Ndërsa zgjedhjet afrohen, situata po galvanizohet. Mbi dy partitë e medha po rëndon hija e një fitoreje të paplote dhe nevoja për mbeshtetjen e partive që po identifikohen me polin e trete.
Në këto kushte, Meta, Dule, Spahiu, Idrizi, Bamir Topi apo të tjerë mund të rezultojnë aktorë përcaktues për fatet e vendit.
Nga ana e saj, Fryma e Re Demokratike po identifikohet në opinion dhe nga sondazhet tashme jo thjesht me ish-presidentin, por me një forcë të qendrës së djathtë që përmbledh reformën, zemërimin dhe strukturat e alternatives së djathtë.
Por, çfarë do të bëjë fraksioni me i madh i partisë demokratike tashme në opozite? A mbetet për ta thjesht mision rrëzimi i Berishës apo edhe një program ndryshe i të djathtes?
A do jete FRD një opozitë e fortë siç i sugjeron me ironi kreu i Partisë Socialiste apo do të jetë vendimmarrës për fatet e qeverisë së ardhshme?
Për të gjitha këto pyetje, kreu i FRD-së, Bamir Topi, dha përgjigje në një intervistë eksluzive përballë Sokol Ballës, në emisionin e përjavshëm politik të së enjtes, “Top-Story”.
Sokol Balla – Zoti Topi, përshëndetje dhe mirëseerdhët në studio. Sondazhet tregojnë për momentin një fuqizim të FRD-së si element i fuqishëm elektoral. Por, a keni diçka përtej fasadës së sondazheve për të treguar që FRD nuk është me të vërtetë një fasadë?
Bamir Topi – Ky është një moment kur duhet të jemi konkretë dhe jo të varur nga sondazhe që në Shqipëri nuk kanë kredibilitet, aq më shumë kur sondazhet futen nga disa subjekte për të denatyruar flukset elektorale. Si politikan dhe njeri me eksperiencë, shoh tendenca të qarta në elektoratin shqiptar. FRD do të jetë një forcë e rëndësishme në vendimarrjen parlamentare, por edhe në qeverinë e ardhshme.
Sokol Balla – Megjithatë, cila është forca reale elektorale e partisë suaj?
Bamir Topi – Nëse i referohemi kohës që u krijua FRD, duke marrë në konsiderratë futjen time në këtë subjekt, ende nuk janë bërë gjashtë muaj, por në këtë kohë ndërkohë partia është struktuar në të gjithë vendin. FRD ka dëshmuar në këtë periudhë të shkurtër se është shpërndarë kudo, e ne bëjmë takime pa transportuar njerëz nga Tirana, edhe sepse është në interesin tonë që të shohim cila është mbështetja në të gjithë qelizat e territorit.
Sokol Balla – Sondazhet tregojnë se votuesit tuaj vijnë nga gardhi i PD-së. A e bën kjo misionin tuaj të limituar në një drejtim apo FRD është një parti që shkon përtej origjinës së saj, fraksionit të shkëputjes nga partia e madhe?
Bamir Topi – Në eksperiencën time, unë si qytetar, e si politikan nuk jam mësuar të futem tek gardhi i të tjerëve, por dua të them se FRD nuk është një linjë që del nga ajo parti në mënyrën më absolute. Tendenca për të krahasuar me disa lëvizje të tjera që kanë ndodhur në retroskeptivë është e gabuar. Gjysma e zgjedhësve nuk votojnë, janë pa dyshim emigrantët, por edhe indiferentët apo alergjikët nga politika, nga qeverisja e radhës dhe këtë e kam vërtetuar personalisht në 2005-n. Fakti që në atë kohë mora mbi 50% të votuesve që isha votuar tradicionalisht, tregon se ka gjithmonë një kontigjent votuesish që janë të fshehur, por që presin një projekt dhe profil të ri të caktuar politik. Të mos marrësh pjesë në zgjedhje, sigurisht nuk është gjë e mirë. Është thënë shpesh në Shqipëri se duhet zgjedhur e keqja më e vogël midis dy altenativave. Njerëzit zgjedhin të keqen më të vogël ose nuk votojnë sepse s’ka tjetër alternativë. Por, tashmë ka një alternativë më shumë, ne jemi një parti e qendrës së djathtë, kemi një program të qartë, që do të marrë formën zyrtare në gjysmën e dytë të muajit prill dhe kjo do të jetë kontrata politike që do të kemi me shqiptarët.
Sokol Balla – Qëndrojmë tek programi i FRD-së, zoti Topi. Sondazhet tregojnë se arsimi e shëndetësia janë probleme që shqetësojnë qytetarët, por jo aq shumë sa korrupsioni, papunësiia dhe qeverisja e dobët. Cilat janë pikat bazë të programit për këto pika?
Bamir Topi – Ka vende me ekonomi të zhvilluar, por pa demokraci funksionale. Ekonomia është shumë e rëndësishme, por kryesorja është shteti i së drejtës dhe demokracia funksionale. Pa dyshim që shteti ekziston mbi bazën e disa standarteve të zhvillimit të shoqërisë, ndaj shtylla e dytë është ekonomia, ku jemi futur konkretisht tek shëndetësia, prona, arsimi, të përndjekurit politikë, prioritetet kombëtare si bujqësia, agroindustria, turizmi dhe pastaj tek programi social. Pra, është një program shumë i struktuar dhe i ndërtuar nga eksperiza e specialistëve të shumtë, duke marrë formën e një drafti dhe është një program, besoj, ndryshe nga i partive të tjera, është një program konkret. Tek demokracia funksionale dhe shteti i së drejtës, kryesorja janë zgjedhjet, që projektimi në Parlament të jetë i vërtetë.
Sokol Balla – Në këtë kuadër ju keni bërë edhe disa propozime…
Bamir Topi – Ne kemi bërë një propozim që nuk shkojnë me këtë frymë zgjedhjesh, që janë aktuale nëse do të bëhen ndryshime kushtetuese. E para, Kuvendi duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Nga 140 deputetë duhet të ketë 100. Shqipëria është një vend i vogël, aq më shumë nga eksperienca kemi parë që vetëm një grup deputetësh janë aktivë. Pjesa tjetër janë kthyer në instrumenta të kryetarëve të partive që vetëm ulin e ngrenë dorën. Parlamenti si vlerë, ka regres të dukshëm dhe ka dalë nga funksionaliteti i tij. Në të gjitha rastet është nën influencën direkte të ekzekutivit, pra këtu ndodh e kundërta nga ajo që duhet të ndodhë në një shtet normal, ku sistemi ligjvënës i imponohet ekzekutivit. Plus, mekanizmi i 71 votave sot jep një pushtet të plotë. Ne kemi propozuar që të gjithë votimet për institucionet të jenë me 2/3. Të gjitha këto vijnë si meritë e atyre ndryshimeve të pamenduara kushtetuese. Ndoshta, kryetarit të opozitës ia kujtoj shpesh, por ja kujtoj se nuk ka vënë mend, pasi ra dakord prapë të mbajë në fuqi një kod zgjedhor, që nuk merr parasysh barazinë e votës.
Sokol Balla – Ajo që konstatoj unë si gazetar është se ju dhe zoti Rama keni shtuar tonet indirekte mes jush. Kjo lloj retorike midis jush, si dy pjesë të opozitës, duket sikur kënaq strategjinë e mazhorancës për të përçarë opozitën.
Bamir Topi – Nuk do të kishte asnjë lloj shansi mazhoranca të bënte ato ndryshime, pa mbështetjen e opozitës. Kemi të freskët rastin kur u modifikua kodi zgjedhor dhe vazhdon e njëjta psikologji, të njëjtat kompromise në dëm të të tjeravë, pasi duan që të dominojnë skenën politike. Kush e ka thënë që duhet të jenë vetëm këto dy parti, vazhdimisht në këtë gjendje. E gjithë politika botërore ka treguar se ajo është dinamike, projeksioni dhe partitë politike janë në lëvizje, siç është mënyra se si e ndien qytetari. Më duket ama sikur ka një bllok politik, një marrëveshje e fshehtë mes dy personave që duan të monipolizojnë politikën, shto media që i shkon mbrapa, zërat e tretë bëhen shumë më pak të fuqishëm. Këtë e kam thënë gjithmonë, edhe kur nuk kisha asnjë interes e as projeksion në një parti politike. Një zë i ri është gjithmonë i domosdoshëm, ndërsa kjo është një politikë që çimenton të keqen brenda sistemit, një kënetë që shumëfishon sëmundjen. Rotacion nuk është ik ky të vijë ai, por edhe përfshirja e intelektualëve që s’duan të jenë pjesë e politikës që të demotivon dhe të denatyron. Kjo është arsyeja që unë kam parë dhe dëgjuar oferta për intelektualë, që kanë refuzuar pasi nuk duan të jenë instrumentë të kësaj politike. Rotacion duhet të përfshirë edhe gjeneratat e reja.
Sokol Balla – Ka gjithmonë një rrugë të tretë po thoni?
Bamir Topi – Patjetër që ka, siç ka për të shkuar tek “TEG”-u tre rrugë të ndryshme. Sigurisht që ka nevojë për rrugë alternative që japin mundësi për një politikë të drejtëpërdrejtë për shqiptarët, të cilët janë futur të gjithë në një stad, siç ishte viti 1992.
Sokol Balla – A ka nevojë vendi për një pol të tretë
Bamir Topi – Çështja e emërtimit pol apo bllok është tjetër. Të flasësh në parim për një rrugë të tretë është e natyrshme, ndërsa të flasësh për pol, është në funksion të një konjukture të caktuar.
Sokol Balla – Le të flasim për konjukturat. Vetë zoti Dule, në këtë studio, foli për mundësinë e krijimit të një poli të tretë. Ai ju përmend ju dhe midis jush duket se ka patur gjithmonë një respekt reciprok. Është folur edhe për LSI-në, e ju me Metën keni pasur gjithmonë një marrëdhënie korrekte. Meqë ra fjala, a jeni takuar me zotin Meta së fundmi?
Bamir Topi – Po, jemi takuar në një rast së bashku me disa miq, konsumuam një bisedë normale dhe të përgjithshme, e jo me terma konkretë. Kjo ka qenë hera e vetme së fundmi.
Sokol Balla – Nuk u futët në terma konkretë sepse gjykoni që është ende herët?
Bamir Topi – Jo, nuk kishte lindur kjo nevojë. Nuk jam këtu në studio për të ruajtur në vetvete një mister, do të jemi të lirë të takohemi sërisht. Por, nga një takim, tek kalimi i bisedave për të krijuar një aleancë dhe një pol, këto janë biseda më të komplikuara. Sot nuk kemi absolutisht asnjë opsion në këtë moment që flasim, pasi pavarësisht se jam kryetari i një force politike, nuk do të kisha marrë guximin të vija në studio dhe të flisja diçka të pakonsultuar me kolegët e mi.
Sokol Balla – Duket e drejtë që duhet të konsultoheni, pasi të paktën dy anëtarë të kryesisë së FRD-së, Biberaj dhe Krasniqi, janë shprehur parimisht kundër aleancës me LSI-në për shumë arsye.
Bamir Topi – Ju e dini që ne jemi një parti ku ekziston dhe respektohet një liri relative. S’mund të them absolute se nuk e kam as unë në cilësinë e kryetarit. Ata kanë të drejtë të kenë opinionin e tyre, janë shumë të respektuar. Megjithatë, unë në rolin e kryetarit të partisë, ndonëse kam këtë rol, nuk më shkon në mendje se si mund të përcaktoj diçka të tillë, pa u konsultuar me strukturat, që janë ato që duhet të marrin këtë dhe çdo vendimarrje të tillë të rëndësishme. Natyrisht, në çdo rast do të ketë një konsultim paraprak shumë të maturuar.
Sokol Balla – Pra, nuk e përjashtoni mundësinë e një poli të ri të qendrës?
Bamir Topi – Në emër të FRD-së kam përjashtuar koalicionin me partitë e vjetra, por në parim, gjithçka tjetër është e hapur. Por, nëse e specifikojmë sot do të ishte gabim. Më e rëndësishmja për ne sot është konsolidimi dhe vazhdimi i krijimit të një fizionimie të FRD-së.
Sokol Balla – Ju keni deklaruar më parë në këtë studio që do të hynit të vetëm në zgjedhje.
Bamir Topi – Në politikë nuk ka absolutizëm, por kam thënë se me një probabilitet të lartë, ne kemi ende mendimin që ndoshta me shumë mundësi do të kandidojmë vetëm në zgjedhjet politike. Sigurisht, brenda kufijve të relativitetit gjërat lëvizin.
Sokol Balla – Ka disa pyetje se si do t’i ruani ju votat, duke paragjykuar kështu procesin zgjedhor ende pa nisur.
Bamir Topi – Kush dyshon që procesi në Shqipëri nuk do të jetë i ndershëm sikurse e premton sikurse kryeministri në detyrë? (qesh) Kush? Interesante është kjo, me këdo bisedon e njëjta pyetje. Më vjen mirë që e bëtë këtë pyetje, që i përket mjedisit të përditshëm shqiptar, ambienteve të politikës, por që të bëhet edhe nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Përderisa të gjithë kanë këtë pyetje, që këtu procesi i zgjedhjeve është i kompromentuar, të gjithë aktorët, e madje shumë të rëndësishëm bëjnë këtë pyetje. Ka një retroskeptivë të errët me zgjedhjet. Ekziston i njëjti problem e fobi për zgjedhjet e qershorit, pra në sfond është një personazh të cilin ndonëse nuk e themi, e njohim të gjithë që dëshiron në mënyrë të përsëritur të fusë duart në zgjedhje, duke i futur vazhdimisht, siç kanë bërë edhe socialistët në 2001-n. Ata përdorën atëherë mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese, pra askush nuk është dorëjashtë në këtë punë dhe këto janë probleme të demokracisë së brishtë shqiptare e kjo është arsyeja përse në slloganin tonë kemi thënë fund tranzicionit, pas 22 vitesh kemi nevojë t’i japim fund kësaj. Duhet t’i vijë fundi psikologjisë së mashtrimit dhe një mentaliteti primitiv që e sheh shtettin në formë tribale.
Ma gjeni ku tha pikerisht sic e keni vendos ne titull. Aludoi per dicka tjeter por jo per SHISH.
Po nderhyj per here te dyte se ma nxoret bllof komentine pare. Nuk ka e ka zene ne goje SHISH-in, por iu referua akuzave te PS-se per kauzen qe nisi.
Aludimi eshte tjeter gje.
Ju faleminderit gjithsesi