Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës të votojë tre ligjet e rëndësishme për integrimin, në mënyrë që në këtë 100 vjetor vendi ynë të marre statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Gjate një takimi me nxënës dhe studente kryeparlamentarja tha se shqiptarët në këtë moment historik janë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre më të madhe: anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Mjaftojnë vetëm tre sekonda që opozita të votojë tre ligjet e integrimit me qëllim që Shqipëria të realizojë këtë ëndërr shekullore”, theksoi Topalli. Në këtë takim në sallën e parlamentit, që ka hapur dyert për qytetaret në vijim të kremtimeve me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë zonja Topalli tha se “të gjithë brezat e tanishëm duhet të ndihen të privilegjuar që kanë fatin të përjetojnë dhe të festojnë këtë përvjetor, që është edhe një moment reflektimi mbi të vërtetat historike të vendit tonë”.