“Toka djerrë” e studimeve letrare

anazapta

Të hysh në hapësirat e ndërlikuara të metatekstit është një nga zejet më të vështira, ngase kërkohet gjithmonë vigjilencë e madhe për të definuar dhe vlerësuar një sistem abstrakt kuptimësishë, të ndërtuar mbi bazën e konceptimit të një sistemi tjetër fiction-al teksti. Kjo gjë duhet patur parsysh nga cilido studiues, ose kritik që merr në analizë një kritikë letrare të një kritiku tjetër. Të shkruash për studimin e fundit të Behar Gjokës, librin me titull “Fenomeni Blushi” është e njëjta gjë. Aq më tepër që parimisht unë i përkas grupit të atyre lexuesve që diskursin mbi vlerësimin e një teksti nuk e krahasojnë me luhatjet diskrete të bursës së Wall Street-it. Gjithësesi, duke ndjekur në distancë zërin e këtij studiuesi në media dhe në botime të tjera prej gati dy dekadash, herë pas here duke patur edhe kontakte dhe shkëmbime mendimesh në mënyrë të drejtpërdrejtë, besoj se në njëfarë mënyre njohja jonë profesionale e përligj tentativën time të metatekstit. Në radhë të parë duhet thënë se është fakt i pamohueshëm që Gjoka në gjithë këto vite ka qenë dhe vazhdon të mbetet njëri prej zërave të rrallë seriozë në fushën e publikimeve të kritikës letrare, qoftë në shtypin e përditshëm, qoftë në libra të veçantë. Fatmirësisht ai është nga ata studiues të paktë sot që e shohin kritikën letrare me respekt dhe jo si një formë të përkohshme suksesi, e cila gjasme përfitohet duke u marrë me suksesin e të tjerëve. Një libër kritike i shkruar është një libër i shkruar mbi një ose disa libra të tjerë të shkruar. Rrjedhimisht suksesi i librit të shkruar nuk ia garanton asnjëherë suksesin një libri të shkruar mbi librin e shkruar. Përkundrazi mund ta rrezikojë suksesin e tij. Përvecëse kulturë filologjike, një kritiku të mirë i nevojitet edhe arti i të shkruarit. Siç thotë dhe kritiku bashkëkohor amerikan Sam Anderson[1] “një libër kritike i shkruar mirë është dhe një art më vete”[2], që të fisnikëron dhe të fal kënaqësi. Në shkrimet kritike të Behar Gjokës, përgjithësisht ky element është i pranishëm. Në rastin konkret, duke u marrë me studimin e tre romaneve të Blushit, respektivisht “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, siç e pohon edhe Gjoka, shumë të diskutuara në qarqe letrare dhe joletrare në këto vitet e fundit, autori sjell në kujtesë diskursin “pro dhe kundra” prozës së Blushit, bën analizën e romaneve të tij, paraqet shqyrtime, komenton dhe jep ide duke e lënë gjithësesi debatin të hapur. Sigurisht, ajo që është më e pritshmja për një kritikë letrare, është vlerësimi mbi vetë tekstin (ose tesktet) qoftë në kahjen pozitive apo negative. Kritika letrare e Gjokës është në kuotat e analizës letrare. Analiza letrare është e ngjashme me një autopsi, e cila kërkon një nivel përgaditjeje filologjike për të parë përtej asaj çka duket nga syri i një lexuesi të zakonshëm në një teskt. Ky aspekt tek studimi i Behar Gjokës përmbushet. Gjoka e ndjek me kujdes në këto tre romane trillin rrëfimor të Blushit, baraslargimin nga prozatorët e tjerë bashkëkohorë shqiptarë, ngulmimin mbi aspekte të veçanta për dekodimin e historisë sonë kombëtare, çmitizimin e heronjëve të saj, sarkazmën me qëndrimin në këmbë të kodeve mesjetare ende në epokën tonë, aspektet e moralit dhe të religjionit, urat lidhëse të shembura të Shqipërisë me Perëndimin, qenien shqiptare në udhëkryq, ëndërrat e mëdha të një populli të vogël, përpjekjet dhe ishullimin e tij në grackën e historisë së trishtë të pushtimeve dhe të diktaturave të njëpasnjëshme. Gjithë këto aspekte që shfaqen tek tre romanet e Blushit, Behar Gjoka i evidenton në librin e tij dhe i interpreton kujdesshëm përmes kritikës sociologjike dhe mitologjike. Domethënë, duke përdorur me aftësi “bisturinë”, sipas llojit të vetë “autopsisë”. Duke i mëshuar aspekteve sociologjike, Gjoka vë re se diskursi mbi romanet e Blushit shpesh herë ka qenë i karakterit të kritikës biografike, gjykuar nga sipërmarrjet politike të vetë autorit, por edhe për stilin e veçantë të prozës së tij[3]. Ai vëren gjithashtu se kjo lloj letërsie nuk merr përsipër misionin moralizues dhe didaktik ndaj masës së receptuesve, por thjesht përmbush misionin evokues dhe estetik, sipas ligjësive të artit letrar postmodern, si dhe tregon qasjet personale të autorit tek tema të largëta të ekzistencës sonë reale dhe mitike, ku realja vihet në rolin e demitizimit të asaj çka në historinë tonë qëndron si mjegullnajë mbi realitetin. Gjykuar përmes analizës që i bën Behar Gjoka prozës së Blushit, kjo prozë vetvetiu merr vlera emancipuese dhe mbetet gjithmonë e hapur për diskutime “pro dhe kundra”, si vetë fati i autorit në sipërmarrjet e tij në ngjarjet politike të jetës shqiptare. Në fakt edhe letërsia, edhe politika, sado të pangjashme duken, të dyja bashkë, apo veç e veç, përbëjnë dy premisa të përhershme që aspiojnë drejt emancipimit shoqëror. Mënyrat e tyre, sigurisht janë shumë të ndryshme, metodat për të arritur drejt qëllimit po ashtu. Skithtazi Gjoka vë në dukje se edhe nëse letërsia shihet e përjashtuar nga tryeza e politikës, ajo (letërsia) vetë nuk përjashton askënd, përveç atyre që nuk dinë të shkruajnë. Letërsia i pranon të gjithë, të gjithë ata që kanë se çfarë të thonë, të gjithë ata që dinë të thonë, të gjithë ata që me veprat e tyre letrare e emancipojnë dhe fisnikërojnë më shumë njeriun. Duke respektuar kriteret e asnjanësisë së një “gjykatësi” të stërvitur të veprave letrare, Gjoka gjatë gjithë librit vetëm evidenton, aludon, analizon, konstaton dhe shpjegon, pa rënë asnjëherë pre e impresionit për të mbivlerësuar, apo nënvlerësuar tekstin. Studimi më i fundit i këtij autori, libri i sapo botuar, “Fenomeni Blushi”, është edhe një kontribut më tepër në fushën aq të munguar të kritikës letrare sot, për më tepër, është një kontribut krejt individual dhe krejt vullnetar që ky studiues i palodhur jep për letërsinë tonë kombëtare, duke mos qenë pjesë e katedrave universitare, as pjesë e projekteve akademike, fatkeqësisht të munguara. Ndoshta kjo distancë, ky baraslargim mund të jetë një arsye më tepër për ta ruajtur thelbin. Edhe një gjë tjetër që dua të përmend këtu është se, studimet letrare shqiptare, fatkeqësisht, janë kthyer prej vitesh në një “tokë djerrë”. Për ta risjellë në vëmendje të lexuesit “pjellorinë” e kësaj toke do të duhen shumë punëtorë si Behar Gjoka.

 

____________

*Drejtor i Bibliotekës Publike Fier

[1]Sam Anderson – shkrimtar dhe kritik letrar bashkëkohor amerikan, i cili punon për revistën prestigjioze amerikane The New York Times Magazine.

 [2]Anderson, Sam: “Why Criticism Matters: Translating the Code Into Everyday Language”, New York Times, 31 December 2010

 [3]Gjoka, Behar; Fenomeni Blushi, UET Press, Tiranë 2013, fq 12

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *