Tonin Tërshana, copëza kujtimesh shkodrane

redaktor

Jeta e Tonin Tërshanës u shua. Nuk do të jetë më mes nesh njëri ndër virtuozët e këngës të gjithëmbarëshe shqiptare dhe europiane. Ishte një ndër dhuratat që njerëzit marrin në jetën e tyre dhe, si pak të tjerë, kishte fatin të njihej si i tillë që në rininë e hershme.

Shumë herët e kam njohur. Ndoshta kemi qenë fëmijë kur kemi dëgjuar zërin e tij të magjishëm, përmes kanconetave italiane e spanjolle, i ëmbël si zëri i Hoselitos, e kemi dëgjuar përmes këngëve shkodrane, ku linte gjithnjë një pjesë të shpirtit të tij, e më pas, si rrallë herë, e kanë admiruar të gjithë, jo vetëm për gurgullimën e zërit, por edhe për modestinë e pashoqe, qetësinë që e kishte të brendshme, atë harenë e një shkodrani, që dukej si i çrregullt në pamjen e parë, por që ishte harmonizim i vetive të mira.

E kam takuar jo aq sa do të kisha dashur ta takoja. Sa herë që takoheshim, thonim se herën tjetër do të shihemi më shpesh, e përsëri kalonin kohë pa u parë me njëri tjetrin. Pastaj ai iku në jug, unë u ngjita në veri. Takimet u bënë më të rralla, dhe gjithnjë ndodhte që kishim gjëra të pathëna.

U martua me Meri Shestanin, një vajzë e mrekullueshme dhe grua fisnike, që ishte për Toninin më shumë se bashkëshorte. Ishte vetja e tij e dytë. Gjithë mirësi.

Nuk kam shkruar asnjëherë për Toninin. As kur isha gazetar i rregullt e as më pas, kur gazeta do të bëhej puna ime e dytë. Në të vërtetë kam shumë gjëra në mendje, gjëra që do të kisha dashur t’i thoja shumë kohë më parë, pr tani ai nuk është më, është si të thuash, në momentin e kthimit të dhimbjes në brengë të përhershme.

Sa herë që ndahesha me Toninin, thoja me vete se do i shkruaj të gjitha këto, e përsëri nuk i shkruaja, duke menduar se gjithçka do të mbesë tek unë, ndoshta edhe nga që shpirti i tij harrakat ishte tepër i ndershëm për të qenë pjesë e një shënimi.

Tani, si ndodh rëndom me largimet e dhimbshme, pendohem, ndjej atë trishtimin e dyfishtë. Megjithatë, mes të tjerave, do të kisha dashur të sillja diçka, jetësoren e tij dhe lidhjen me njerëzit e qytetin ku kishte lindur, Shkodrën.

Do të doja të ndaja dy kujtime, në dy kohë të ndryshme, për këtë mik të madh të të gjithë shqiptarëve.

Shumë vite më parë, në Universitetin e Tiranëas, në një sallë të madhe, festoja 20 vjetorin e lindjes. Atëherë më dukej se do të isha gjithnjë i kësaj moshe. Ishim shumë vetë, pak pas fillimit të ditëlindjes, erdhën edhe të tjerë, që kishin dhe kanë vendin e tyre të jetën time.
Kisha biseduar me një shok të vjetër të fëmijërisë, Agron Dizdarin, ai ishte atëherë në estradën e ushtarit, që të mund të vinte dhe ai erdhi bashkë me Toninin.

Në orkestër ishin djem të gjimnazit “Petro Nini”, që kishin krijuar një grup modern, shumica kitara, dhe, në mos gaboj, e besoj se nuk jam i gabuar, njëri ndër kitaristët ishte Fatos Nano.

Iu falenderova Toninit dhe ai, pasi Agroni recitoi Migjenin dhe e kishte shpirtin tek poeti ynë, këndoi aq këngë të bukura. Asaj kohe ai ishte në lulëzimin e pazakontë të tij. Mjeshtër i këngës. I ri, thuajse moshatarë, diçka më i tërhequr, ai fliste në dialektin e pastër shkodran, duke e theksuar germën “a”. “A të ka thanë kush ta marsha”, qeshi me mua. Pastaj më tha se, kur një mik bëhet 20 vjeçar, dhe është nga Shkodra, duhet të jemi të gjithë, sepse koha të ikën si rana nëpër gishta. Mbaje fort.

E kemi kujtuar më vonë këtë ditëlindje, kur jemi takuar, dhe jo rastësisht më mbeti në mendje.

Kujtimi i dytë: Në atë kohë drejtoja pallatin e Kulturës dhe kishim një shfaqje me këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë. Këndoi Tonini. Pas tij këndoi një këngëtar i kohës, Zija Saraçi, durrsak, dhe këndoi këngën “Të dua o det”, të cilën e këndonte edhe Tonini.

Publiku në pallatin e Sportit, ku bëheshin shfaqjet e mëdha, e duartrokiti gjatë, edhe nga respekti i mikut të ftuar, edhe nga zgjedhja e këngës.

Në paskenë, një ndër aktorët shkodranë po i thonte Toninit, duke i zgjatur një shishe, “Pije, jepi vetes, erdhi Zija Saraçi nga Durrësi e ta mori Shkodrën”. Tonini ia ktheu dorën lehtë, ai ishte njeri shpirt butë dhe i tha me atë zërin e tij të lehtë, që dukej sikur fëshfërinte.

– Shkodrën, Shkodër locen, nuk ma merr askush, mor ta marrsha.

Askush nuk ia merr Toninit qytetin e tij të lindjes, ashtu si askush, edhe pasjeta, nuk ia merr Shkodrës këtë këngëtar të pazakontë, Tonin Tërshanën, që, duke u ndarë nga jeta, këndonte “degën e dafinës e lëkundi era”.

Lamtumirë, mik. Edhe po të duan, brezat që do të vijnë nuk do të munden të harrojnë. Ti je në panteonin e këngës.

 

Share This Article
2 Comments
  • Degen e dafines vetem Tonini e lekundi .Kenget e tija vetem ai i kendoj ndofta ishin te kompozuar vetem per kete.Une dua tju them dicka;Mencuria dhe modestia e Toninit ishte edhe ne genin familjar .Kur ne donim te benim nje punim shum cilesor ne detalet e maqinerive metalprerese thonim ;Dua te ma bej Kol Tershana ,vellaj Toninit i cili pothuajse fliste me detalet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *