FRD-ja e Bamir Topit ka bërë me dije para një gjysmë ore se do të dalë e vetme në këto zgjedhje, si një alternativë e tretë. Deklarata e kujdesshme e Topit dje në Korçë, teksa po e pyesnin lidhur me “ftesën” që i ka bërë PD-ja e Berishës (“Nuk kam marrë ndonjë ftesë”, u përgjigj ai, duke lënë të kuptohet nga ca e ca se “po të marrë një ftesë, edhe mund ta shqyrtojë me të vetët”), deklarata e Korçës pra krijoi një përshtypje se aleanca PD-FRD nuk ishte krejt e pamundur.
Por ka qenë një përshtypje e gabuar. Topi sot ka bërë zgjedhjen më të vështirë për partinë e tij, gjë që e nxjerr të nderuar në terma moralë e parimorë, por që, në pamje të parë, e penalizon në terma elektoralë (Apo ndoshta jo? FRD-ja është një nga dy x-et e kësaj fushate). Qysh sot ai do fillojë t’u kërkojë zgjedhësve ta shohin e votojnë FRD-në si një alternativë të tretë. “Aleanca jonë është me qytetarin”, përsëriti ai edhe sot devizën e FRD-së, që do të jetë në të njëjtën kohë dhe mantra elektorale.
Pritet tanimë veç vendimi i AK-së, e cila po bën negociatat e sekondës së fundit me PS-në.
* Marrë nga ResPublica