Ditën e djeshme, në Ballsh, është regjistruar një ngjarje që ka ngjallur debat. Këshilli Bashkiak i ka dhënë titullin “Nder i Qytetit”, pas vdekjes, Feçor Shehut, ose ndryshe i njohur si tmerri i kohës së diktaturës, ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm në vitet 1970-1982.
Por, lajmi ndryshoi komplet kah kur u mësua se titullin, Feçor Shehut ia kanë dhënë këshilltarët e së djathtës.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak janë propozuar 13 figura më zë në zonën e Mallakastrës dhe më gjerë, si dhe ekipi kombëtar i futbollit. Lista ka qenë e shpërndarë para mbledhjes për këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Ballshit.
Kur kanë shkuar në sallë, të majtët, të cilët kanë vetëm 8 anëtarë në Këshill, e kanë bojkotuar mbledhjen kur kanë parë mes tyre dhe emrin e Feçor Shehut. Në sallë mbetën vetëm anëtarët e djathtë, bashkë me kryetaren, Anila Goxhaj.
Kjo e fundit mësohet se prej disa muajsh ka kaluar nga PS-ja që e kandidoi në krye të Këshillit, në të djathtë, duke bërë që të ndryshojë mazhoranca.
Sipas burimeve nga Këshilli Bashkiak i Ballshit, Shehu i propozuar për këtë titull nga veteranë e pasardhës veteranësh, ka arritur të marrë të gjitha votat e të pranishmëve në sallë.
Motivacioni për të cilin u nderua Shehu ishte “Si protagonist i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Mallakastër dhe si personalitet në formësimin e Shërbimit Informativ Shtetëror”.
Ish-kryeparlamentarja Topalli e ka cilësuar këtë si një lojë të Ramës.
Megjithatë, kjo ngjarje është vërtet ironike pas akuzave të PD-së për rivlerësim të figurave komuniste nga PS-ja, e në fakt një figurë e tillë si Feçor Shehu nderohet pikërisht nga e djathta.
