana-Bylis 3-0*
Kastrioti-Vllaznia 2-4
Doku 22′, Caca 67′ (p) / Kruja 8′, Tafili 43′, Shtubina 58′, Bushiç 82’
Dje
Lushnja-Flamurtari 2-3
Gjoni 40′, Mihani 85′ / Abilaliaj 3′, Shehaj 22′, Lena 75′
Laçi-Teuta 1-0
Nimani 35’
Partizani-Kukësi 1-0
Memelli 30’
Skënderbeu-Besa 1-0
Pejiç 54’
* Në tavolinë
Renditja
N Skuadra P Gol F B H
1 Skënderbeu 57 42:24 17 6 6
2 Kukësi 49 34:30 14 7 8
3 Partizani 47 27:20 13 8 8
4 Laçi 44 30:26 13 5 11
5 Teuta 42 36:33 10 12 7
6 Vllaznia 41 39:31 11 8 10
7 Flamurtari* 41 37:35 12 8 9
8 Tirana 40 26:26 11 7 11
9 Besa 35 28:29 9 8 11
10 Kastrioti 29 23:34 8 5 16
11 Lushnja 26 29:45 7 5 17
* Flamurtari -3 pikë, Bylis i përjashtuar

banda teroriste duka laci i bene varine beses poshte terorizmi dukjane dhe korcare rofte injorancia basha laci para ne injorance ballshiote klani teroriste dukjot qe ka frike nga laci me injoranter dhe nxori kulturene demokratike kavajse me dhune e teror