Drejtues të lartë të Frymës së Re Demokratike ishin sot në Burrel për t’u shpalosur matjanëve alternativat që ofron programi i kësaj force.
Kryetari Bamir Topi – u tha pjesëmarresve në takim se politika qeverisëse e pamoralshme nuk mund të tolerohet më.
“FRD u krijua për t’i kthyer besimin qytetarëve dhe për t’i thënë zotërinjve të PD dhe PS që ju nuk ishit arkitektë të ndryshimeve kushtetuese, por ishit shkatërrimtarë të institucioneve. Populli i Matit po përballet me varfërinë që i ka sjellë shitja e pandershme e minierave, uzinave dhe hidrocentraleve për interes të klaneve të pushtetit dhe jo të matjanëve” – shtoi më tej Topi.
Nga Burreli Topi i bëri thirrje qytetarëve ta largojnë me votë pushtetin e korruptuar, duke shprehur bindjen se 23 qershori do të jetë data e roatocionit të pashmangshëm politik.
“Në 23 Qershor, Burreli, Mati, Dibra kanë nevojë për një përfaqësim ndryshe në parlamentin shqiptar dhe unë ju siguroj se FRD do të ketë kandidatë dinjitozë” – tha Sali Shehu, Sekretari Organizativ i FRD-së.
Para banorëve të Burrelit, Shehu u shpreh se në këtë zonë FRD do të ketë mbështetje dhe përkrahje popullore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përfaqësuesit vendorë të Frymës së Re Demokratike i bënë thirrje qytetarëve të përkrahin këtë forcë që vjen si alternativë e re në politikën shqiptare.