Tkurret me 7 miliardë lekë kreditimi në ekonomi

anazapta

Portofoli i kredisë për ekonominë u tkurr me më shumë se shtatë miliardë lekë gjatë Tetorit, duke prekur vlerën më të ulët të regjistruar këtë vit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia në fund të Tetorit kishte vlerën e 540 miliardë lekëve, në rënie me 2.2 për qind ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kjo është rënia me e thellë e kredisë për këtë vit dhe më e larta që nga viti 2002 kur nisin edhe seritë statistikore të Bankës Qendrore për këtë tregues. Rënia me mbi shtatë miliardë lekë në një muaj, përveçse me krizën e kreditimit, besohet se lidhet edhe procesin e pastrimit të portofolit nga ana e bankave. Kjo pritet të konfirmohet gjatë ditëve të ardhshme, kur Shoqata e Bankave të publikojë nivelin e kredive me probleme për Tetorin. Pastrimi i bilanceve me shumë të ngjarë do të jetë reflektuar edhe në një ulje të të shkallës së kredive me probleme. Në muajt e fundit të vitit bankat zakonisht bëjnë fshirjen e kredive të humbura dhe këtë vit procesi pritet të lehtësohet nga qartësimi i trajtimit fiskal të kredive të humbura. Në muajin Maj, ministri i Financave nxori një udhëzim ku përcaktoi kushtet për njohjen e kredive të fshira si shpenzime fiskale të zbritshme. Përveç pastrimit të bilanceve, besohet se kreditimi vazhdon ende të vuajë një kërkesë apatike dhe ofertë të shtrënguar. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, dobësia e kërkesës së brendshme ka rrudhur ritmet e rritjes ekonomike dhe ka shtuar pasigurinë, duke përcaktuar më pak kërkesë për kredi bankare. Edhe standardet e kreditimit nga bankat vijojnë të jenë të shtrënguara, për shkak të rreziqeve në rritje dhe shkallës së lartë të kredive me probleme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *