Ndër porositë që më dhanë fëmijët kur isha për herë të fundit në Shqipëri, ishte edhe blerja e disa disqeve me këngë. Hyra në dyqanin tek ish… Më mirë të mos e zë në gojë sepse, e para, edhe po ta përmend nuk do të zgjidh asgjë dhe, e dyta, sido që të jetë unë kam respekt për pronarin e tij. Ndërsa kërkoja me sy nëpër stendat ku ishin ekspozuar turli lloj disqesh e kasetash më afrohet shitësi i dyqanit, një djalosh i ri dhe simpatik dhe më afron ndihmën e tij. E falënderoj dhe i zgjas një si farë liste. Ndërsa ai kërkonte mua më ra në sy stenda ku shiteshin filmat, pothuajse të gjithë filma shqiptar dhe pothuajse të gjithë me një çmim, 5 mijë lekë të vjetra. Binin në sy nja pesë a gjashtë filma si “më të reklamuar” me një çmim tjetër. 7500 lekë të vjetra… Midis tyre ishte edhe filmi “Në fillim të verës”.
– Përse këto filma shiten më shtrenjtë?- e pyeta djaloshin.
– Cilët? Aaaa… Këto filma janë në “Top listë”, prandaj,- m’u përgjigj shkujdesur djaloshi.
– Ku ore?!
– Në “Top listë”.
– Ç’është kjo “Top lista”?- pyeta përsëri.
Djaloshi pa ndërprerë kërkimin për listën që i dhashë, vazhdoi:
– Nga të kemi ty o dajë se… nuk po më dukesh elbasanlli ti?
– Këtej jam, këtej…
– Ore,- m’u kthye djaloshi,- që je këtej e marr vesh unë po… nga cili katund je?
– Po…- mërmërita si i zënë në siklet,- këtej… rrotull… Po… E di pse pyeta unë?
– Pa hë?!
– Jo për gja po… Ashtu, kot, si katunar që jam… Du me ditë kush ja vë çmimin sipas asaj targës “me top” këtyne filmave?
Djaloshi ndërpreu kërkimin. Më hodhi një vështrim, pastaj ironik më pyeti:
– Ouuu… E pse daje dashke me e dit ti këtë gja? Aaaa?! Ç’të hyn në qese ty?
Buzëqesha…
– Po, prandaj pyes unë, sepse… Nuk më hyn gjë në qese. Kush i merr këto paret e këtyre filmave edhe me “list topi, edhe pa list topi”? Ato që janë lodh e i kanë ba apo ato që i hudhin nëpër disqe dhe ju që i shisni?
M’i nguli sytë djali dhe pasi lëshoi një si buzëqeshje ironike e ma ktheu:
– Paske llafe shumë o daje… Kur u bat edhe ju katunarët të na kërkoni llogari vajmedet…
M’i lëshoi nja tre a katër disqe me këngë në banak dhe vazhdoi:- Urdhëno. Sipas atij tefteri që më dhe këto gjeta. Po deshe blej, po deshe, hajde… ato “majat” kthej nga “themrat” dhe… Hëë… Se… përball e ke derën.
Ç’të bëja. Mora për nga dera po përball saj u shfaq papritur një i njohuri im i hershëm. Më vështroi për një moment dhe befas shpërtheu:
– Astriti je?
– Po për besë.
M’u hodh në qafë:- Si je or Tit? Po qysh të ka vëllai ty?- dhe përqafoi dhe bot… Më rrëmbeu për dore edhe ashtu tërë gaz ju drejtua djaloshit të dyqanit:- Shih ore Astrit Çerma… Tit Çerma ore… E njeh apo jo? Ja ku e ke,- i tregoi fotografinë tek kaseta e filmit. Djaloshi i hutuar vetëm rrudhi supet.
– Eh, këta kalamajtë e sotëm. Është im bir. Ai i vogli. Të kujtohet?
Ç’të kujtoja unë katunari i shkretë…
– Hajde,- i thirri djalit,- shko shpejt tek….. I thuj se ka ardh Tit Çerma, të marri edhe aparatin me vete e të bajm ca poza. Ndërsa djali iku me vrap si i çliruar prej një ankthi ne vazhduam ç’malljen me njëri-tjetrin pa e zënë fare në gojë as filmin, as topin e filmit e as çmimin e filmit. Ç’të zinim… Shyqyr që atje këtu na ka mbetur kujtimi, se të tjerat… Ë-hhh’ëëë…
Letër e nënshkruar
Astrit Çerma