Trajneri sheh komplot kundër Kristiano Ronaldos, duke ia dhënë çmimin argjentinasit
Kristiano Ronaldo nuk ka shanse për Topin e Artë, tashmë ai është i Lionel Mesit. Është një opinion që përbën një lajm të jashtëzakonshëm kur vjen nga goja e sponsorit më të madh të portugezit për çmimin prestigjioz, Hose Mourinjo, i cili natyrisht këtë e bën në stilin e tij, duke folur për një konspiracion të kokave të futbollit kundër Ronaldos në favor të Lionel Mesit. “Topi i Artë tashmë është dhënë. Kur kokat e futbollit flasin dhe bëjnë fushatë, atëherë nuk mund të bësh asgjë”, thotë trajneri portugez. Më pas Mourinho reflektoi mbi fitoren e Realit përballë Ajaksit, ku golat e Ronaldos, Hose Kallejonit dhe Kakasë nuk mund të mjaftonin për t’u siguruar madrilenëve kryesimin në Grupin D, të cilin e kishte siguruar që para ndeshjeve të fundit në grup Borusia e Dortmundit. “Duhet t’i respektojmë të gjithë. Vitin e kaluar thyem rekordin e pikëve në fazën e grupeve, dhe këtë vit në grupin e hekurt u pozicionuam të dytët. Ne dëshironim të merrnim kryesimin por ja që nuk ishte e mundur”.
Në vorbullën e spekulimeve mediatike mbi të ardhmen, nuk mund të mungonte dhe një pyetje mbi mundësinë e transferimit te Paris SG dhe dhe mbërritjen e Ançelotit në “Santiago Bernabeu”. Hipotezë së cilës portugezi i përgjigjet me një batutë: “Mbase do të ketë një shkëmbim mes dy klubeve, por Parisi do të ishte një destinacion i mirë… për ndeshjen tonë të ardhshme në Champions League”.