Një tjetër vrasje i shtohet kësaj të premteje, që pa frikë mund të konsiderohet e zezë.
Një grua në Durrës ka rënë pre e dhunës së bashkëshortit të saj, i cili i ka marrë jetën duke e goditur me mjete të forta.
Burime zyrtare sqarojnë se 40-vjeçarja Adriana Shaholli, banuese në lagjen Nr.15 të qytetit bregdetar, ka shkuar në urgjencën e spitalit rreth orës 19:55. Ajo mësohet se kishte dëmtime në kokë dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë.
Policia sqaron se “nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar është bashkëshorti i saj Çlirim Shaholli 42 vjeç, i cili e ka goditur me mjete të forta”.
42-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë së Durrësit dhe po pyetet mbi rrethanat e ngjarjes. Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje vijojnë.
Çifti me origjinë nga Korça ishin prindër të 6 fëmijëve, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Mësohet se ata kanë pasur konflikte të herëpashershme dhe se gjendja e tyre ekonomike ishte tejet e varfër.
40-vjeçarja ishte e vetmja që punonte në shtëpi, ndërsa autori i krimit ishte i papunë.
o.j/dita
