Ish-presidenti Topi ka kritikuar sot kryeministrin Berisha për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe drejtimit të partisë së tij. Sipas Topit, kjo keqqeverisje ka ndikuar edhe në funksionimin e Parlamentit, ku tashmë votimi bëhet i hapur, në mënyrë që deputetët të mos munden të devijojnë nga linja e partisë. Duke folur në një takim me studentët e një universiteti privat, Topi tha gjithashtu se Berisha i ka dhunuar zgjedhjet, përfshirë këtu edhe votën e tij. “Në Parlament votimi i fshehtë kthehet dhe bëhet i hapur që deputetët të mos devijojnë votimin, edhe pse ata mendojnë ndryshe nga kryetari i partisë. Mjafton të jesh militant, të ngresh dorën dhe të bëhesh i pëlqyer për kryetarin, atëherë je në rregull, do zgjidhesh në parti”.
“Kam qenë i dhunuar drejtpërdrejt në të drejtën time kushtetuese të votës. Vota e fshehtë është një e drejtë. Kryeministri konfirmoi që nuk ka më problem me shoqërinë shqiptare, por problemi i tij i sotëm është nëse Europa vendos kusht zgjedhjet apo jo. Në zonën ku kam votuar unë zgjedhjet ishin manipuluar turpësisht. Vota ime u deformua për qëllime politike…”, tha Topi.
Kreu i FRD-së u shpreh se fajtore për dështimin e statusit për të tretën herë është klasa politike. “Sot një ditë pas marrjes së një lajmi të hidhur për shqiptarët, për shkak të polarizimit të tejskajshëm të politikës. Sot forcat politike duhet të ishin kokulura, duhet të pranonin dështimin për mosmarrjen për herë të tretë të vendit kandidat. Paradoksalisht Shqipëria merr nota pozitive në raport me fqinjët, por merr nota negative në raport me vetveten. Ne jemi bërë të këqijtë e vetvetes”.
Topi u shpreh se vendi e ka të domosdoshëm si rotacionin politik, ashtu edhe atë të elitave.
“Dielli lind dhe perëndon, kështu duhet të ishte edhe për politikën. Njerëzit që janë në moshë pensioni të shkojnë të gëzojnë pensionin, të ketë rotacion elitash”, tha ai.