Përgatitja e zgjedhjeve të reja parlamentare e ka tërhequr të gjithë vëmendjen e stafit drejtues të FRD-së, e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi, kryetari që aspiron të mbledhë rreth vetes të gjitha shtresat e shoqërisë.
Topi duket kritik ndaj institucionit organizator të zgjedhjeve, KQZ-së, që natyrshëm ka vëmendjen e të gjitha partive politike për shkak të mënyrës së si po përgatit zgjedhjet e 23 qershorit.
“Së pari do të thoja që cdo gjë ka qenë e parashikuar përsa i përket vendimmarrjes së KQZ-së. Ka patur një klimë, me të drejtë paragjykuese pasi mënyra se si u konceptua Kodi Zgjedhor dhe mënyra se si u projektua Komisioni Zgjedhor, të linte të kuptoje se të gjitha vendim-marrjet e këtij institucioni do të ishin politike. Nuk ka më të voglin iluzion që KQZ do të vazhdojë të ndjekë porositë që vijnë nga kampet respektive të atyre që janë përgjegjës ekskluzivë të këtij projektimi denatyrues. Shqiptarët nuk kanë nevojë të shikojnë apo të paragjykojnë një sistem zgjedhor se si administrohet, shqiptarët kanë nevojë të kenë zgjedhje të lira, të ndershme. Fakti që këta nuk e kanë lënë KQZ si një strukturë kontrolluese, ashtu sikurse e kërkon morali dhe ligji, dhe fakti që kërkojnë të kontrollojnë në cdo moment, sipas interesave të partive që kanë bërë ligjin, tregon që ky komision praktikisht e ka humbur të drejtën për t’u besuar. Këtë nuk e thonë vetëm faktori politik shqiptar, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Fakti që FRD-së i është mohuar financimi, ndërkohë që FRD ka përfaqësues në parlament, do të thotë që kanë bërë një gabim shumë të rëndë. E para është që nuk marrin të qenë përfaqësuesin tonë në parlament dhe e dyta tregojnë që kanë një klimë mllefi ndaj FRD-së dhe përtej klimës së mllefit kanë një frikë. Të gjitha këto politika, fokusohen tek ata që administrojnë në mazhorancë KQZ. Njerëzit duhet të kuptojnë që këtë pushtet e ka kapur paniku dhe tenton me cdo kusht të krijojë situata jonormale që nuk paralajmërojnë erë të mirë”, thotë kreu i FRD-së, Bamir Topi.
Por kur nga zgjedhjet kanë mbetur vetëm pak muaj, FRD është gjithashtu e gatshme të bëjë koalicione politike, por në mënyrë kategorike nuk do të bëjë “martesë” as me PD as me PS, të cilëve u faturon keqqeverisjen e vendit në drejtim politik të shoqërisë.
“Një president nuk kthehet në politikë për të aspiruar një karrike ministri. Unë kthehem në politikë ashtu sikurse e kam deklaruar për një mision qytetar. Kjo është arsyeja që ne e kemi thënë dhe vazhdojmë të qendrojmë në këtë tezë, që me partitë e vjetra përgjegjëse për ndryshimet e Kushtetutës, që u provua me situata të rënda përsa i përket marrëdhënieve të funksionimit të institucioneve të pavarura dhe krijimit të mjaft situatave që kanë të bëjnë edhe me zgjedhjen e institucioneve të rëndësishme. FRD nuk ka arsye që të lidhet për të patur një vend në qeveri apo diku tjetër, përkundrazi. Jeta politike vazhdon të jetë në dinamikë dhe këto muaj që kanë mbetur do të jenë dinamikë përsa i përket lidhjes, koalicionit me ato parti të cilat ne do të shikojmë që përputhen me interesat tona, interesat e qytetarëve, interesat e Shqipërisë”, vijoi kreu FRD-së.
Por si i shikon zoti Topi zgjedhjet e ardhshme të qershorit? A shpreson ai se vendi po shkon drejt arritjes së standardeve me këto zgjedhje?
“Të gjithë ata që monitorojnë në vendin tonë situatën politike, të gjitha ata të shikojnë më vëmendje, të mos ta shikojnë në terma sipërfaqësorë, por të futen thellësisht sipas parimit më mirë parandalohet se sa kurohet. Të gjitha vendimet që ka marrë KQZ janë unilateralisht politike dhe japin shenja të qarta se si do të vazhdojë. Problemi mbrapa pastaj që ishin zgjedhje relativisht të ndershme, korrekte, nuk mund të vazhdohet më, 22-23 vite nga momenti kur Shqipëria u nda me sistemin diktatorial. Qytetarët duhet të ftohen të marrin pjesë në votime, duhet të garantohet që vota e tyre do të jetë e lirë dhe duhet të dalin nga ajo klimë e cila sot është bërë dëshpëruese; shiko, vërtet pakënaqësia është e madhe, por shiko se ai mund të vjedhë. Unë nuk jam këtu për të thënë votoni se unë do të jem atje, jo! Jam këtu për t’i dhënë frymëmarrje jetës politike shqiptare, të rinjve, elitave, intelektualëve, që disa marrin targën e intelektualit pa qenë intelektual dhe emërtohen nga të tjerët, ndërsa intelektualë të tjerë qendrojnë në hije sepse i ka lënë pushteti që kërkon të servilizojë ata. Intelektuali është intelektual atëherë kur ka dinjitet, ka personalitet dhe që nuk vendoset në rresht. Politika nuk duhet të humbë dhe nëse e ka humbur duhet ta rifitojë atë marrëdhënie që jep fjalën dhe ta mbajë”, përfundoi Topi.