Braziliani sheh argjentinasin si më argëtues për njerëzit, krahasuar me adashin e tij te Reali
Ronaldo voton Lionel Mesin për çmimin e “Topit të Artë”, i cili do të jepet nga FIFA dhe revista “France Football” më 7 janar. Nuk është Kristiano Ronaldo, sulmuesi portugez i Realit, i cili më parë ka deklaruar se “Topin e Artë” do t’ia jepte vetes. Vota për argjentinasin e Barcelonës është dhënë nga Ronaldo Nazario da Lima, “Fenomeni” i dikurshëm i Brazilit, tashmë anëtar i këshillit administrativ të Komitetit Organizativ të Kupës së Botës 2014. “Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë të pabesueshëm, dy lojtarët më të mirë në botë, por Mesi është më tërheqës për tifozët”, thotë Ronaldo, i cili ka luajtur me të dy gjigantët spanjollë. Braziliani i rekomandon patriotit të tij Neymar të luajë sa më shpejt në Evropë. “Unë i sugjeroj Neymarit të shkojë sa më shpejt në Evropë. Përveçse vendlindja e futbollit, është gjithashtu një mundësi kulturore, të cilën duhet ta shfrytëzojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Në Evropë futbollistët, sidomos ata brazilianë bëhen njerëz të vërtetë. Unë kam përfituar shumë gjatë 18 viteve karrierë atje. Mund të them se nuk ekziston asnjë universitet që të mëson atë që kupton në Evropë”, thotë kampioni i botës më 2002. Për sa i përket Kupës së Botës Brazil 2014, Ronaldo pranoi se do të donte të luante në stadiumin e rinovuar “Marakaná”. “Do të doja të isha disa vite më i ri dhe të luajë sërish në “Marakaná”. Futbolli brazilian do të trashëgojë shumë gjëra nga organizimi i Kupës së Botës: stadiume të rinj dhe perspektiva të reja të lojës së futbollit”. Fenomeni Ronaldo ka marrë pjesë në katër botërorë dhe mban rekordin me 15 gola të shënuar në fazat finale, një rekord që rrezikon t’ia thyejë gjermani Miroslav Klose, i cili është vetëm një gol larg dhe synon të marrë pjesë në finale edhe pas dy vjetësh.
Rekordi
Platini nuk mërzitet
Në rast se Lionel Mesi fiton “Topin e Artë”, atëherë ai do të bëhet i vetmi që e merr për të katërtën herë trofeun, duke lënë plas Johan Krujf, Marko van Basten dhe Mishel Platini. Pikërisht ky i fundit, tani president i UEFA-s, nuk mërzitet aspak nëse një gjë e tillë ndodh. “Rekordet janë për t’u thyer. Ai është një djalosh i mahnitshëm. Edhe pse vetëm 25 vjeç, ai ka mundësi për të fituar “Topin” e katërt. Nuk ka asnjë problem nëse ma kalon mua. Me siguri që do të hyjë në histori”, tha Planit, fitues tri herë radhazi i “Ballon d’Or”, në vitet 1983, 1984 e 1985.