Qeveria “Berisha” ka shpenzuar dhe vazhdon të shpenzojë miliona dollarë të taksapaguesve shqiptarë për imazhin. Ndërsa miliona dollarë u paguhen kompanive amerikane për lobim, kur diplomacia jonë atje është në prag falimenti për mungesë financimi, investimi në imazh nuk kursehet as brenda vendit. Gazeta “Shekulli” shkruan sot se gjatë shtatë viteve të drejtimit prej Jozefina Topalli, aktivitet parlamentare jashtë dhe brenda vendit kanë zënë një pjesë tejet të madhe në buxhetin e shtetit. “Ashtu sikurse vitin e shkuar ku u prodhuan 9 spote për nder të vitit jubilar për Pavarësinë, ora për Kuvendin duket se ka mbetur sërish pas, pasi ajo ka porositur edhe dy spote të tjera për 100-vjetorin. Janë plot 2 milionë lekë, të cilat priten që të lëvrohen nga Kuvendi për prodhimin e dokumentarëve që në qendër të tyre do të kenë përfshirjen e grave në politikë. Përmes prokurimit publik, u është kërkuar agjencive që merren me prodhimin e spoteve që të paraqesin ofertat e tyre. Në koston e Kuvendit nuk janë përfshirë shpenzimet për transmetimin, por vetëm për prodhimin e tyre”, shkruan “Shekulli”.