Pas startit të lehtë për pretendentët tashmë faza e tretë vijon e nxehtë për 4 skuadrat që kërkojnë titullin kampion. Prej javësh drejtuesit e këtyre skuadrave theksojnë që titulli do të vendoset në përballjet direkte por nëse do ti hedhim një sy rezultateve të arritura deri tani në këto përballje konfirmojmë të kundërtën.
Me sfidën e zhvilluar në Niko Dovana midis Partizanit dhe Skënderbeut shkon në 13 numri i ndeshjeve direkte këtë sezon, rezultatet e të cilave tregojnë se renditja nuk vendoset prej tyre. Vetëm sfida e së hënës është luajtur 3 herë këtë sezon, ndërsa duelet e tjera ndërmjet pretendentëve nuk kanë nisur ende në këtë fazë të tretë.
Po ti hedhim një sy sfidave direkte të luajtura deri më tani do të vëmë re që Partizani ka një superioritet të dukshëm me kundërshtarët.
Të kuqtë në 7 përballjet direkte të këtij kampionati me Tiranën, Kukësin dhe Skënderbeun kanë regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje duke koleksionuar 14 pikë. Diferenca me ndjekësit në këtë renditje është e dukshme, pasi vendi i dytë mbahet nga Tirana dhe Skënderbeu me nga 8 pikë.
Bardheblutë kanë një ekuilibër total në 6 sfidat direkte me pretendentët për titull pasi kanë regjistruar 2 fitore, po kaq barazime dhe po kaq humbje. Ndërkohë kampionët kanë regjistruar 2 fitore, po kaq barazime dhe 3 humbje.
Vendin e fundit në këtë aspekt e mban kampionia e dimrit Kukësi, që ka vetëm 6 pikë të cilat vijnë si fryt i dy fitoreve dhe 4 humbje.
Megjithatë klasifikimi i përgjithshëm e vendos Partizanin 3 pikë prapa dyshes Tirana-Kukësi dhe në kuotë të njëjtë me Skënderbeun, çka tregon se pavarësisht luftës së fortë midis katërshes së kreut titulli do të vendoset edhe nga skuadrat e tjera, ose më saktë nga ndershmëria e tyre për të luajtur fair-play ndaj çdo kundërshtari.
