Reforma territoriale, vazhdon të nxisë debatet në lidhje me minoritetet. Shqetësimi i tyre duket se është shfaqur edhe në shtypin e shkruar të vendit fqinjë Greqisë, ku e gazeta “To Vima”, i cilëson momentalisht marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në një situatë kritike.
“Marrëdhëniet afatgjata mes Greqisë dhe Shqipërisë ndodhen në vështirësi për shkak të planeve të qeverisë mbi reformën e ardhëshme administrative, e cila kërcënon demografinë e minoriteteve greke në Shqipëri”- raporton Agjencia e Lajmeve BalkanWeb, duke cituar shkrimin e botuar nga gazeta e njohur greke. Sipas saj, planet e qeverisë shqiptare mbi bashkimin e zonave minoritare me të tjera zona, rrezikon të ndryshojë ekuilibrat fetare dhe kombëtare.
Në vijim të botimit, “To Vima”, shënjestron edhe mediat shqiptare, duke i akuzuar ato për ndikim nacionalist mbi politikën dhe shoqërinë shqiptare.
Minoritetet “kërcënojnë” me referendum
Nga ana tjetër, ditën e sotme janë mbledhur në një nga hotelet e qytetit të Sarandës, përfaqësues të komunave Livadhja, Aliko, Mesopotam, Dhivër dhe Finiq, duke hedhur disa propozime, në lidhje me reformën territoriale.
Sipas tyre, pa prekur kufijtë administrativë, komuna Livadhjanë të bashkohet me Alikon dhe Finiq, Dhivër e Mesopotam, në cilësinë e një bashkie. Gjatë takimit është lexuar edhe një peticion, sipas së cilit kërkohet që fshatrat Vagalat, Pandelejmon, Sopik, Pecë, Muzinë, etj, të cilët pritet t’i kalojnë bashkive Delvinë, Sarandë e Konispol, të mbeten tek komunat minoritare.
Mos marrja në konsideratë e këtij peticioni, sipas tyre, mund të sjellë edhe në propozimin e një referendumi./A.V
